Ballina Kulturë Kjo poezi është si drita në fund të tunelit- Nga Lili Kristuli...

Kjo poezi është si drita në fund të tunelit- Nga Lili Kristuli – Itali

Thonë se një poezi duhet ta lexosh të paktën dy herë për ta shijuar, për t’i hyrë brënda. I mbahem gjithmonë këtij rregulli, edhe nëse poezia nuk më pëlqen me leximin e parë. Por poezinë e mëposhtme nuk munda ta rilexoj. Ajo të trondit. Të rrënqeth aty ku shpirti është më i thellë. Nuk është poezi, është demaskim i pjesës më dashakeqëse të shoqërisë, i hipokrizisë, i injorancës, i padijes. Është gjyqet e pabëra, dosjet e pahapura. Është guxim. Është ajo pjesë e errët e jetës sonë që nuk kemi ditur ( akoma nuk dimë?) që nuk kemi mundur ( akoma nuk mundemi? ) t’i kundërvihemi…Kjo poezi është si drita në fund të një tuneli..

Mikes që më vranë
Poezia nga Majlinda Nana-Rama – Fier, Shqipëri.

Dashuria pa mure është imoralitet,-i thanë
Dhe e mbërthyen në trekëmbësha poshtërimi.
E quajtën marrëse të eliksirit njerëzor
dhe në emèr të popullit e ekzekutuan qetësisht.
Mund ta kishin vrarë ndryshe,
për shembull kur priste poshtë ballkonit sa të pushonte shiu,
por u duhej vepër penale më bindëse
dhe pritën një natë pranvere kur ajo i gëzohej stinës së saj,
e i treguan që e deshën më shumë se veten.
Me gjasa e kanë dashur!
Mikja ime ishte vajzë e një babai, nënë e një djali,
motër e një vëllai, ëndërr e cdo burri,
por lutësit e pështytësit e vranë.
E vranë mizorisht ponc pilatet!
Ishte vrasje e zakonshme për ta.
Njerëzimi-vrasës serial,
zhytyr duart gjer në bërryl me gjak vajzash të parritura,
i kërkon virgjëresha të përjetshme!
Mikja ime i besoi vrasësit të parë të saj,
pas tij,turmat iu vërsulën si pelegrinë mortorë
ia bënë shoshë dinjitetin,
e vendosën në stendën e përgjimit, përgojimit,pëshpëritjes përbuzëse
dhe e gjuajtën sa mundën me moral fals.
Fillimisht e puthën,
derisa e futën në kurthe të zymta e tinzare që e gjora s’i njihte,
ia shkelën sinqeritetin e saj,
fytyrën e bukur ia nxinë
vështrimin e ëmbël ia vodhën,
trupin e paveshur ua servirën si mish të butë
gjithë të gjallëve jargavacë, që u eksituan sa e panë,
e kur mbaruan,
iu bashkuan vrasjes.
Pati nga ata që nxituan t’i shqyenin leckat e fustanit të dlirtë.
Turmat vrasin!
U mblodhën në funeralin e saj,
secili nga një grusht poshtërim
të fundit, sa për varrim.
Ky ritual purifikues i mblodhi të gjithë
Ku ishin e ku s’ishin, gra e burra, me kuc’ e mac’.
Bota kundër saj!
Miken time e masakruan karontët mitologjikë të shekullit të ri
e për ta cuar në Had e thanë lumin Akeront…
Pasi mbaruan punë me të,
joshës e kameleonë të ndezur
pelegruan në ekzekutimin e radhës,
drejt një tjetër zemër të pastër

Pas disa vitesh

Qetësia e Judës u prish..
Gratë të përjetësuara në mermere,
burrat nisën t’i buzëqeshnin njëri tjetrit…