Pas Berlinit dhe Hamburgut një delegacion i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, përfaqësues të rrjeteve nga Londra, Franca, Gjermania, SHBA dhe Kanada, janë ndalur në Bernë për t’u takuar me Rrjetin e Biznesit në Zvicër.
Delegacioni, të cilit i printe Presidenti i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Nazar Mehmeti, është pritur nga Kryetari i Nderit të Rrjetit të Zvicrës, afaristi Fehmi Fetahu dhe kryetari aktual, Qamil Isufi me bashkëpuntorë.
Fetahu është shprehur i kënaqur që po pret në Zvicër kryetarin e Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare në Botë, pikërisht në vendin ku për herë të parë filloi gjithçka në rrjetëzimin e bizneseve shqiptare për të vazhduar edhe ne vendet tjera ku ka Diasporë Shqiptare.
-“Jam kënaqur që Rrjeti Global i Diasporës është duke funksionuar dhe po ecë përpara me gjithë disa mosmarrëveshjeve me disa rrjete nëpër botë. Ne duhet të tregojmë që jemi të hapur dhe jemi një adresë. Ejani në shtëpinë tuaj.”, tha Fetahu.
Edhe kryetari i Rrjetit të Zvicrës, Qamil Isufi, ka thënë se e mbështesin Rrjetin Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Botë, me kryetarin Nazar Mehmedi, duke shpresuar në iniciativat për bashkëpunim me rrjetet e tjera nëpër botë.
- Nazar Mehmdedi, Kryetar i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare në Botë, në funksion të bashkëpunimit dhe të bashkimit do të organizojnë një takim në fund të muajit prill 2019 në Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
- Mehmedi, i cili udhëheq Rrjetin Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare për katër vite ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në Samitin e Dytë të Diasporës, që do të mbahet në fund të muajit shkurt 2019 në Tiranë.
-“Zhvillimet e fundit politike na kanë detyruar të mos marrim pjesë këtë herë në Samitin e Diasporës. Nuk është tani koha për një samit të këtillë në Tiranë.”, tha afaristi shqiptar nga Amerika, Nazar Mehmedi. Gjithashtu, z. Mehmedi, bëri të ditur nga ana tjetër se bizneset nga Gjermania do t’i kenë të hapur dyert sa herë që dëshirojnë t’i kthehen Rrjetit Global, ndërsa tani e tutje do të përfaqësohen nga z. Mustafë Abazi.
(albinfo.ch & RrBDSHB)