Ballina Bota Britania kërkon shtyrjen me tre muaj të afatit për shkëputje nga BE

Britania kërkon shtyrjen me tre muaj të afatit për shkëputje nga BE

Kryeministrja britanike Theresa May i kërkoi Bashkimit Evropian të mërkurën të shtyjë afatin e daljes së Britanisë me tre muaj, deri më 30 qershor.

Dalja e Britanisë nga BE-ja është parashikuar të ndodhë më 29 mars, por parlamenti nuk ka qenë në gjendje pas disa procesesh votimi të bjerë dakord mbi kushtet e largimit të vendit. Ligjvënësit kanë debatuar rreth hollësive të kalimit të përditshëm në kufirin mes Irlandës anëtare të BE-së dhe asaj pjese të Irlandës së Veriut që kontrollohet nga Londra, së bashku me çështje të tregtisë.

Çdo shtyrje e afatit për daljen nga BE-ja ka nevojë për miratimin e të gjitha vendeve anëtare, që pritet të zhvillojnë një takim të enjten në Bruksel. Bisedimet e Britanisë me BE-në kanë zgjatur më shumë se dy vjet.

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker tha të mërkurën se BE-ja nuk është e hapur për negociata të mëtejshme mbi daljen e Britanisë nga blloku dhe nuk ka gjasa të vendosë këtë javë nëse do t’i mundësojë Britanisë një shtyrje të afatit për daljen, e parashikuar të ndodhë më 29 mars.

Deri tani, Dhoma britanike e Komuneve ka hedhur poshtë me vendosmëri kushtet që negociatorët britanikë dhe ata të BE-së arritën pas dy vjet bisedimesh dhe ka sinjalizuar gjithashtu një kundërshtim për ta realizuar shkëputjen pa marrëveshje.

Zoti Juncker i tha radios gjermane Deutschlandfunk se zonja May duhet t’i tregojë BE-së më shumë qartësi rreth planeve të Britanisë në mënyrë që të fitojë një zgjatje të periudhës, e cila duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtarë të BE-së.

“Nuk do te ketë negociata të reja dhe asnjë garanci shtesë mbi ato që kemi dhënë,” tha ai.

Zonja May kërkoi një votim tjetër në parlament për kushtet e propozuara për t’u larguar nga BE-ja, por Kryetari i Dhomës së Komuneve John Bercow vendosi këtë javë se kryeministrja nuk mund të vazhdojë t’u kërkojë ligjvënësve të votojnë për një propozim të cilin ata e kanë refuzuar tashmë.