Ballina Bota Cikloni Isai godet pjesën juglindore të Afrikës, shkaktoi mbi 150 të vdekur

Cikloni Isai godet pjesën juglindore të Afrikës, shkaktoi mbi 150 të vdekur

Më tepër se 150 persona vdiqën dhe qindra të tjerë figurojnë të zhdukur që nga dita e djeshme, kur Cikloni Isai goditi pjesën juglindore të Afrikës.

Cikloni fillimisht goditi tokën ditën e enjte, pranë qytetit bregdetar Beira në Mozambik, me erëra që arritën shpejtësinë 200 kilometra në orë. Më pas stuhia lëvizi drejt perëndimit, në shtetet e Malawit dhe Zimbabwes.

Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se stuhia ka prekur më tepër se 1 milion e gjysëm banorë të Mozambikut, Malawit dhe Zimbabwes. Dhjetra mijëra njerëz në rajonet e varfëra, rurale, janë izoluar për shkak të dëmtimeve të infrastrukturës dhe kanë humbur komunikimin me telefon. Sipas vlerësimit të OKB-së 122 njerëz kanë humbur jetën në Mozambik dhe Malawi. Ndërsa zyrtarët në Zimbabwe thanë se atje kanë humbur jetën 65 vetë.

Presidentët e Mozambikut dhe Zimbabwes i ndërprenë udhëtimet jashtë vendit, për shkak të pasojave vdekjeprurëse të ciklonit.

Agjencitë e OKB-së dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar po ndihmojnë me përpjekjet e shpëtimit dhe po u dërgojnë banorëve me helikopter ushqime, ujë dhe ilaçe.