Ballina Bota Presidenti kinez Xi Jinping takohet me liderët europianë

Presidenti kinez Xi Jinping takohet me liderët europianë

Presidenti kinez Xi Jinping u takua të martën me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Komisionit Evropian; vendet evropiane duan t’i shtojnë marrëdhëniet me Kinën, ndërkohë që po bëjnë presion ndaj praktikave të saj tregtare. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker shkuan sot në Paris për t’iu bashkuar zotit Xi dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Udhëheqësit europianë janë duke u përgatitur për një takim të rëndësishëm mes Bashkimit Europian dhe Kinës. Takimi i së martës është një moment kyç në turneun evropian të zotit Xi, gjatë të cilit janë nënshkruar kontrata të rëndësishme biznesi, përfshirë një nga marrëveshjet më të mëdha që ka patur ndonjëherë prodhuesi evropian i avionëve, Airbus. BE është partneri më i madh tregtar i Kinës dhe dëshiron ta forcojë këtë marrëdhënie. Presidenti Emmanuel Macron tha se konkurrenca mes BE-së dhe Kinës nuk ka pse të sjellë dobësimin e sistemeve tregtare të botës, apo izolimin politik, ndërsa homologu i tij kinez premtoi bashkëpunim me Evropën.

Presidenti francez Macron, i cili ftoi në Paris për bisedime me Presidentin kinez Xi Jinping kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker tha se është e nevojshme të ketë një marrëveshje tregtare më të drejtë, të balancuar dhe shumëpalëshe me Kinën. Zoti Xi tha se “Bashkëpunimi është më i madh se konkurrenca. Ne jemi duke punuar krah për krah dhe po ndihmojmë njëri tjetirn dhe nuk duhet ta shohim njëri tjetirn me dyshim.” Kancelarja gjermane Merkel tha se Europa kërkon të luajë një rol aktiv në nismën kineze “një brez një rrugë”, një projekt i rëndësishëm infrastrukture, duke shtuar se ajo duhet të sjellë më tepër reciprocitet në tregti.