Ballina Aktualitet Arabia Saudite nënshkruan marrëveshje miliardëshe me Pakistanin

Arabia Saudite nënshkruan marrëveshje miliardëshe me Pakistanin

Arabia Saudite ka nënshkruar marrëveshje për investime me Pakistanin në vlerë të 20 miliardë dollarëve, duke bërë përpjekje për të forcuar ekonominë e dobët të këtij shteti.

Marrëveshjet janë nënshkruar në kuadër të një turneu aziatik që është duke realizuar princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman.

Pakistani në anën tjetër ka nevojë urgjente për të balancuar krizën buxhetore dhe është në kërkim të mbështetësve ndërkombëtarë, transmeton rel.

Në njërën nga marrëveshjet përfshihet edhe rafineria e naftës në vlerë të 8 miliardë dollarëve në qytetin Guadar.

Të dyja palët janë pajtuar për bashkëpunim dhe memorandum mirëkuptimi edhe në fushën e energjisë dhe atë të minave.

“Faza e parë është e madhe dhe natyrisht ajo do të rritet çdo muaj dhe çdo vit, dhe do të kenë përftim të dyja shtetet”, është cituar të ketë thënë princi saudit.

Ndërkohë Pakistani është në gjendje tejet të rëndë financiare.

Banka Qendrore e këtij shteti është raportuar se ka vetëm 8 miliardë dollarë në rezervat e huaja dhe përballet me krizën e balancit të pagesave.

Kryeministri pakistanez, Imran Khan është duke kërkuar ndihmë nga vendet mike, në mënyrë që t’i shmanget një pakete shpëtimi, të cilën do t’i duhet ta kërkojë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nën kushte të rrepta.