I nderuar Kryetar i Këshillit Bashkisë Tiranë zoti Dalipi,
Të nderuar, klientë, partnerë, staf,
Të nderuar pjesëmarrës,
Në kuadër të 20-vjetorit të SIGAL UNIQA Group Austria, inaugurojmë sot veprën, të cilën e kemi titulluar: “MIRËNJOHJE-FALENDERIME PËR TË GJITHË”.
Por pse ky motiv?
Sepse sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë të themi FALEMINDERIT;
Sepse sot ne kemi nevojë të jemi MIRËNJOHËS dhe të jemi gjithë jetën të tillë;
Sepse sot ne duhet të kthejmë kokën pas e të kujtojmë fillimet tona dhe këtë ta bëjmë gjithmonë;
Sepse sot ne duhet të jemi edhe më humanë se kurrë më parë; Sepse të tillë duhet të jemi çdo ditë;
Sepse ky qytet ka nevojë për mirënjohje ka nevojë për falënderime ka nevojë çdo ditë e në çdo pjesë të tij.
Mirëkuptimi, respekti, mirënjohja dhe vlersimi i bërë ndaj gjithkujt në këtë jetë, tingëllon më bindës kur ai shndërrohet njëkohësisht edhe në një detyrim moral, për të vijuar udhën e nisur.
Sepse nëse jemi mirënjohës, jemi më të njerëzishëm, jemi më të arsyeshëm, jemi më bashkëkohorë, jemi qytetarë europianë.
Sot ne SIGAL kemi nevojë të falënderojmë, të shprehim mirënjohjen të gjithë atyre që kanë qëndruar përkrah që nga fillimi i rrugëtimit tonë, në një det të trazuar, plot dallgë që ka kërkuar kapiten dhe ekuipazh të zot dhe deri sot, ku themi me krenari që jemi një kompani me standarte europiane sepse kemi ditur të shkojmë në destinacion.
Por mbi të gjitha sot ne jemi një kompani e madhe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, e cila i shërben me përkushtim klientëve, qytetarëve, komunitetit, u shërbejmë atyre me të cilët ne shkëmbehemi në rrugë, atyre që sapo dalim nga shtëpia dhe u themi mirëmëngjes, atyre me të cilët ndajmë qytetet, atyre me të cilët ndajmë vlerat dhe jetën tonë të përditshme.
Të jesh mirënjohës është një element njerëzor, një virtyt që padyshim shqiptarët e kanë patur gjithmonë dhe do e kenë edhe në të ardhmen.
Prandaj dhe këtë vepër e kemi titulluar MIRËNJOHJE.
Çdo ditë ne punojmë, rritemi, ecim përpara, rritet biznesi, zgjerohen partnerët, stafi, miqësia, familja, shoqëria, rritet dhe zhvillohet edhe qyteti ku jetojmë dhe vjen një moment kur duhet të ndalemi, të reflektojmë dhe të jemi mirënjohës për çdo gjë që kemi arritur deri më tani dhe tu themi FALEMINDERIT të gjithë atyre që na rrethojnë dhe që kanë kontribuar në zhvillimin tonë të përbashkët.
Mirënjohja dhe falënderimi duhet jo vetëm të thuhen me fjalë por edhe të shprehen me vepra. Dhe këtë ne nuk e bëjmë vetëm sot, por e kemi bërë që nga fillimi i aktivitetit tonë. Dhe nuk e kemi bërë vetëm me fjalë, por mbi të gjitha kemi folur me vepra, duke mbajtur fjalën e dhënë dhe besimin te çdo punonjës i SIGAL, tek çdo klient i ynë, duke mbajtur premtimin dhe duke u përpjekur çdo ditë për të bërë një shërbim më të mirë, më cilësor. Në 20 vite ne kemi paguar mbi 300 milionë euro dëme, duke qenë kontribues të heshtur por fjalë-mbajtës e për këtë jemi mirënjohës e u themi të gjithëve faleminderit.
SIGAL që nga krijimi i tij, që prej 1999, ka kontribuar në art, kulturë, trashëgimi kombëtare, në të gjitha disiplinat e sportit, në promovimin e Shqipërisë, në zhvillimin social dhe ekonomik jo vetëm të Tiranës, por pothuaj në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ne kemi realizuar vepra të cilat u shërbejnë qytetarëve, ne kemi ngritur peshë zemrat e mijëra qytetarëve shqiptarë në veprimtaritë e mbështetura nga ne, brenda e jashtë kontinentit sepse ne kemi qenë gjithmonë pranë të gjithëve nga pak, por gjithmonë mirënjohës ndaj secilit…
Sepse ne besojmë që një biznes të ketë sukses duhet që të kemi edhe një shoqëri të sukseshme, dhe një qytet të sukseshëm dhe një vend në progres ekonomik.
Ne, dhjetë vjet më parë u bëmë pjesë e Europës, pjesë e një kompanie Austriake dhe prej 10 vitesh ne punojmë me standarte Europiane.
Ne nisëm një rrugëtim me pak veta, por rreth nesh na u bashkuan shumë veta mbi 1500 punonjës e mbi 1 milion klientë. Prandaj dhe sot është momenti që të ndalemi, të kthejmë kokën pas dhe të kujtojmë të gjithë ata që ishin me ne që nga fillimi por edhe ata që na u bashkuan rrugës, sepse secili prej tyre ka dhënë një kontribut të veçantë dhe të paçmueshëm për SIGAL-in në radhë të parë por edhe për zhvillimin dhe progresin individual të tyrin por edhe dhe të të gjithë shoqërisë shqiptare.
Sot unë ju them me zemër FALEMINDERIT dhe MIRËNJOHJE të gjithë atyre që na besuan e do na besojnë, ata janë busulla jonë e orientimit.
Ndaj kjo vepër në qendër të Tiranës po ngrihet sot për të gjithë rrugëtimin 20-vjeçar e për qindra vite të tjera në rrugëtimin tonë të gjatë.
Sot u them FALEMINDERIT stafit të shkëlqyer të SIGAL që u shërben klientëve me përkushtim dhe profesionalizëm, bordit drejtues dhe bashkëpunëtorëve të cilët besuan tek ne 20 vjet më parë themelimin e kësaj kompanie, Fondit Amerikan që pati besimin e ju bashkua që nga viti 2003 kësaj kompanie, UNIQA Group Austria, kompania 120 vjeçare që është tashmë prezente në rrugëtimin e gjatë për të kapur destinacione të reja.
FALEMINDERIT dhe MIRËNJOHJE çdokujt që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi dhe pjesë e jetës tonë të përditshme!
Edhe njëherë Faleminderit dhe Mirënjohje të gjithëve!
Avni PONARI
CEO
SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA
SHQIPERI-KOSOVE-MAQEDONI