Ballina Bota OKB: Angazhime të reja për paqeruajtjen

OKB: Angazhime të reja për paqeruajtjen

Wide view of the Hall General Assembly Seventy-second session, 93rd plenary meeting Election of five non-permanent members of the Security Council

Në selinë e OKB në Nju Jork u mbajt takimi Peacekeeping Ministerial, me ministra të Mbrojtjes dhe të Jashtëm nga 130 vende. Secili vend premtoi kontributin e vet për misionet paqeruajtëse.

Paqeruajtja është një nga synimet unanime të OKB. Të gjitha vendet e duan paqen me mënyrën e tyre. Dhe të gjitha vendet janë dakord se misionet paqeruajtëse janë një nga instrumentat më të suksesshëm për kalimin nga konflikti në paqe. Po ashtu të gjitha vendet janë dakord se misionet paqeruajtëse kanë nevojë për reformim. Prandaj Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres ka iniciuar pesë vjet më parë nismën “Action for Peacekeeping”.

“Me veprat tona ne duhet të ruajmë paqen, ndërkohë që konfliktet janë bërë më komplekse dhe më të rrezikshme,” thotë Antonio Guterres, në hapjen e një takimi të mbajtur ditën e premte në selinë e OKB në Nju Jork, ku marrin pjesë ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes nga 130 vende. Sekretari i Përgjithshëm kërkon nga ministrat angazhim që “peacekeeping të rifokusohet me pritje më realiste dhe me mobilizim më të madh për zgjidhje politike.” Por jo të gjithë janë dakord me shpërndarjen e ngarkesave të misioneve, sidomos kur ato bëhen të rrezikshme. OKB ka 100 000 paqeruajtës në 14 misione në botë, pjesa më e madhe e të cilave në Afrikë.

Duhen burime financiare e njerëzore

Specializimi i trupave, përmirësimi e sigurisë, pajisja me aparate kërkojnë më shumë para, por buxheti për misionet paqeruajtëse është zvogëluar 17 përqind që nga viti 2008, megjithëse paqeruajtja i kushton botës në vit vetëm 0,5 përqind e shpenzimeve ushtarake globale. “Peacekeeping nuk funksionon pa burime financiare dhe pa peacekeeper të kualifikuar”, thotë ministri gjerman i Jashtëm, Heiko Maas, i cili njoftoi derdhjen e 15 milionë eurove për fondin e misioneve.

Në “Action for Peaceckeeping”, Gjermania merr përsipër të dërgojë ekipe mobile shkollimi, specializim të personelit të shtabeve në misione dhe krijimin e qendrave të trajnimit të paqeruajtësve në Ganë dhe Mali. Reforma e paqeruajtësve parashikon po ashtu rritjen e pjesëmarrjes së grave nga 4 përqind aktualisht në 8 përqind më 2020, rritje e numrit të grave si në trupën ushtarake ashtu edhe në atë policore.

“Paqja nuk është një gjendje që arrihet një ditë, por është një gjendje për të cilën duhet të luftosh përditë, prandaj ne duhet të investojmë në peacekeeping, në parandalimin e krizave dhe te Kombet e Bashkuara,” thotë ministri gjerman i Jashtëm. Që prej një janarit Gjermania ka marrë një vend në Këshillin e Sigurimit, të cilin do e mbajë dy vite, në 2019-n dhe 2020-n.