Hera e parë që vdes…
Vdekja paska ngjyrë gruri
Gjithmonë e kam dashur këtë ngjyrë
Dhe perdet bezhë, të mos e kuptoj muzgun
Ta zbus trishtimin e diellit që na le aq papritur
Duke u rrëzuar honeve të askundit
Në rrotullimin e kthimit…
Të gjithë rrotullohemi me shpresën e kthimit
Teksa përshkruaj, perëndimin ëndërroj
Të lind prapë nesër, më i ri, më i fortë
Peng iluzionesh të gjelbra
Dhe makthit të mirazhit ndjellës
Që gjuan me shuka drite marrëmëndëse
Të përthyera në silueta të dashura trupash
Të mbetura hije të shtrenjta të lojës së muzgut
Malli shlyhet në lotë të mjaltë shprese
Ku po shkoj vallë, duke mbartur dhimbjet e pafundme
Kujtimeve që s’kanë rradhë në sytë e mi
Ndërsa bie në logun e thellë të asgjësë?!…
Hera e parë që vdes…
Nëna akoma gjallë kujton se po luaj
Kur nënqesh ndërsa sytë e mi po fiken
Kam shtërnguar një copë zemër me dorë
Ta shpjegoj dramën e beftë me një akt të vetëm
Finalja e saj shkrep në lutjen e të dashurës sime
Varur si perlë e lagësht në cep të buzës
Dhe në buzagazin e prerë si copra akulli
Të fëmijëve që më përcjellin te porta
Feks një agim i artë papritur
Por dhëmb aq shumë sa shuan vetëdijen time…
Hera e parë që vdes…
Një top llastiku bie mbi xhamin e hapur
Gjethe pafund shoqërojnë rënien e tij
Dhe valë të buta të lumit stërpikin zgjimin
Fëminia shkon përmbi valë si top i shfryrë
Dhe unë, bri saj ta kap patjetër fitimtar
Me brohoritje ekstazie thyhet aparati
Që mat ritmin e shuar të zemrës që rinis
E kaploj të tërën me duar, kur arrij
Bregun e ëndërruar…
Hera e parë që vdes dhe kthehem prapë
Tek loja e pambaruar
Nuk kanë rëndësi portat dhe lojtarët
Por vazhdimi dhe qënia tek ajri
Që harlis perdet e mëndafshta të mëngjesit
Dhe puthjet e zjarrta i bën reale…
Jam kthyer përsëri, kjo zemër nuk është gur
Por lule e brishtë skaj pranvere
Ikur një dimri të mbprapshtë
Duke çarë koren e dheut
Për një stinë tjetër…
Çfarë ëndrre e çuditshme marsi
Nxitoj ta zë trenin e ditës…
MARS 2019