Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës se hapja e çështjes së kufijve dhe territoreve në Ballkan është agjendë e presidentit rus, Vladimir Putin.
Sipas tij, Kosovës i duhet një garanci e fortë ndërkombëtare për njohje të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë si dhe përjashtim i mundësisë së ndryshimit të kufijve në Ballkan.
“Hapja e çështjes së kufijve dhe territoreve në Ballkan është pikërisht ajo që ne e dimë që është agjendë e Vladimir Putinit, pra për të mbajtur Ballkanin hapur, sepse askush nuk garanton kur hapet një kufi çka ndodhë me të pastaj”, është shprehur ai.
Sa i përket taksës prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vënë në produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Haradinaj ka thënë se Kosovës i duhet një kontratë.
“E kemi thënë edhe ne disa herë që edhe ne shpresojmë sa më shpejt të vie dita kur do të anulohet taksa dhe hyn ne fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë mes Kosovës dhe Serbisë, por për këtë nevojitet kontrata, kontrata pra me të gjithë kapitujt e vet për njohjen reciproke. Një kontratë që nuk bazohet në ndryshim të kufijve dhe të territoreve edhe që nuk merr për bazë një Republikë Serbe apo një pushtet të tretë, Dodik Republikë, si jemi mësuar t’i themi”, ka deklaruar ai.
Bashkimi Evropian ka kundërshtuar vendosjen e kësaj mase në importet e Serbisë dhe Bosnjës, derisa Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mospezullimi i tarifës prej 100 për qind përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.
Së fundmi, si pasojë e mbajtjes së taksës, autoritetet amerikane kanë anuluar ftesat për 14 pjesëmarrës nga Kosova në tetë programe të Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë “George Marshall”.
Tarifa është bërë pengesë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ky proces nuk vazhdon pa heqjen e taksës në importet e Serbisë.
Tarifa prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina është vendosur në nëntor të vitit të kaluar.