Ballina Kulturë LIRIZMI DHE PRIRJET KRYENGRITËSE NË ARTIN E HAVZI NELËS – Nga Sulejman...

LIRIZMI DHE PRIRJET KRYENGRITËSE NË ARTIN E HAVZI NELËS – Nga Sulejman DIDA

Në promovimin e librit “Si shpend i ngujuem” të Havzi Nelës i përgatitur nga Petrit Palushi tërhoqi më shumë diskutim jo libri në fjalë, por autori. Secili e çon fjalën te Havziu si martir, dëshmor i fjalës së lirë dhe te idetë që u bënë shkak për burgimin e gjatë e deri te çasti kur e varën në litar në gusht të vitit 1988. Në të vërtetë kjo gja, që të mos folet për librin por vetëm për autorin, ndodh shumë rrallë, mos me thanë, vetëm në rastin e Havzi Nelës. Jo për shkakun e poezisë si e tillë, por për shkak se jeta e tij përban nji protestë me të cilën njerëzit sot identifikojnë shpirtin e tyne aktual dhe revoltën, pa mundë me e formulue si veprim rebelues.

Ky libër asht, pak a shumë, një ribotimi i tretë apo i katërt i librit “Pa një ditë lumnie” të vitit 1996, përgatitur po nga zoti Palushi, e, edhe atëherë, edhe më pas të gjithë vëmendjen e ka marrë autori e jo vepra, trashëgimia që la pas, ndonëse nuk kanë munguar shkrimet me vlerësime për poezinë, të cilat do ti përmend në fund. E pra nuk është poet krejt i zakonshëm e as nga ata që fabrikon media dhe koniukturat, por një poet rrebel i cili nuk qëndron më poshtë se hungarezi Atila Jozhef, apo poetët e luftës si polaku Holender, bullgari Spasov apo poeti tartar Xhalil me të cilët i bashkon filli i revoltës dhe vetëdija në udhën drejt sakrificës sublime. Nga ana tjetër ai u ba i pavdekshëm jo aq me veprat, se sa me fundin e vet tragjik, mbas të cilit, do të nis rilindja e bujshme e tij si figurë simbolizuese e nji brezi të shtypun.

Në historinë evropiane është e njohur dukuria e “ringjalljes”. Sa ma tragjike vdekja e heroit, aq më e bujshme rilindja e tij me ndryshimin e erës politike, një proces simbolizimi gati në shenjtërim, (e këtu është rasti më nënvizue faktin që e gjitha kjo ringritje e Nelës është në sajë të punës së gjatë e të përkushtueme të zotit Palushi). Ndërkohë ne ende nuk kemi në dorë gjithçka që ka shkrue Nela në burg apo në internim. Ai vetë ka njoftue diku në nji fletore se, nji roman me titullin “Jetë e zezë” ka humbë, dhe shumë vjersha po ashtu kanë humbë. Ndoshta mund të dalin në dritë letrat që ai ia ka drejtonte në at’kohë grues së vet, Lavdijes.

Havzi Nela, siç del nga ajo që na ka lanë të shkrueme, në rastin konkret të poezive, kishte një formim romantik, kryesisht të karakterit patriotik dhe e ka kërkue rimën në poezi, ka qenë i prirun për të deri në folklorizëm. Jo vetëm pse rima asht sekreti i artit poetik apo “gozhda e artë”, siç ka pasë thanë nji poet francez i shekullit XIX (Banvil), por edhe për faktin se, në kushtet e ndalimit për me shkrue mendimet e lira, ka qenë mënyra më efektive për me e mbajt mend. Vetë Havziu thotë diku në fletoret e veta se, shumë prej poezive i krijoi në mendje, pa pasë laps e letër e i mbajti mend duke i përsëritë përditë. E asnjiherë nuk pati rast me i lëmue vargjet apo me eksperimentue me to. Bashkëvuejtësi i tij, poeti Visar Zhiti, sjell këtë episod domethënës nga burgu i Vlonës: ‘… mes llahtarit ndodhte të shkruanim ndonjë gjë fshehurazi, eh, s’ka as kohë e as mundësi ti limosh vargjet, (lima do të duhej për të prerë hekurat), mjafton dëshmia e tyre. Le ti zbukurojnë vargjet edhe për ne poetët jashtë burgut, se ne jemi dënuar edhe për ta” tha Havziu. (Fjala në litar-shkrime për H.Nelën, T.2005, f.185-186).

Le të vështrojmë poezitë e librit “Si shpend i ngujuem”.

Poezia “Në qelit’e burgut” përban ndoshta kunorën e vjershave në Nelës bashkë me do të tjera si ajo që i kushtohet nanës, vjershat e Arrnit etj. Përbahet nga 7 strofa ku gjashtë të parat janë strukturue mjeshtërisht dhe ku vargu ‘unë, shpend i ngujuem pres të hapet dera’ shënon, sipas meje, edhe fundin e vjershës. Për ilustrim duhet me shkrue ndoshta krejt të gjashtë strofat, por po nënvizoj vargjet e fuqishme si ‘unshëm ulem ha, po ma unshëm çohem’, apo ‘mishnat po shkallmohen, kockat po kërkcasin’ etj. dhe strofa e fundit: “Sa n’nji krah në tjetrin, ikë nata, kalon,/ mpi e fort ligshtue, polici më zgjon./ Lind nji ditë e re krejt si ditët tjera,/ unë, shpend i ngujuem pres të hapet dera’. Si mund të shprehej ma qartë Pritja brenda asaj gjame të madhe, si asnji pritje tjetër në botë, shpresa se dokurdo ka me e prekë lirinë? Nji përshkrim shumë intensiv, plot dhimbje me krahasimet e metaforat e gjetuna që e bëjnë të denjë për çdo antologji evropiane të lirisë. Havzi Nela ka qenë nji prej kundërshtuesve të regjimit, apo nëse ju pëlqen ta quani disident, nji prej disidentëve të rrallë që mbaheshin në burg. Në kampet famkeqe shqiptare ka pasë plot personalitete të tjerë të biznesit, diplomacisë, ekonomisë e të kulturës, ka pasë katolikë të mëdhenj dhe politikanë. Nji pjesë e politikanëve u burgosën për ti eleminuar si konkurrentë dhe pati nga ata që kanë vdekur me emrin e diktatorit në gojë, të tjerë u shuejtën të dëshpëruar e të tjerë … Eu, asht sipërmarrje e pamundshme me u marrë me gjana sublime si ajo e martirëve të burgut shqiptar. Një nënvizim i Visar Zhitit sjell ndoshta kumtin e duhur për këtë: “Siç thonë në Orosh malsorët për burgun tonë: atje në Spaç asht oda e burrave të Shqipërisë!”. (Fjala në litar-shkrime për H.Nelën, T.2005, f.187). Por due me shënue se Nela, siç duket, përveç vizionit të qartë politik, ndonëse në fashë të caktueme, apo thjesht në plan të madh, ka pasë edhe për vetveten një vetëdije se do të vlerësohet nga brezat. Kur kjo vetëdije apo vetvlerësim ka ra në zbehje, në çastet kur qenia ban përpjekje thjesht me mbetë gjallë, çka për të qe e pamundëshme, ai gjen rast me na e kujtue se do ta meritojë repektin e kalimtarit. Dhe ideja e vlerësimit mbas vdekjes asht mikluese, sigurisht. Ai e ka pasë, pra, këtë bindje, përndryshme nuk do të na e kujtonte me insistim te vjersha “Kur të vdes”, në krejt strofat, por sidomos në atë të parafunit: “Kur të vijë, të çelë pranvera,/ kur bilbili nis me këndue,/ mbi vorr tim me gur’e ferra/ nji tufë lule me ma lshue”. Ai gjithë jetën e vet të zezë jetoi së bashku me vdekjen, saqë, kur ai e përmend, nuk duhet marrë thjesht si metaforë, sepse qysh në gjallje u përbuz, e, ndoshta e ndjente se edhe trupin mbas vdekjes do tja degdisin mes ferrash, siç edhe ndodhi që e ‘varrosën’ në gropën një shtylle elektrike duke e rrasë me kambë që ta mbulonte dheu. Por ai e ndjen edhe kompensimin, gjithsesi. Nji ide të ngjashme se nji ditë do të vlerësohet, ai jep edhe në vjershën me titull “Guri i Gjardanikut” duke i kujtue lexuesit-kalimtarëve se kur të pushojnë te guri i varrit të tij, duhet ta thonë nji fjalë për të. ka nji parandjenjë, ndoshta profetike dhe fatale njikohësisht, se ai varrin do ta kishte në një udhkryq, në udhkryq gjeografik por edhe në udhëkryq të historisë.

Vjersha tjetër e nji niveli të arrirë dhe që e pasunon poezinë shqipe, ajo me titullin “Po, oj nanë, po”, asht e ngjashme për nga forma dhe shqetësimi a brenga me vjershën e Eseninit për nanën. Por piknisjet janë të ndryshme. Dashunia për nanën dhe maraku i saj për birin e vet mbeten të njëjtë, ndryshojnë vetëm rrethanat. Esenini reflekton për mugesat dhe kthimet natën vonë nga pijetoret, për çka nana, sigurisht bahet marak, e siç thotë ai, përfytyron sikur thikën mbas shpine dikush po ia ngul. Por poeti Nela ka situatë krejt tjetër. Tjetër piknisje ka dhimbja e tij, asht dhimbje tragjike ajo. Asht nji britmë që udhëton gjatë, nji britmë ragjike: nji djal çohet në burg e më pas drejt ekzekutimit në litar vetëm pse asht liridashës. Atë e kanë arrestue me përdhunë duke e ndry në birucë si të ishte një kriminel. “Ti mos u druej, oj nana ime,/ sido të bahet jam pa faj,/ qëndro malsore, mbahu trime,/ mos e mbyll jetën me vaj!’. Dhe ma tej, “Djali yt s’ka me t’turpnue/ gjinin tand s’do ta tradhtojë,/ shqiptar i ndershëm ka me qëndrue/ po prehnin tand do ta kërkojë”.

Në vjershën tjetër “Ma mirë le ti mbylli sytë” gjejmë një figurë intensive të dëshpërimit drejt dëshirës për metamorfozë. “Ma mirë plis, lëndinë a fushë,/ ma mirë bar, kullotë bagëtie,/ ma mirë mos me m’njohë kërkush/ kur zuzarin kam mbi krye”. Këtu shprehet metamorfoza e shpirtit e diktueme prej rrethanash ekstreme të torturimit. Ideja e metamorfozës ka ndodhë te shumë poetë, ndoshta te të gjithë. Do të bahem fije bari në bjeshkë, thotë një poet i njohur, do të bahem erë, një gur në kufijt e atdheut, thotë një tjetër e kështu me rradhë deri te dëshhira me u ba shpend për hava, siç thotë një varg folklorik. Të gjithë i ka brejtë malli, derti, dashunia. Te Havziu kemi qasje krejt tjetër, ai do që të shndrrohet në gjithçka jo nga malli, por nga zemërimi. Asht nji rrebelim suprem jo i shpeshtë në letërsinë e kultivueme. Tue komentue këtë vjershë, Ahmet Selmani ka shkrue se Havzi Nela, ‘duke mos pranuar të gjunjëzohet, pa mëdyshje përcaktohet për rrugën e flijimit”. (Fjala në litar-shkrime për H.Nelën, T.2005, f.23).

Ngjitun me këtë ai ka poezinë tjetër me titull “Biruca”. E strukturueme mjeshtërisht, e përshkruen birucën apo qelinë, të ngjashme me nji vorr si kubaturë. Dhe ku, çuditërisht, ashtu si Cerberi i mitologjisë pellazge, i përfytyruem si një qen me tri kokë, ruente portën e Hadit të nëndheshëm (botën e të vdekurve), ashtu struktura vrastare trefishe, polici-ushtari-sigurimi civil, e ruenin të burgosunin. “Nën tavan tri metër nalt,/ nji dritare sa nji sy”. Krahasimi i fundit asht një stilemë që jep asociacion trishtues, syni vigjilent i varasësve të lirisë. Duke ecë ma tej në këtë vjershë nënvizojmë vargjet: “Ah, birucë, birucë e shkretë!/ sa njeriun këtu e shtrove/ i ke kalbë me muej e me vjet/ këtu, sa burrat, ku i çove”? Te kjo vjershë Nela tregon jo vetëm revoltën, çka asht karakteristike e tij, por edhe një dobësi që gjendet jo rrallë në përmbajtjen e trashëgimisë së të mbijetuarve, me “Ah, birucë, birucë e shkretë”. Mbiemni ‘e shkretë’ këtu asht përdorë si nji stilemë me kumt të veçantë, aty tregohet nji mardhanie e zbutun e njeriut të burgosun me atë katror betoni që quhet birucë. Ai përdor personifikimin si mjet stilistikor për me tregue se ajo asht nji mjet, nji vazhdimësi e forcave të verbëta që nuk kanë ndërgjegje, shpirt josejo, por thjesht japin vuejtje.

Mjeti i vetëm i mbijetesës për Havziun në burg ka qenë muza poetike që asnjiherë nuk e tradhëtoi. Poezia ia ka besue jo vetëm dashuninë, si motiv sublim, por edhe pikpamjet e veta politike, që në të vërtetë përbanin rrezik të pashmangshëm nëse shfaqeshin në publik. Te vjersha “Fjala e poetit” ai shfaq një besim gati mitologjik te misioni i poezisë. Për një shpirt rrebel siç ka qenë Havzi Nela, marrja me poezi i ka shërbye edhe si nji terapi. Nëse nuk merresh me art dhe poezi, atëherë si ia dilni e nuk çmendeni, lexova diku një qëndrim të një pene të shquar. Nela beson jo thjesht në misionin e poezisë si nji mesazh hyjnor që ‘e trazon’ edhe detin, por ai asht ndërgjegjshëm edhe për afrimin e ‘stuhisë’. Sipas tij, ndryshimi nuk asht larg. “E qielli mbushë me re, vetin e bubullin,/ thellë deri në palcë të gjithë e ndjejnë stuhinë”. Pikpamjet politike ai i shpreh çuditshëm edhe në poezinë me titull “Shekulli njëzet”. “Unë tjetër jam e tjetër mendoj/ mendoj vetëm për në Shqipni,/ jam shqiptar e vendin s’e mohoj,/ populli im shumë gjana nuk i di”. Ndërsa në nji strofë tjetër, si një vizionar ai flet edhe për Marksin apo marksizmin dhe jetën paradoksale në vend ku shtypja nuk njeh kufi. Në këtë vjershë ai pohon lidhjen e fortë me vendin e vet, lidhje që nuk gjendet te politikanët e epokës tonë, madje edhe njerëzit e thjeshtë nuk krenohen si dikurë me të qenit shqiptar.

E pra, Nela pohon dashuninë sublime për vendin e vet, edhe në ato kushte të persekutimit çnjerzor. Por ai pohon gjithashtu edhe faljen për të, për popullin. A ishin njerëzit e këtij populli që e persekutuen, që ia çitën litarin në fyt? Po, por ai pak ma herët se të jepte frymën në trekmbësh, la këtë vjershë ku tregon pafajsinë e turmës pasi ‘populli shumë gjana nuk i di’. Pa u ndalue në vlerat estetike, nuk ban pa e përmendë temën e Helsinkit, që Havziu e ban gati si lajtmotiv. Te “Konferenca e Helsinkit” ai lakmon erën perëndimore që ban hapa integrues duke sfumue kufijt mes shteteve që deri dje kanë qenë në armiqsi, por Nela asht i ndërgjegjshëm se arritjet e veta perëndimi i ka shënue mbas shumë sakrificash. Kështu ai deshi edhe për vendin e vet: “Mos t’lëngojmë ma n’plagë të vjetra/ se pa dashtë të hapet tjetra;/ plagë mbas plage s’shërohemi kurrë/ shtohet inati e bahet gur”. Në këtë vjershë të gjatë Nela tregon se asht mjaft i informuem edhe mbi zhvillimin teknik e ushtarak të perëndimit ku një konflikt i mundshëm mes shtetesh të zhvillueme do të shënonte fundit e paqes në planetin Tokë. “Të shembim muret e gardhiqet,/ t’hapim perdet, t’çelim shtigjet,/ të hyjmë e t’dalim si komshi/ për ditë të bardhë e për zi,/ si për dasëm e për mortë/ gjithsekujt ti shkojmë në portë.// T’çelim dyer e dritare/ mos të rrimë n’frëngji për marre…”. pra, mendonte për Shqipninë evropiane dhe për atë që sot thirret BE, pikërisht njeriu që vuente tmerrin e birucave të burgut, mungesën totale të lirisë. Asht e çuditshme. Ata që paguheshin për me pasë nji vizion ardhmënie, ata shprehnin, për turpin e tyne dhe fatkqsinë tonë, profilin ma të shëmtuem të dhunës kundër lirive të njeriut. Mendoni pak çfarë shansi do të kishte pasë vendi jonë nëse do të kishte pasë në vendimmarrje Havzi Nelën, martirin e ardhshëëm, sepse ai kishte që herët vizion evropian, ai duhej të drejtonte vendin e jo të kalbej burgjeve. Kështu pat thanë Neritan Ceka në nji rast solemniteti për Nelën.

Për nga strukturimi i rimës dhe figuracioni stilistik nuk mbetet prapa edhe vjersha elegjiake “Lamtumirë o Kukësi plak”. Aty Nela ka përdorë apostrofin si figurë, i ndikuar ndoshta nga Filip Shiroka por edhe nga të më vjetrit si Naim Frashëri, Bajroni etj. Ndërsa poesia “Shporru jetë, lëngatë keqe” është nga elegjitë më emocionuese të Nelës. Asht e shkrueme me 8 rrokësh të traditës por asht shumë intensive në përshkrimin e dështimeve, të shtypjes klasore dhe persekutimit. Në strofën e parafunit ai shënon pikën kulmore me formulimin e fuqishëm metaforik, ‘qysh në djep mu vu litari’. Vjersha “Luftë klasash, diktaturë”, në gjashtë strofat e fundit, pasi është vjershë mjaft e gjatë, përban elelgjinë e dhimbjes, madje është e rrallë për dhimbja që përcjell. Ka ndikim të dukshëm nga folklori por edhe nga poezia e traditës, kryesisht nga Noli etj. Te vjersha “E randë qenka shtypja, o shokë” Nela shpalos bindjen e tij se burgimi dhe persekutimi që i bahet, nuk asht çashtje ligjore, edhe ashtu siç ishin ligjet, por çashtje bandidtësh dhe forcash të verbëta. Shteti si nji ‘rrugaç’ gjymton kampionët e lirisë, poetët. “Porsi nji zog pa krah’e pa fletë/ që ndonji rrugaç ia këput e thye,/ që s’mundet ma me fluturue si do vetë/ po shkon tue u përplasë në kamb’ e n’krye”. Kjo stroftë shpalos thelbin e krejt poezisë së Nelës. Këto katër vargje janë një similitudë e ngjeshun që përshkruen shqiptarët që shkojnë tue përplasë kryet përtokë ashtu si zogu me krah të thyem prej dorës së një rrugaçi.

Nga vjershat cilësore të Nelës është edhe ajo me titull “Lamtumirë, Fush-Arrëz”, madje, e shkrueme nga njeriu që pësoi shtypjen ma të pashembullt, i privuem nga çdo apskekt i lirisë, ajo merr vlera përtej realitetit aktual. Nuk dihet me saktësi se çfarë mrekullie bënë fushë-arrasit, pasi poeti nuk ka lanë shënime sqaruese, ndoshta dikush i ka falë një buzqeshje miqsore ndërsa transportohej i lidhun me zingjirë, ndoshta dikush ka dashtë me i dhanë pak ujë, ndoshta nji cigare, asgja nuk dihet me saktësi. Ndoshta ndonji grue kalimtare ka ba ‘of, për të, ne vetëm mund të imagjinojmë, por ajo çka ka shkrue Nela për këtë komunitet asht nji ditiramb. Si ato ditirambet që i këndoheshin Dionisit në Pellazgjinë e lashtë, që siç thuhet, ishte nji lloj kange burrash në kor që shoqnohej me flaut. Në kuptimin e figurës stilistike kemi të bajmë më apostrofin, por vjersha ka edhe plot figura të tjera stilistikore që japin bukurinë shpirtnore dhe fizike të njerëzve, tiparet fisnike dhe optimizmin, anipse në nji kohë të errët. Asht nga vjershat ma të bukura me metrikë tradicionale ku, përmes fushë-arrasve i këndohet profilit shqipar. Ka të ngjarë që këtë vjershë ai ta ket këndue vetmevete në qelitë e errëta apo në thellësitë e galerive duke shpresue se nji ditë ka me e shoqnue me vegla muzikore pasi, Havziu mbahet mend edhe si rapsod në zonat e veta. Tue ecë ma tej me vjershat e Nelës cekim kalimthi vjershën “Kanarina vjen rreth kafazit” ku simbolikisht ai përshkruen vetveten dhe të dashtunën e vet. “N’afsh bilbili fort pikllohet,/ po tund krahët, don me dalë,/ po merr turr, n’tela rrëzohet,/ kanarina i rri përballë. Ndërsa nji vjershë tjetër që vjen e renditun menjiherë mbas kësaj titullohet “Gjulizës së re”. Duke anashkalue tri strofat e para, krejt pjesa tjetër përban nji elegji nga ma të bukurat e këtij lloji.
Nji nga motivet brengosëse të autorit Nela asht malli i vendlindjes. Atje ndodhen shenjat e fëminisë, atje ndodhet dikush që mund ti falë ngrohtësi, atje ndodhet gjithçka që personifikon atë që quhet atdhe, një motiv i mjaftueshëm për me i durue vuejtjet mizore. Në vjershën “I këndoj vendlindjes” ai na ka lënë të paktën 5 strofa të metrit popullor që formojnë gjithashtu nji nga elegjitë ma prekëse të shkruar në gjysmën e dytë të shekullit të shkuem. Nji elegji tronditëse e ndërtuar nëpërmjet paradoksit ku ndër të tjera jep situatën tragjike të grues dhe ku ka një shkallëzim të pikëllimtë të genocidit.

Ndonëse në shumicën e vjershave të veta shpreh pikpamje kristiane të faljes dhe paqes, ai në thelb mbetet një poet revolucionar. Në poemën “Fluturon shqiponjë e malit” ai bën thirrje për kryengritje kundër tiranit sepse krimi shtetëror ka marrë përmasa shumë të rrezikshme. Dhuna dhe krimi janë kthye në komunikimin e vetëm mes shqiptarësh dhe nga kjo situatë tragjike vetëm një kryengritje mund ta shpëtojë vendin, sipas Nelës. “Ku asht strukë, po fle trimnia?/ ku janë zanat e Shqipnisë?/ çfarë po pret, ku asht burrnia/ pse s’rrok armët e lirisë”? // “Pse kaq poshte ne jemi rrëzue/ kur tirani po ban hata”? Sepse, siç thotë ma tej, vendi asht shndrrue “në nji vorr me njerëz të gjallë”. Nji denoncim kaq të fortë e nuk e gjejmë, në poezinë tonë, të asaj kohe joqëjo, por as në atë të pas ’90-tës. Kjo asht poema e klithjes tragjike të Nelës për plojën që realizohej ndër shqiptarë, ku fituesit po i groposin edhe të gjallë njerëzit e mundur, aq sa vendi u shndrrue në “vorr me njerëz të gjallë”. Kjo asht alarmante. “Po luftojnë t’vdekun e t’gjallë,/ po luftojnë të gjallë me të vdekur/ nji palë me zemër, nji palë me hekur…”. Nji nga strofat me tragjizëm shumë të ngjeshun. Nëpërmjet dy figurave stilistike, polisidentit dhe anadiplozës, të shkrime mesveti, arrin me na dhanë panoramën rrënqethëse të sulmeve të makinerisë së shtypjes dhe revoltën e njerëzve të shtypun që hyjnë në betejë me mjetin limit të sublimitetit.

Mund të konsiderojmë se Havzi Nela me vjershat e veta elegante, plot mall lirie dhe revoltë kundër shtypjes, me pikpamjet e veta për shoqninë, shtetin dhe politikën, aq sa ishte e mundëshme me i shpreh në atë kohë, me jetën e vet prej martiri dhe me fundin tragjik, shikue në kompleks, përban nji figurë të madhe shqiptare.

Qysh prej botimit për s’pari të vjershave të Nelës, janë shkrue për të qindra faqe mes të cilave edhe mendime të qëndrueshme vlerësuese për poezinë e tij. Nga libri “Fjala në litar-shkrime për H. Nelën, T. 2005, të përgatitur nga Palushi, po nënvizoj disa cilësime për figurën e Nelës si dhe për krijimtarinë e tij.

Agim Morina e klasifikon atë si disident, pasi siç thotë, përndryshe, nëse mohojmë të ket pasë disidencë duhet të mohojmë edhe faktin se u banë krime. Ai vendosë dy skaje të disidencës shqiptare, Vinçens Prenushi në agim e Havzi Nela në muzgun Enverist, dhe e cilëson Nelën si vigan intelektual kombëtar.
Agim Spahiu, në nji shënim të vitit 1993 e cilëson si këngëtarin e lirisë ndërsa Ahmet Selmani si shembullin e idealit dhe flijimit njerzor.
Besim Muhadri e përcakton si poet kryengritës ndërsa Gjovalin Kola si poet origjinal dhe intelektual i përmasave jo të zakonëshme, duke sqarue në shkrimin e vet edhe faktin se Nela nuk ishte pjesë e disidencës por kundërshtimit.
Një term të tillë, pra disidencën, e trajton edhe Miftar Gjana duke e largue Nelën nga grupimi i disidentëve pasi ai ishte i vemtuar në misionin e vet dhe e cilëson si Prometeun e fundit evropian.
Të njëjtin referim, pra ngjashmërinë me mitin e Prometeut e bën edhe Prend Buzhala ndërsa përdor ndajshitimin “tragjiku Nela”.
Kujtim Morina e klasifikon poezinë e Nelës si vepër që jep mesazhe të forta për frymën e re evropiane të bashkimit të popujve.
Nermin Spahiu thotë për të se me vjershat e veta Nela na ka lënë një autobiografi tronditëse, njëkohësisht një autopsi të sistemit diktatorial.
Ndonëse nuk ka folur për poezinë e Nelës specifikisht, Vath Koreshi e ka cilësue atë si njeriun e pamposhtur në luftën kundër diktaturës, duke shtue se me Havzi Nelën u rrëzua kështjella feudale.
Petrit Palushi i cili asht edhe njohësi më i mirë i veprës dhe jetës së Nelës, e përcakton krijimtarinë e tij një ditar lirik dhe epik i vuajtjes së madhe, një vizatim i shkëlqyer i ferrit të kohës, ndërsa Nelën në tansi, si njeriun e guximit të madh, si emisar të paqes dhe emancipimit njerzor, një skifter në fluturim.

Në fund, nënvizoj faktin se të gjitha vlerësimet e dhamne për Nelën, me gjithë dashamirësinë që i përshkon në dam të racionalitetit dhe pikpamjet nga kandvështrimi i tashëm, qëndojnë.
Madje, siç asht shprehë për të poeti Sadik Bejko, profili i poetit martir Havzi Nela që u eci me vetëdije drejt sakrifikimit për lirinë e të tjerëve ngjan me Juzu Krishtin.

Kështu, lirisht mund të themi se në fund të shekullit XX, nji fshat i vogël me emrin Kollovoz në lindje te Kukësit i dha qyterimit evropian një dëshmor të fjalës së lirë.

Sulejman Dida

Kukës, 26.11.2015