Ballina Diaspora Peticion i Diasporës Shqiptare në Amerikë: “Samiti i Dështuar” – Nga: Beqir...

Peticion i Diasporës Shqiptare në Amerikë: “Samiti i Dështuar” – Nga: Beqir SINA – Amerikë

BOSTON – Më shumë se 25 organizata dhe shoqata Shqiptare nga SHBA, që pretendojnë se përfaqësojnë edhe zërin e tyre në diasporë i kan drejtuar një Peticion të fort Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për Samitin e II- të, të Diasporës, që u mbajt fund-muajin e kaluar nw kryeqytetin shqiptar në Tiranë.

Në këtë Peticion ata thonë se ne dëshirojmë të bëjmë pesë rekomandime, ndërkohë, që mbetemi të gatshëm të diskutojmë çështje të tjera: “Pavarësisht nga përpjekjet tona për më shumë bashkëpunim as edhe një grup pune zyrtar i përbërë nga përfaqësues të diasporës nuk është angazhuar nga qeveria juaj në hartimin e Strategjisë Kombëtare Shqiptare të Diasporës dhe Planin e Veprimit të miratuar në vitin 2018”, kjo gjithashtu nuk ndodhi gjatë të dy samiteve, shkruajn në peticion 25 organizata dhe shoqata në SHBA, të cilat pohojnë se ndjehen të zhgënjyer që qeveria e Edi Rames, nuk është përpjekur më shumë për ta përfshirë diasporën

Në Peticionin e Diasporës në SHBA, po ashtu vihet në pah se gjatë 6 viteve të fundit, shumë pjesëtarë të diasporës shpresuan se ju(Kryeminirter Rama) dhe qeveria juaj do të hapnit një kapitull të ri në fuqizimin e marrëdhënieve me diasporën.: “Ju kishit një mundësi historike, për të angazhuar komunitetet shqiptare që jetojnë nëpër botë, por fatkeqësisht, dështuat si çdo qeveri shqiptare para jush”.

“Megjithatë, gjatë këtij procesi, qeveria juaj nuk e ka angazhuar seriozisht diasporën. Pavarësisht se situata është përmirësuar disi, duke marrë parasysh që tani kemi një Ministri të Diasporës, qeveria juaj nuk ka treguar “kulturë bashkëpunimi”, ndryshe nga dëshira e treguar nga ana jonë.” thuhet nw Peticionin e 25 organizatave nga disapora shqiptare nw SHBA.

Ky është Peticioni i Diasporës Shqiptare drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Z. Edi Rama

12 Mars 2019

Ky peticion u hartua nga 25 anëtarë të diasporës mbarëshqiptare, por SHQIPTARЁT KUDO QЁ NDODHEN janë të mirëpritur ta nënshkruajnë atë.

Nëse jeni udhëheqësi i një organizate shqiptare mund ta nënshkruani peticionin dy herë, një herë personalisht dhe një herë në emër të organizatës që përfaqësoni.

I nderuar zoti Kryeministër,

Si anëtarë të Komunitetit Global Shqiptar, po ju drejtohemi për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet me diasporën. Ky peticion synon të parashtrojë shqetësimet dhe rekomandimet tona lidhur me Samitin Shqiptar të Diasporës mbajtur nga data 28 shkurt deri më 2 mars 2019 në Tiranë, dhe me punën e qeverisë suaj në angazhimin e diasporës shqiptare.

Gjatë 6 viteve të fundit, shumë pjesëtarë të diasporës shpresuan se ju dhe qeveria juaj do të hapnit një kapitull të ri në fuqizimin e marrëdhënieve me diasporën. Ju kishit një mundësi historike për të angazhuar komunitetet shqiptare që jetojnë nëpër botë. Fatkeqësisht, dështuat si çdo qeveri shqiptare para jush.

Qeveria juaj ka ndërmarrë disa hapa pozitiv si:

Mbajtja e Samitit të Parë të Diasporës Shqiptare në nëntor 2016;

Krijimi i Ministrisë së Shtetit për Diasporën në shtator 2017; dhe

Zhvillimi i një kuadri ligjor dhe institucional për çështjet e diasporës në vitin 2018.

Megjithatë, gjatë këtij procesi, qeveria juaj nuk e ka angazhuar seriozisht diasporën. Pavarësisht se situata është përmirësuar disi, duke marrë parasysh që tani kemi një Ministri të Diasporës, qeveria juaj nuk ka treguar “kulturë bashkëpunimi”, ndryshe nga dëshira e treguar nga ana jonë.

Pavarësisht nga përpjekjet tona për më shumë bashkëpunim as edhe një grup pune zyrtar i përbërë nga përfaqësues të diasporës nuk është angazhuar nga qeveria juaj në hartimin e Strategjisë Kombëtare Shqiptare të Diasporës dhe Planin e Veprimit të miratuar në vitin 2018. Kjo gjithashtu nuk ndodhi gjatë të dy samiteve. Ndjehemi të zhgënjyer që qeveria juaj nuk është përpjekur më shumë për ta përfshirë diasporën.

Deklarata juaj në Samitin e Diasporës ku e cilësoni një pjesë të komunitetit tonë si “kazan” ishte ofenduese dhe e papranueshme. A mendoni se Bashkësia Shqiptare Globale është e paaftë të kontribuojë me ide pozitiv? A mendoni se diaspora duhet të jetë vetëm një audiencë dhe jo një pjesëmarrëse në vendimmarrje? Ndoshta ju nuk mendoni kështu, por veprimet apo mosveprimet tuaja flasin qartë. Ne mendojmë se diaspora ka shumë për të ofruar në këtë aspekt.

Samiti i Diasporës u duk qartë se ishte më tepër në funksion të qeverisë së Shqipërisë sesa të diasporës. Ishte një shfaqje pa shumë vlerë dhe mundësi e humbur për të vendosur bazat e një bashkëpunimë afatgjatë. Në vend që të investonit në marrëdhëniet me diasporën, ju shpenzuat pa karar në një aktivititet ku përfituesit kryesorë ishin ata që shitën shërbimet e tyre. Harxhimi i 600,000 dollarëve (67 milionë lekë) nga paratë e taksapaguesve për Samitin e Dytë të Diasporës ishte shokues, duke pasur parasysh faktin se buxheti vjetor për Agjencinë e Diasporës është më pak se gjysma e kësaj shume.

Për një vend të varfër si Shqipëria, shpenzimi i një shume të tillë në emër të diasporës është i papranueshëm — vecanërisht në një kohë kur ka plot çështje të tjera më të rëndësishme. Për më tepër, Samiti i Dytë kishte përmbajtje akoma më të dobët se Samiti i Parë, me vetëm dy orë për sesionet e panelit, pa aktivitete të rrjeteve të bashkëpunimit apo takime me anëtarët e komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile, dhe pa deklaratë zyrtare përmbyllëse për planet e mëtejshme.

Komuniteti Global Shqiptar mirëpret ditën kur qeveritë e Shqipërisë, Kosovës dhe shteteve të tjera ballkanike ta përfshijnë diasporën në procesin e vendimmarrjes. Ne duhet të punojmë së bashku si një ekip — kjo është e vetmja mënyrë për të arritur potencialin tonë.

Deri tani, qeveria juaj nuk ka treguar vullnetin e duhur për ta angazhuar seriozisht diasporën shqiptare. Megjithatë, mbetemi me shpresën që të jemi gabuar, dhe se ju do t’i adresoni pesë rekomandimet e parashtruara në këtë peticion gjatë muajve të ardhshëm.

Ne dëshirojmë të jemi një zë për ndryshime pozitiv dhe të punojmë me qeverinë tuaj dhe të tjerët si partnerë. Në të njëjtën kohë, ne nuk do të ruajmë heshtjen dhe të pranojmë politikat qeveritare për diasporën në Shqipëri, Kosovë apo vende te tjera pa patur një përfaqësim zyrtar dhe pa qenë pjesë e diskutimeve.

Ne e konsiderojmë këtë përpjekje si një përgjegjësi të përbashkët dhe jemi të përkushtuar në ndërtimin e një partneriti të fortë me qeverinë tuaj në të ardhmen. Diaspora shqiptare meriton më shumë në shekullin 21 dhe pret me padurim përgjigjen tuaj.