Angelina Jolie ka marrë pjesë në një takim mes Ministrave dhe Diplomatëve në Kombet e Bashkuara. Ajo ka mbajtur një fjalim për përfshirjen e grave në bisedimet e paqes, për t’i dhënë fund konflikteve në Afganistan.
Bisedat për paqe kanë nisur në fund të vitit 2018 mes zyrtarëve Talebanë dhe atyre të SHBA-ve, por ende gratë afgane frikësohen të kërkojnë lirinë.
“Në Afganistan, mijëra gra kanë folur kohët e fundit në publik duke rrezikuar jetën e tyre për të kërkuar që të drejtat e tyre dhe të drejtat e fëmijëve të garantohen në bisedimet e paqes, ama deri tani nuk kanë mundësuar asnjë prej tyre. Përgjigjja e heshtur e komunitetit ndërkombëtar është alarmante. Nuk mund të ketë paqe apo stabilitet në Afganistan apo kudo tjetër në botë kur shkelen të drejtat e grave”, tha Jolie, si e dërguar e posaçme për agjencinë e refugjatëve të UNHCR-së.