Ballina Kulturë Cikël me poezi nga Hysen Grajçevci

Cikël me poezi nga Hysen Grajçevci

 

NË KËRKIM!

Unë këtu,

mbase dhe këtu do të jam

deri në vdekje!

Ajkunë, zbrit nga legjendat,

ta vajtojmë së bashku

Aga Omerin!

Kërkova një varr,

gjeta një hartë të copëtuar,

në këtë nënqiell si plis pellazgu,

mbushur gurë dhimbjesh,

shkapërderdhur pjesëve të atdheut!

I thirra zgjimit!

Takova dhimbjen e shamizezave,

kujtimet lënë muranave!

Përditë ndiej gjëmën

e vajin e shamibardhave!

 

KU I DIHET

U zura me kujtimet

e te djeshmes

Me të hidhurat të ëmblat

Të njemletat të thartat

Të zezat e të bardhat

Të gjitha i bëra lëmsh

Si në kutin e Pandorës

Një hingëllimë  kali

Më tremb mendimin

e të sotmës

Uroj të mos jetë i Trojës

Ku i dihet

Nata mbart misterin

 

VARGU YT…!

(in memoriam…)

Fishkëllimën e motit shpesh e dëgjoj,

po gjëmimi i vargut tënd BACË, shurdhët m’ka lënë!

Ditën, themeleve të kullave

dëgjoj ninullat e nënave,

edhe vajin e fëmijëve,

natën, zërin e bab’lokut n’lahutë,

duke i numëruar trimëritë e Oso Kukës e të  Ahmet Delisë.

Prapë në themele të kullave   mbjellim e ruajmë legjendat e Mujit e të Gjergj  Elez Alisë!

 

PROLOG

Ty udhëtar shtigjesh,

Nëse të pyes,

në ç’anë lind

e në ç’anë

perëndon dielli,

mos më paragjyko !?

Nuk jam fis nomad!

Kam Dhe e Atdhe.

Jam Rrap i shekujve

ecur mijëvjeçarëve

kalvareve nëpër PROCESE.

Po tani, nga ky

mendim për dreq !?

Kafka është gjallë !?

Apo, mos ende nuk ka vdekur!?

Nuk jam çmendur, njerëz !

Atdheun e dua dhe pikë.

Edhe pse për çdo ditë,

sikur bindem se jetoj

në një spital psikiatrik !?

Të them tragjedi,

ndoshta është pak e pështirë,

po si ta emëroj ndryshe, si,,,

ju lutem më thoni ?

Kur të djeshmen VRER

E bartëm në të sotmen GRI !

Gjatë, shumë gjatë kemi ecur

plagën në zemër e lotin në sy,

shpresën barrë mbi supe viteve duke e bartur,

nga një shekull në

shekullin e Ri.

 

 KAM MALL…!

Sa kam mall Lahutën e Fishtës,

zërin t’ia dëgjoj, nga majë e Veleçikut,

jehonën e fyellit të Martin Camajt,

blegërimën… lisat e gjatë,  xhuranë e Naimit.

Kam shumë mall, për

Zanën e Sopotit,

melodinë e ëmbël të Laver Bariut.

Shqipëri, nga jugu në veri,

Je një e pa ndarë dhe nuk bëhesh dy.

 

PËR TY ÇAMËRI..!

Frymoj thellë, tepër thellë

aq sa horizontin dua ta fus ne gji!

Këto male, ky det, këto valë,

sikur më flasin për Ty.

Tretur mendimin në kohë,

e kohën të përqafuar e mbaj

e përflakura Çamëri,

dhimbja dhe plaga jonë e gjallë.

Vij nga veriu, ku majat plisbardha prekin qiellin,

jam këtu;

ta takoj Negovanin,

Hoxhë, Hasan Tahsinin.

Me vete mbart fjalën amanet

nga Hasan Prishtina,

një lul’kuqe Kosove dhuratë

nga Shota e nga Tringa!