Ballina Aktualitet Dikur një fjalë e ndyrë në politikën amerikane, tani Socializmi po kthehet...

Dikur një fjalë e ndyrë në politikën amerikane, tani Socializmi po kthehet përsëri mes demokratëve

WASHINGTON —

Për pjesën më të madhe të historisë amerikane, socializmi ishte një fjalë e ndyrë, më shumë një njollë politike sesa një përshkrim i ideologjisë politike të dikujt.

Socializmin zakonisht e lidhin me pronësinë shtetërore të mjeteve të prodhimit, komunizmin apo edhe qeveritë totalitare. Kandidatët e Partisë Socialiste në SHBA nuk kanë arritur ndonjëherë të tërheqin mbështetje popullore. Në kulmin e popullaritetit të socialistëve në vitin 1920, Eugene V. Debs mori vetëm 915.000 vota në zgjedhjet presidenciale.

Por sipas sondazheve të fundit, idetë socialiste po bëhen gjithnjë e më popullore në Shtetet e Bashkuara, deri në atë pikë sa kandidatët demokratë që kërkojnë të marrin emërimin e partisë së tyre në vitin 2020 janë duke përqafuar platforma të politikës ekonomike, tatimore dhe sociale të lidhura ngushtë me kauzën socialiste.

“Ekziston një ndjenjë ankimi se ka gjëra që amerikanët nuk i gëzojnë, si në vende të tjera të pasura,” thotë për Zërin e Amerikës, Dr. Richard D. Wolff, profesor i ekonomisë dhe autor i librit “Kuptimi i Marksizmit”. “Pra, nga njëra anë ka njerëz si miliarderi i Amazonit, Jeff Bezos ndërsa nga ana tjetër jemi ne që përpiqemi t’ia dalim, që fëmijët të mbarojnë semestrin e fundit të kolegjit”.

Sipas vlerësimeve të zotit Wolff, rreth 44 milionë amerikanë kanë borxhe studentore – një situatë që po trajtohet nga një numër në rritje demokratësh në fushatat e tyre për të marrë emërimin e partisë.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, senatori Bernie Sanders nga Vermonti, një demokrat i vetë-shpallur socialist, mobilizoi një gjeneratë votuesish që kërkonin politika progresive si shkollimin falas dhe kujdes shëndetësor për të gjithë.

Megjithëse humbi në garë ndaj ish-sekretares së shtetit Hillari Klinton, popullariteti i politikave të tij e ka detyruar Partinë Demokratike të rishikojë politikat e saj konvencionale.

Edhe përpara se Sanders të shpallte kandidaturën për president të martën në zgjedhjet e partisë demokrate të vitit 2020, kandidatët e tjerë presidencialë kishin filluar të zhvendoseshin më tej vijës së majtë me propozimet e tyre për kujdesin shëndetësor, politikën e taksave dhe ndryshimet klimatike.

Pesë nga gjashtë demokratët e Senatit që kanë shpallur kandidaturën – Cory Booker i Nju Xhersit, Kirsten Gillibrand e Nju Jorkut, Kamala Harris e Kalifornisë, Elizabeth Warren nga Masaçjuset dhe Sanders – kanë premtuar të kërkojnë “Kujdes Shëndetësor Falas për të gjithë” dikur një propozim i paimagjinueshëm për shumë demokratë për shkak të kostos së tij. Vetëm Senatorja Amy Klobuchar e Minesotës nuk ka pranuar ta përqafojë këtë koncept.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump dhe republikanët e tjerë vazhdimisht e përdorin termin socializëm si një damkë – duke denoncuar dhe duke tallur propozimet e ligjvënësve të rinj si Alexandria Ocasio-Cortez nga Nju Jorku, një ish anëtare e fushatës së senatorit Sanders.

“Amerika nuk do të jetë kurrë një vend socialist,” tha presidenti Trump në fjalimin e tij të 5 shkurtit mbi gjendjen e vendit.

Por, pavarësisht kundërshtimit të së djathtës ndaj konceptit, sipas një sondazhi të organizatës Gallup në vitin 2018, 57 përqind e demokratëve kanë pikëpamje që favorizojnë socializmin.​

“Sigurisht, fushata e zotit Bernie Sanders në vitin 2016 pati një rol të madh në destigmatizimin e fjalës socialist”, thotë Lial Harrison, një vullnetare në Filadelfia për Alternativën Socialiste, një zinxhir grupesh më të vogla të shpërndara në mbarë vendin që pretendojnë të “luftojnë padrejtësitë” në komunitetet lokale.

“Njerëzit, njerëz të zakonshëm të klasës punëtore, thonë,” kam nevojë për një pagë minimale prej 15 dollarësh në orë, kam nevojë për kujdes shëndetësor falas për të gjithë, kam nevojë për kolegj falas – pra mendoj se jam socialist “, tha ajo për Zërin e Amerikës.

Që nga zgjedhja e presidentit Trump në vitin 2016, Socialistët Demokratë të Amerikës, grupi kryesor kombëtar i socialistëve të vetë-identifikuar, u rrit me rreth 60,000 anëtarë, krahasuar me vetëm 5,000 në vitin 2015, përpara garës së parë presidenciale të senatorit Sanders.

Kujdes shëndetësor falas për të gjithë

Ndoshta çështja kryesore si për votuesit demokratë socialistë edhe për votuesit demokratë është kujdesi shëndetësor për të gjithë.

Kur senatori Sanders paraqiti një ligj për kujdesin shëndetësor falas për të gjithë në vitin 2013, ai nuk mundi të merrte asnjë mbështetës financiar. Sot, një projekt-ligj i ngjashëm në Dhomën e Përfaqësuesve, propozuar nga ligjvënësja republikane progresiste, Pramila Jayapal, një demokrate nga shteti i Uashingtonit, pritet të ketë mbi 100 mbështetës deri në kohën kur ligji të paraqitet zyrtarisht.

Sipas analistëve politikë, kujdesi shëndetësor falas për të gjithë është bërë një provë për kandidatët presidencialë demokratikë për angazhimin e tyre ndaj ideve të majta.

“Natyrisht nuk është e njëjta situatë me atë kur Bernie konkurronte kundër Klintonëve të mjerë”, thotë Bob Muehlenkamp, një delegat i kandidatit Sanders në vitin 2016 dhe bashkëkryesues i fushatës Sanders në Merilend.

“Ishte një vendim i lehtë për njerëzit. Ka shumë njerëz të mirë që konkurrojnë,” tha ai duke iu referuar numrit të madh të demokratëve që tashmë kanë shpallur kandidaturën e tyre për vitin 2020 ose kanë ngritur komisione hulumtuese.

Por megjithë kundërshtimin konservator dhe të ekstremit të djathtë të konceptit, sipas një sondazhi të Gallup 2018 , 57 përqind e demokratëve kanë një pikëpamje të favorshme për socializmin.

Ka pak konsensus mes amerikanëve rreth asaj se çfarë nënkupton socializmi për politikën e Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht republikanëve që e krahasojnë socializmin me Rusinë staliniste, socializmi i propozuar nga kandidatët e krahut të majtë nuk cenon liritë politike, por përkrahet për rritjen e taksave për të pasurit për të mbështetur politika të tilla si kujdesi shëndetësor universal, pagesat e kolegjit dhe rritja e pagës minimale.

“Të rinjtë, veçanërisht ata që nuk kaluan Luftën e Ftohtë, nuk u rritën duke pasur frikë se do të binte një bombë bërthamore e rrëzuar nga rusët djallëzorë”, thotë zoti Wolff.

Një anketë e organizatës Axios në janar tregon se votuesit e Gjeneratës Z, grup-mosha 18-24 vjeç, në të vërtetë preferojnë socializmin (61 përqind) ndaj kapitalizmit (41 përqind).

Shifrat janë dukshëm më të larta se mesatarja kombëtare, ku 39 për qind preferojnë socializmin dhe 61 për qind preferojnë kapitalizmin.

“Republikanët … i kanë përdorur shumë sulmet ndaj njerëzve si socialist apo komunist, marksist apo ndonjë si këto fjalë… për gjysmë shekulli në Shtetet e Bashkuara”, thotë zoti Wolff. “Dhe si çdo gjë tjetër, ajo nuk bëhet më tërheqëse me kalimin e kohës, por më e rëndomtë”.

Shumë sondazhe sugjerojnë se mbështetja për politikat socialiste është më e lartë sesa identifikimi me termin socialist. Për shembull, një sondazh i rrjetit Fox News në janar zbuloi se 70 përqind e votuesve të regjistruar mbështesin taksat në rritje për familjet që fitojnë më shumë se 10 milionë dollarë në vit.​

“Dua që të gjithë të kenë qasje për kujdesin shëndetësor falas”, i tha Zërit të Amerikës Adriana Ortiz, studente e diplomuar në Universitetin e Pensilvanisë, e cila nuk e identifikon veten si socialiste.

“Kur mbusha 26 vjeç dhe u shkëputa nga siguracioni i nënës sime, vuajta shumë duke u përpjekur të kuptoj sistemet spitalore, sistemin mjekësor dhe arrita në pikën ku nuk dua as të shkoj tek mjeku,” thotë ajo.