Ballina Shëndet Mosvaksinimi, sa i rrezikshëm është?

Mosvaksinimi, sa i rrezikshëm është?

Një adoleshent nga shteti Ohajo i cili sfidoi nënën e tij dhe u vaksinua ndaj disa sëmundjeve të rrezikshme, ishte dëshmitari kryesor gjatë një seance dëgjimore të Senatit të martën.

18 vjeçari Ethan Lindenberger bëri bujë në media vitin e kaluar kur postoi në rrjetet sociale mesazhe se sipas prindërve të tij, vaksinat janë “skemë e qeverisë” dhe kërkoi udhëzime se si të mbronte veten. Linderberger tha në seancë se kërkimet e tij e bindën se vaksinat janë të sigurta.

Ai tha se dashuria e nënës së tij, dhembshuria dhe kujdesi janë të dukshme por theksoi se shkolla e tij në Noruak të Ohajos (Norwalk, Ohio) e shihte atë si “kërcënim për shëndetin e të gjithëve” nga rreziku se ai mund të prekej nga ndonjë sëmundje ngjitëse që mund ta merrnin edhe të tjerët.

“U rrita me idenë e nënës times se vaksinat janë të rrezikshme. Ajo fliste hapur për këtë. I shprehte shqetësimet si në internet edhe personalisht dhe mendimet e saj hasën në kritika të ashpra. Gjatë rrjedhës së jetës sime u mboll fara e dyshimit dhe më lindën pikëpyetje si rezultat i reagimeve që merrte nëna. Por koha kalonte dhe kjo nuk po sillte rezultat.”

Linderberger tha se kërkimet e tij e bindën se vaksinat janë të sigurta. Pa miratimin e nënës, ai u vaksinua kundër fruthit, hepatitit, gripit, tetanozit e disa sëmundjeve të tjera.

Seanca dëgjimore në Senat për vaksinat u thirr pjesërisht për të diskutuar mbi përhapjen e fruthit në Shtetet e Bashkuara. Deri tani ka njoftime për 200 raste në 11 shtete ku më rëndë është prekur rajoni mes Oqeanit Paqësor dhe Vargmaleve Kaskejd.