Protesta e madhe e opozitës kundër qeverisë Rama shoqërohet me rrëmujë dhe dhunë nga grupe protestuesish. Opozita kërkon largimin e qeverisë Rama dhe një qeveri tranzitore.
Kaos dhe rrëmujë para kryeministrisë në protestën disa orëshe të opozitës të shtunën (16.02. protesta vijon). Për shkak të situatës së tensionuar, gjatë ditës pati rregullisht thirrje nga OSBE, prezenca e BE në Tiranë dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë për të shmangur çdo akt dhune dhe që të rivendoset qetësia. Ambasada e SHBA në deklaratën e saj kërkoi që partitë politike të sigurojnë një situatë paqësore. Ndërsa OSBE kërkoi që nxitësit dhe autorët e dhunës të mbajnë përgjegjësi. Edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, bëri thirrje për vetëpërmbajtje. Ndërkohë opozita akuzoi policinë se provokoi protestuesit.
Sipas axhendës, në protestë nuk do të kishte fjalime nga kryetarë partish. Fjalën do ta kishin vetëm qytetarët, të cilët iu përgjigjën thirrjes së kreut të opozitës për marrjen e fatit në duart e tyre, por kjo deri në orët e pasdites nuk u realizua.
Rrëmujë në fillim të protestës
Që në minutat e para të fillimit të protestës, situata u shkallëzua, pasi një grup protestuesish iu sulën derës së kryeministrisë. Skela e vënë për mbrojtje dhe mbulesa jeshile u shkatërruan dhe pati thyerje xhamash e dëmtime të portave të kryeministrisë. Nga brenda kryeministrisë u reagua me gaz lotsjellës dhe ujë. Pasoja: Protestues të lënduar, me djegie sysh për shkak të gazit lotsjellës. Katër protestues kanë marrë ndihmën e parë nga ekipet e urgjencës mjekësore në terren dhe aktualisht trajtohen në repartin e Toksikologjisë në QSUT. Mjekët konfirmojnë që janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Autoambulancat dhe ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri.
Por lëndime ka pasur edhe tek forcat e policisë. Njoftohet se dy policë, janë lënduar me mjete të forta, në kokë dhe në kurriz e janë transportuar për trajtim të specializuar ne spitalin universitar te Traumes, ku po marrin trajtimin e nevojshëm. /Rashela Shehu, Lindita Arapi/