Ballina Aktualitet Dannielson në Tiranë: Ende s’ka lëvizje për dialog mazhorancë-opozitë

Dannielson në Tiranë: Ende s’ka lëvizje për dialog mazhorancë-opozitë

Christian Dannielson, Drejtor i Përgjithshëm për Politikat Europiane, Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, në Komisionin Europian vizitoi Tiranën pikërisht në ditët, kur Shqipëria ka mungesë të stabilitetit politik.

Situata aktuale në Shqipëri, e  karakterizuar nga seria e protestave të opozitës, herë  të dhunshme e herë paqësore, është përshkruar  nga Dannielson „ si një kurth, në të cilin ka rënë Shqipëria për shkak të mungesës së stabilitetit”. Në një konferencë për shtyp që ai dha në përfundim të vizitës  disa orëshe në Tiranë, Dannielson e  quajti këtë situatë: “një fatkeqësi për Shqipërinë” dhe bëri thirrje për ndryshimi e saj sa më parë. .

„Djegia „en block” e mandateve parlamentare minon rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.  Opozita duhet të jetë në Parlament. Bojkoti i Parlamentit nuk është në përputhje me  demokracinë. Parlamenti është motori i ҫdo demokracie të pjekur, është shtylla e shtetit. Bojkoti nuk është produktiv” tha Dannielson në konferencën e shtypit.

Nuk ka sinjale për fillimin e dialogut mes palëve

Dialogu mes palëve është instrumenti për të dalë nga ” kurthi” , instument i sugjeruar nga BE-ja  dhe SHBA-ja. Dannielson e ka parë arritjen e dialogut si një përjekje të nga dy palët, qeveri-opozitë. “Dialogu është përgjegjësi e shumicës parlamentare dhe opozitës.  Duhet një dialog konstruktiv. Por sot nuk ka ende sinjale për bisedime. Nuk dëgjova për  asnjë lëvizje që mund të ҫojë palët drejt dialogut”, theksoi Dannielson në Tiranë.

Basha: Vetëm dialog me qytetarët dhe brenda opozitës

Ajo që po ndodh në politikën e ditës në Tiranë, të konstatuar direkt nga Dannielson është gatishmëria për bisedime me opozitën e qeverisë, por ” pa negociuar mandatin që shumica e shqiptarëve i dha  PS në zgjedhjet parlamentare 2017, për qeverisjen e vendit deri në vitin 2021″. Shkurt, deri kur të vijnë zgjedhjet parlamentare të rradhës.  Opozita nuk e pranon këtë ofertë bisedimesh. Ajo kërkon largimin e Ramës, rrëzimin e qeverisë së tij – të stigmatizuar nga opozita si  e ardhur në pushet me vota të blera nga lidhjet e saj me krimin – dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare gjë që maxhoranca socialiste e quan „pushtet në tavolinë, që nuk mund  ta japë”.

Pas bisedimeve me Christian Dannielson, kryetari i PD, Lulzim Basha rikonfirmoi qëndrimin e opozitës, se  nuk pranon të dialogojë me qeverinë. Duke folur për këto bisedime ai deklaroi para mediave: “Kemi kërkuar jo thjesht të largohet Rama, por të shembert ky sistem, të mos kapen zgjedhjet dhe të mos përsëritet fenomeni Rama me një emër tjetër. Ne do të dialogojmë vetëm me qytetarët dhe brenda opozitës.”

Të drejtat e pronësisë, të pakicave dhe ulja e numrit të azilkërkuesve

Christian Dannielson vlerësoi reformat që ka bërë Shqipëria për të plotësuar kriteret e kërkuara nga BE-ja për të patur progres në procesin e pranimit. Ai vlerësoi në mënyrë të veçantë  reformën në drejtësi, vettingun e gjykatësve dhe prokurorë, ngritjen e Këshillit të  Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që i cilësoi si “gurë kilometrikë” në kryerjen e reformave.

Dannielson theksoi se Shqipëria duhet të vazhdojë prpjekjet në drejtime të tjera të rëndësishme si ” të drejtat e pakicave , e drejtae pronësisë dhe ulja e numrit të azilkërkuesve në vendet e BE-së”për të mundësuar hapjen e negociatave të pranimit në BE në qershor. / Ani Ruci / DW /