Ballina ED/OP Msc. Adem Lushaj: Politika ndërkombëtare me bekimin e Manastirit po pengon zhvillimin...

Msc. Adem Lushaj: Politika ndërkombëtare me bekimin e Manastirit po pengon zhvillimin ekonomik të Deçanit!

Politika ndërkombëtare e ndikuar nga ajo e manastirit, po vazhdon të pengon zhvillimin e turizmit në Deçan, si njëra nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik. Pengesat që janë duke u bërë për shumë vite, qoftë në shfrytëzimin e resurseve hoteliere-turistike, apo edhe në investimet infrastrukturore në zonën turistike të Bjeshkëve të Deçanit, janë duke na kushtuar me humbje të mëdha.

Uzurpimet arbitrare të kompleksit më atraktiv turistik të Deçanit, atë të Pushimores së fëmijëve “Pishat e Deçanit” dhe Kompleksin “ILIRIA”, po bën që Deçani të ketë humbje të pa llogaritshme, kur dihet se këto dy objekte gjigante, dikur ishin të stërmbushura me mysafirë, edhe jashtë Kosove. Prania e paqeruajtësve dhe politika e imponuar, qoftë edhe përmes institucioneve të cilat do duhej të ndanin drejtësinë, ka penguar investimet në këto objekte, përkundër interesimit të madh të investitorëve, jo vetëm në nivel vendi, por edhe ndërkombëtare. Oferta turistike e Deçanit, paraqet kulmin e mundësive të mëdha për zhvillimin e komunës dhe të vendit, por fatkeqësisht, politizimi është bërë “armiku” kryesor i cili ka vënë bllokadë totale në zhvillimin e kësaj hapësire, e cila me insistimin e Manastirit të Deçanit dhe vendimit për zonën me rëndësi të veçantë, është shndërruar në “zonë të ndaluar” edhe për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, por edhe të objekteve hoteliere-turistike.

Çelësin e zhvillimit të kësaj komune po e mbajnë “peng”, klerikët e Manastirit, të cilët vazhdimisht kanë kundërshtuar ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, që vlerësohet si bosht i zhvillimit dhe integrimit rajonal ndërshtetëror. Për më tepër, Manastiri ka uzurpuar tërë kompleksin turistik, brenda të cilit ndodhën objektet hoteliere të ish-ndërmarrjes turistike “ILIRIA”, si dhe është bërë pengesë në lirimin e Pushimores “Pishat e Deçanit”.

Komuna e Deçanit me resurset e saja natyrore, ka gjitha mundësit për zhvillimin e turizmit veror dhe dimëror, e sidomos me investimet për ngritjen e qendrës së skijimit në “Bjeshkët e Belegut”, që do ishte qendër e përmasave botërore. Por, shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare, por edhe klerikët e manastirit, do kuptojnë se nuk ka zgjidhje tjetër, pos lejimit të investimeve në objektet aktuale hoteliere, por edhe tjera në masivin e Bjeshkëve të Nemuna, që do përfitojnë të gjithë, e mbi gjitha do përfiton turizmi.