Ballina Sport Një garanci për kombëtaren, talenti shqiptar në formacionin e javës në Kroaci

Një garanci për kombëtaren, talenti shqiptar në formacionin e javës në Kroaci

Viti i ri ka nisur në mënyrë perfekte për mbrojtësin e kombëtares shqiptare Ardian Ismajli, i cili ka qenë titullar te Hajduk i Splitit dhe të dielën e shkuar shënoi në fitoren 2-1 që skuadra e tij arriti ndaj Lokomotivës së Zagrebit, në një derbi shqiptarësh, ku Ismajli e Tahiraj mposhtën Uzunin dhe Lirim Kastratin.

Për qendërmbrojtësin 22-vjeçar është një moment i shkëlqyer dhe mediat në Kroaci e kanë vlerësuar për paraqitjet e tij.

Telesport.hr e ka përfshirë në formacionin e javës, duke evidentuar edhe statistikat e shkëlqyera të tij në ndeshjen e fundit, përtej faktit që shënoi gol.

“Përveçse shënoi një gol, Ismajli pati edhe përqindjen më të lartë të pasimeve të sakta, 85 nga 90 në total. Ai fitoi 9 nga 11 duele, realizoi një driblim, 4 ndërhyrje të suksesshme në 5 ndërhyrje për rikuperimin e topit, 10 krose. Hera e tretë që përfshihet në formacionin më të mirë të javës”, shkruhet në sitin e njohur kroat.

Një lajm i shkëlqyer edhe për kombëtaren tonë, sepse Gjimshiti, Veseli dhe Ismajli janë në formë perfekte dhe po luajnë çdo javë, ndaj për të tashmen dhe të ardhmen jemi në duar të sigurta.