Ballina Kulturë Kosova mon amour – Poemë nga Elida Buçpapaj

Kosova mon amour – Poemë nga Elida Buçpapaj

Kosovë
sot po po vjen e gjitha
n’Prishtinë
i madh e i vogël
edhe fmijtë
në barkun e Nanave
po vinë

prej gjithë anësh
po vjen Kosovë
n’Ulpianë
po zgjohesh para agimit
natën po e ban ditë
andërr dashnie
me mbjellë farën
gjumin hapa dhe ecje
ditën po e ban rrugë
me ardh n’Prishtinë
nga çdo cep e kënd
me ia tregu
fytyrën tënde të lodhun
të keqes
përtej horizontit
që e ndave
me luftë
prej trupit tënd

fytyra jote
e bukura e dheut
me relieve dhimbjesh,
rrënjët e tua
magmë vullkanesh
prej eshtrash
mijevjeçaresh
janë miliona sy
prej fytyrës tënde
që të ndjekin nga qielli
e bahen sytë e natës
prej atyne syve
janë kriju yjet
me ndriçu
udhtarët e pyjet

Kosovë
lule shkambore
dardane
rrënjosur në tokën
e ngrimë
pjellore
lule diellore
mos e prek
që shkrin acarin
e akujt i kthen
në lumenj
që s’rreshtin së
rrjedhuri jetë prej jetës
kurrë
Kosovë dje, sot, nesër
mon Amour!

sonte Kosovë
të gjitha andrrat
i kam pa tuj hypë
nëpër avionë
nëpër gjithë
aeroportet e Zvicrës
nga Gjeneva, Zürichu, Baseli
me destinacion
Prishtinën
e tuj zbritë tek Adem Jashari
që ka dalë vetë
me më pritë

t’kam zili Kosovë
se ke qenë gjithmonë
e çume në kambë
në kohën pushtimi
e në kohën e dreqit
e kjametit
dhe sot vjen valë valë
si valët e detit
Jon e Adriatik
nga frymon shqipja
shqip

t’kam zili Kosovë
se m’ke mësu
me e dasht lirinë
m’ke mësu
me ndejt e çume në kambë
edhe fjetun,
edhe dekun

t’kam zili Kosovë
se çohesh përpjetë
pishë malsore
e lartë e drejtë
edhe kur t’lanë
pa bukë e ujë,
zdathë
me barkun thatë
nga hiri mbin
ti lartë e ma lartë

t’kam zili Kosovë
që nuk shterr forcash
me u ngritë
sa herë t’rrëzojnë
sa ma poshtë bjen
aq ma lart ngrihesh
mos m’u rrzu ma kurrë
Kosovë mon amour

desha me qenë
me ty Kosovë
me ty jam mish e shpirt
prej nesh asht krejt bota
zjarri, ajri, uji e toka

t’kam zili Kosovë
se e keqja
boksiere e sprovume
nuk t’shtrin
për tokë
e keqja zhbëhet
para teje
lule shkambore
shkamb alpesh
e fortë

me ty kam qenë
Kosovë
në jetët
pararendëse
me ty jam
edhe sot e gjithmonë
bashkë jena
n’Prishtinë, n’Mitrovicë
tek sheshi Skënderbe
ku takuam
Çun Lajçin
apo n’Prizren
n’Kosovë frymoj
ajrin e pastër
me erë lulesh e bjeshkësh
që ka thith
Bogdani, Isa, Jusufi,
Ademët, Agimi e Ibrahim Rugova
kush frymon n’Kosove
bahet me krahë
e vetë jeta merr fletë
në qershor, n’shkurt,nandor
n’Ulpjanë, Dardani
ku knon lahuta e kërcejnë
tupanat
n’Drenicë, Mitrovicë
Gjakovë a Prishtinë
gjithmonë, gjithherë
e gjithkur
Kosovë mon amour!