Komiteti Olimpik i Kosovës ka ndarë çmimet për Laureatët e vitit 2018. Në ceremoninë e KOK-ut, u shpallën edhe sportisti e sportistja më e mirë për vitin që kemi lënë pas. Epiteti i sportistit më të mirë për vitin 2018 i takoi xhudisti Akil Gjakova. Akili pati paraqitje të mrekullueshme gjatë vitit 2018. Në Zagreb ai u bë xhudisti i parë mashkull nga Kosova që e fiton një Grand Prix, u bë kampion për U 23 në Hungari, dhe fitoi edhe medalje tjera. Kurse sportistja më e mirë për vitin 2018 nga KOK-u është vlerësuar xhudistja, Nora Gjakova. Nora pati një vit brilant, ku u shpall kampione e Evropës në kategorinë 57 kilogramë, teksa gjatë vitit 2018 fitoi edhe medalje të shumta – 5 të arta, dy të argjendta e një të bronztë. “Faleminderit të gjithëve për këtë çmim. Jam krenare për këtë çmim. Për gjitha rezultatet e mira meritat i ka trajneri, Driton Kuka.
Faleminderit kryetarit, familjes dhe të gjithëve që kanë punuar për këto suksese”, deklaroi ajo. Si Norën, ashtu edhe Akilin, KOK-u i shpërbleu edhe me nga 2 mijë euro. Xhudo në përgjithësi i ka sjellë Kosovës 36 medalje në vitin 2018 dhe natyrisht, se puna e palodhshme iu shpërblye edhe trajnerit, Driton Kuka, që u vlerësua nga KOK-u si trajneri më i mirë për vitin 2018. Trajneri kampion Olimpik ka shënuar het-trik në çmimin “Trajneri i Vitit”. Ai u shpall për herë të tretë trajneri ë i mirë i vitit. Kuka fitoi dhjetëra medalje ndërkombëtare me garuesit e tij, ndërsa më e madhja mbetet medalja e artë Olimpike e Nora Gjakovës. Çmimin Kukës, ia ndau kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, aktorja e mirënjohur Leze Qena dhe Shqipe Bajçinca Brestovci. Kombëtarja e Kosovës në futboll u vlerësua në ceremoninë e Kok-ut si Kombëtarja më e mirë për vitin 2018 dhe çmimin e pranoi trajneri zviceran i “Dardanëve”, Bernard Challandes.
“Është nder për mua që jam këtu”, u shpreh Challandes. “Ky ekip nuk e ka fituar këtë çmim vetëm për rezultatet, por për gjithçka tjetër që ka dhuruar”, shtoi ai. “Është për futboll të bukur, për fair-play. Skuadër shumë e disiplinuar e gjithçka tjetër”. “Faleminderit stafit, federatës, mbështetjen e të gjithëve, është shumë e rëndësishme mbështetja. Duhet të jemi krenar me sportin e Kosovës”.
Trajneri i Vitit: Driton Kuka
Sportisti i Vitit: Akil Gjakova
Sportistja e Vitit: Nora Gjakova