Të shkruaj për Tropojën nuk di nga t’ia filloj e ku të mbaroj! Po, unë do të filloj nga Mic Sokoli, Binak Alia, Ali Ibra, Shaban Binaku, Bajram Curri e brezni burrash, për të vazhduar me traditën e kësaj strehe që ndër shekuj rriti e ruajti atë që duhej rritur e ruajtur deri në ditët e sotme, që ne tani e kemi për lavdi e krenari kombëtare.

Nuk do të hyj në kronologji, por nuk mund të qëndroj i heshtur pa theksuar një të vërtetë të kahershme që është përcjellë si histori në ndeja e kuvende burrash në Kosovë,  ku unë si fëmijë kam mësuar, pa ditur ende mirë shkrim-lexim. Tropoja, kjo zonë gjeografike që në popull njihet edhe si Malësia e Gjakovës e që deri dje me të padrejtë e patëm një ndarje të hekurt e tepër të dhimbshme, një ndarje vëlla e motre, një ndarje nëne nga bijtë e bijat e veta!

Të shkruash për Tropojën e mos të ndalosh në Bujan, te Kulla e Sali Manit i mbetem borxh Tropojës e historisë. Po, unë do të theksoj se pas një varg ngjarjesh politike e ushtarake, Konferenca e Bujanit erdhi si detyrim urgjent i përgjigjes! Pra, Konferenca e Bujanit mblodhi 49 delegatë të të gjitha viseve shqiptare që i përfaqësonin të gjitha shtresat shoqërore të Kosovës si imediat kohe për të kundërshtuar vendimet e Mbledhjes së ll-të të  AVNOJ-it, mbajtur në Jajcë nga data 29-30 nëntor 1943, në të cilën mbledhje ishte vendosur që Kosova të mos pranohet si subjekt i pavarur.

Konferenca e Bujanit doli me një dokument përfundimtar, me Rezolutë të miratuar në Konferencë, në të cilën thuhet: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit janë krahinë të banuara me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”. Formulimi i një qëndrimi të tillë, siç thoshte Hajdar Dushi, mbështetej në vetë deklaratat e PKJ-së dhe të KANÇ-it të Jugosllavisë, në të cilat njihej parimi i vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje, parim bazë ky i Kartës së Atlantikut, i shpallur solemnisht nga Aleatët e Koalicionit Antifashist. Më poshtë në rezolutë theksohej se lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjaksuer e rrogtarëve të tij, është e vetmja rrugë për me fitue lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi me vetëvendos mbi fatin e tyre, me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje.

Dhe pa hy ne detaje, çfarë ndodhi?

Pas çlirimit nga pushtuesit nazifashistë, njësitë partizane, serbe-malazeze, maqedonase, zbatuan shtypje-terror ndaj popullit shqiptar, ndaj fshatrave dhe qyteteve të Kosovës. Krimet më të mëdha ishin në zonat e Karadakut, Prishtinës, Ferizajt, Shkupit, por me shumë krime kishte në zonën e Drenicës, ku OZNA (Opshta Zashtita Naroda) në bashkëpunim me njësitet çetnike vranë e masakruan mbi 4.000 veta dhe dogjën shumë fshatra. Është e njohur Masakra e TIVARIT e vitit 1945 ! Pas përfundimit të Luftës, shqiptarëve nuk iu lejua bashkimi me Shqipërinë.  Kështu  duke anuluar Konferencën e Bujanit, Trojet Shqiptare u ndanë në 4 njësi: Maqedoni, Serbi, Mal të Zi. Kosova mbeti në kuadër të Serbisë, nuk iu lejua Bashkimi në Konferencën e Prizrenit më 8-10 korrik 1945, në të cilën morën pjesë 142 delegatë. Ata të cilët e kundërshtuan pushtetin jugosllav u likuiduan. Kështu, shqiptarët mbetën të ndarë për 54 vjet, deri më vitin 1998-99, kur popullit shqiptar iu imponua lufta e udhëhequr nga djemë dhe vajza të UÇK-së, dalë nga gjiri i popullit!

Gjatë viteve 1939–1945, periudhë gjatë së cilës u zhvillua Lufta e Dytë Botërore, Tropoja ishte e rradhitur në Bllokun e Bashkimit Antifashist, ashtu si e gjithë Shqipëria.

Një ngjarje me shumë rëndësi është edhe Kuvendi i Malësisë së Gjakovës, i cili u mbajt më 28 gusht 1943 në afërsi të Urës së Kolgecajve, në breg të lumit Valbonë e në të cilin u lidh besa ndërmjet të gjithë delegatëve në Kuvend për luftë të përbashkët pa asnjë kompromis kundër pushtuesve fashistë.

Tropoja u çlirua nga pushtuesit më 16 tetor 1944. Tani fillon një periudhë e re, u shtua izolimin e dy pjesëve të ndara të Malësisë së Gjakovës, kjo edhe për faktin se Kosova mbeti nën shtypjen serbe për dhjetëra vite me radhë. Pas luftës në Kosovë të viteve 1998 – 1999, e gjithë Shqipëria dhe veçanërisht Tropoja u bë strehë mikpritëse e mijëra të shpërngulurve nga Kosova, për shkak të gjenocidit serb.

Kur jam këtu nuk mund të anashkaloj faktin se në Luftën e Kosovës, sipas kolonel Dilaver Gaxhajt, zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në listat zyrtare figurojnë 129 luftëtarë dëshmorë nga Shqipëria, si pjesëtarë vullnetarë të UÇK-së, duke filluar nga Tahir Mal Sinani e deri në numrin e 39-të ku përfundon numri i dëshmorëve nga Tropoja. Ky numër mund të variojë, po unë deri te ky numër kam përcjellë listat e konfirmuara dhe me këtë rast për të gjithë të rënët po them: LAVDI!

Pa hyrë në bukuritë e Tropojës, Alpeve Veriore Shqiptare dhe Valbonës me ujë kristal, falënderoj  studiuesin, bashkëpunëtorin e palodhur të shkencës e të kulturës, krahun e djathtë të Gazetës së Alpeve  “Tropoja”, mikun Ramiz Lushaj! Falenderoj Portalin Kombëtar Limit.al dhe Tropojen Poetike, ku në gjirin e tyre mbajnë dhe bashkëhapërojnë shumë krijues! Suksese!

 

SAKRIFICË

Njëqind vjet na e vranë qiellin e diellin vëlla.

Sa rrasa kemi mbjellë në këtë tokë e sa gurë.

Arkiv e bëmë gjirin e nënëlokes – Tokë,

Të freskët ruajtëm gjakun në flamur.

 

Asht e rrashtë i bartëm në shekuj.

Sakrificë emrin ia vumë Lirisë.

Buzëplasur i thurnim lavde Himnit…

Eshtrat i armuam në themelet e lavdisë.

 

(Poezi nga vëllimi poetik “Shpresë e përlotur” i Hysen Grajçevcit)

 

______

Poeti e publiçisti Hysen Grajçevci u lind më 16 prill 1953 në fshatin Hade, komuna e Kastriotit (ish Obiliqi). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen-Gjimnazin “Ivo Llolla Ribar” (tani “Sami Frashëri”) në Prishtinë, fakultetin e filologjisë – dega letërsi dhe gjuhë shqipe, në Prishtinë. Prej nga mosha rinore është marrë me shkrime tuj botue në shtypin e atëhershëm: “Zëri i Rinisë”, Bota e Re”, “Fjala”. etj.  Vëllimi poetik “Shpresë e Përlotur” është i pari libër i tij (2016) dhe po e përgadit librin e dytë.Tani bashkëpunon me revistash, gazeta e portale nga trevat shqipfolëse, ndër to, edhe me Portalin Kombëtar Limit.Al dhe Gazetën e Alpeve“Tropoja”. Jeton, punon dhe vepron në Fushë-Kosovë dhe Prishtinë.