1.
Nuk e kisha njohur më parë arsimtaren durrsake dhe poeten, Gladiola Busulla apo, siç njihet me emrin e artit, Gladiola Jorbus. Po, për këtë gjë, “kumbara” ynë u bë Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Boras të Suedisë, me faqen e Internetit dhe revistën e saj, “Dituria”, ku të dy publikojmë, herë pas here. Ato ka vite që i drejton miku i përbashkët, Sokol Demaku. Pra, aty kam lexuar shpesh herë ose rregullisht, poezitë e frymëzuara të saj. Kjo ishte dhe arsyeja, që shpreha dëshirën të njihesha më nga afër me jetën, krijimtarinë dhe veprimtarinë e Gladiolës.
E lindur dhe e shkolluar në këtë qytet të bukur bregdetar, shpejt u mbush me emocione e frymëzime të moshës, sidomos kur vazhdoi dhe mbaroi studimet e larta, për gjuhë e letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës.
Po ta lexoni jetëshkrimin e Gladiolës ose po ta hapni skedarin e Bibliotekës Kombëtare, në Tiranë, aty do të gjeni se është autore e vëllimeve poetike, “Dëshirë përsosmërie”(Tiranë, 2007) dhe “Inanna” (Medaur, 2011). Po kështu, ajo ka redaktuar disa vepra të autorit bashkëqytetar, Shpend Topallaj.
Ndërkaq, poezitë e Gladiolës mund t’i keni lexuar përherë në organe shtypi ose në faqe të ndryshme Interneti. Përkitazi, aty kanë dhënë mendimet e tyre mjaft lexues, duke u shprehur me dashamirësi për talentin dhe shpirtin e ndjeshëm poetik të Gladiolës.
2.
Për të krijuar një mendim rreth poezive të kësaj autoreje, më poshtë po ndalemi në disa prej tyre. E, cili është ai autor, që krijimet e tij poetike nuk ua ka kushtuar prindërve apo gjyshërve?! Ja, kështu dhe Gladiola derdh ndjenjat e veta poetike për babanë e saj:
Kur babai
kthehej në shtëpi,
i tëri ngazëllente.
Për mua ish’ munduar
që thesare të gjente;
me libra më mëkonte…
Ndërsa në një poezi tjetër shkruan për atë, plot mall të pashuar:
E lehtë nuk qenka,jo,
të ndahesh nga kjo botë!
Sytë e zemrës qajnë,
për fjalët që s’thanë dot!?…
Kështu dhe në poezinë kushtuar gjyshes, Gladiola shprehet me mallëngjim:
Moj gjyshja ime,
syvezulluesja!
Dashuri munguese,
pse s’je më ti?!
………
Gërshetëzat e mia
Sa ëmbël i thurje!
Si puthje mbi flokë,
më ngjanin ato….
Për vogëlushen e saj, e derdh tërë nektarin e shpirtit, në vargjet e poezisë “E vogla ime”:
Gugatje pëllumbeshe,
më ngjan fjala jote;
kur hapin hedh drejt meje,
lehtë, porsi një muzë…
Si të gjithë poetët, edhe Gladiola e gjen frymëzimin e saj në natyrën e bukur, që e rrethon, në ndjenjat e miqësisë e dashurisë etj. Prandaj dhe ka shkruar poezi të tilla, me titujt: “Puthjen time”, “Përralla e dashurisë”, “Atij”, “Eros”, “Mbrëmje pa dashuri”… Te poezia “Lumturi e përnjëmendtë” autorja sikur cicëron:
Një vullkan i pashuar.
përkëdheljet,
me kurora pishashs
shëmbëllejnë;
etjen shuajnë,
në kurmin tënd.
Këmbana, kumbon për një
Puthje, në muzgun-ëndërr…
Ç’lumturi e përnjëmendtë!
Ndërsa këtë pjesë po e mbylli me poezinë, nga e mora dhe titullin e këtij shkrimi modest, për poten Gladiola Busulla, “Valsi i pulëbardhave”:
Oqean’ i ndjenjës,
shterret dalëngadalë.
Dashuri zvarritëse,
përhumbet si vale,
një vals lamtumire…
Pulëbardhat vallëzojnë.
drithërimat, premtimet,
sa larg, fluturojnë!
Të arrira janë dhe poezitë e kësaj autoreje kushtuar qyteteve tona, me bukuritë dhe traditata e tyre mijëravjeçare, ato kushtuar kolegëve poetë etj. Së fundmi ka përuruar para lexuesve në Shkup (Maqedoni) dhe Goteborg (Suedi), librin eseistik, “Namatisje-Refleksione”, botuar në Boras-Suedi, në vitin 2018.
3.
Por Gladiola Busulla ka dhe një jetë të pasur profesionale, pra mësuese, publiciste, gazetare, aktiviste dhe drejtuese në qytetin e Durrësit. Gjatë asaj periudhe ka organizuar e ndihmuar në zhvillimin e mjaft veprimtarive social- politike, arsimore – edukative, kulturore, artistike e sportive. Për tërë veprimtaritë, që ka organizuar ose ka qenë pjesëmarrëse, ajo është nderuar e vlerësuar: në Durrës, Belgjikë, Suedi, Ulqin etj. Krijime të saj janë publikuar, për lexuesit, në gazeta e revista të ndryshme shqipe, që dalin në Shqipëri, Mal i Zi, Kosovë, Suedi, Zvicër, Boston etj.
…Në mbyllje, lexuesi ynë mund të pyesë: Po librin tjetër poetik, të radhës, kur do ta botojë kjo autore? Shpresojmë që ajo do ta realizojë, së shpejti, edhe këtë dëshirë të bukur, që ka vetë.
I urojmë nga zemra, mësueses e poetes durrsake: Shëndet e mbarësi, arritje në punë dhe krijimtari sa më të frytshme, gëzime e lumturi, për veten dhe familjen!
Tiranë, 2 mars 2019