Ballina Kulturë ÇFARË MREKULLIE SOT: “Jemi shumë më gjallë, kur jemi të dashuruar”- Nga...

ÇFARË MREKULLIE SOT: “Jemi shumë më gjallë, kur jemi të dashuruar”- Nga botuesi Mark SIMONI

Mes përmes natës dhe dimrit, udhëtoja me trenin që shkonte drejt Europës Qëndrore. Atje shëtiste nga njëri shtet në tjetrin ekspozita e piktorit të famshëm Vladimir Kush, ose i quajturi nga kritikët e artit si Salvadore Dali i Rusisë. Ekspozitë madhështore. Tablo që me dimensionet e tyre të përfshinin në situatat gjigante. Kur ja, bash në ball, në fasadën më të shikueshme nga vizitorët qenë “Buzët”. Një qiell i pafund, dhe në të një re e madhe dhe e kuqe, impresionante, në formën e një palë buzësh të bukura, gjithë epsh, ndjellëse dhe tunduese. Dhe poshtë tablosë qe e tërë bota, shumë më e vogël se buzët. Më sugjestionoi. Në çast mu kujtua patrioti i Kush-it, liriku i mrekullueshëm Sergej Esenin me “Eh ç’mi përdredh ti buzët, Nazemadhe moj, …”. Buzët e poezisë mu dukën shumë më të vogla dhe aq lojnacake, lozonjare e të hajthshme, sa s’di përse më erdhi keq për to. I kam krejt parasysh ato blloqet e vegjël, me kopertina të forta ngjyrë kafe, ku shokët e mi adoleshentë hidhnin pafund citate dashurie, shprehje të bukura filmash, thënie tunduese librash. Dashuria, puthja dhe buzët qenë fjalët më të shumta që përshkonin tej përtej ato blloqe të mjerë. Shprehjet dhe vargjet i mblidhnin një e nga një, dhe i mësonin përmendësh, që të nesërmen, kur të hasnin ndonjë vajzë, t’i citonin fjalët e librave dhe filmave, që të dukeshin interesantë dhe të zgjuar. Mbaj mend se dhe unë tundohesha herë pas’here nga mania për të patur citate dashurie. Në ato vite, se nga dreqin mbërritën në qytetin tonë një tufë e madh autobusësh me kinezë, që shpërndanin distingtivë me portretin e Maos, (portreti i tij paraqitej sikur rrezatonte dritë). Shpërndanin edhe citatet e tij. Qenë ca blloqe-libra fare të vegjël, sa një kuti shkrepëse. Më pëlqente ajo madhësi. Aq të vegjël duhej të ishin edhe blloqet tanë, ku shënoheshin citatet dhe thëniet, për buzët, dashurinë dhe puthjet. Mendoja se përderisa dashuria ishte aq intime dhe e fshehtë, patjetër edhe blloqet duhet të ishin sa më të vegjël dhe t’i strukje ndokund, që të mos i shikonte njeri. Më e çuditshmja qe se, “Buzët” e Eseninit ishin në tërë ato blloqe, kopjuar nga njëri-tjetri, fshehtas, poshtë shkallëve, duke i thënë nën zë, me kujdes. Dikund Pablo Neruda thotë se, nuk ka gjë më trallitëse dhe joshëse në këtë botë, se sa shenja e buzëkuqit të një palë buzëve, mbetur në tehun e një gote vere, pas një nate dehëse. Ndërsa shkrimtari i njohur francez, autori i “Kontesha Gamiani”, Alfred de Muset tek një novelë e tij, përshkruan shenjën e buzëve në jastekun e dhomës së një hoteli në periferi, kur ajo “donte të fshihte klithjet e ekstazës”. Bota ka shumë gjëra për tu quajtur e bukur, por kurrë ajo nuk bëhet dot e plotë, e shijshme, tërë nur, e hijshme, tronditëse, vezulluese, plot shkëlqim dhe tundim njëkohësisht, nëse nuk do të kishte në të fishkëllimat çapkëne poshtë dritareve të vajzave, përshpëritjet e ëmbla të grave në vesh, (orëve të pas mesnatës), puthjen e buzëve, jehonat e brendshme të çasteve të lumtura që dalin nga buzët. Cili adoleshent i kësaj bote, i vëmendshëm dhe i amoruar njëkohësisht, nuk e di vargun e famshëm të Percy Bysshe Shelly (Persi Bishi Shelli): “Soul meets soul on lovers lips – Shpirti takon shpirtin në buzët e të dashuruarve.” Po Judy Garlandin a e citojnë shumë të rinj? “It was not my lips you kissed, but my soul – Nuk ishin buzët e mia ato që puthe, por shpirtin tim.” Sepse siç thotë John Updike (Xhon Apdaik): “Jemi më shumë gjallë, kur jemi të dashuruar.”. Nga studimet që janë bërë, gjëja më femërore tek gratë, më joshësja, më potente, më drithëruese, më me pushtet, i vrazhdë dhe eksituese njëkohësisht, për çudi të shumëkujt, është quajtur buzëkuqi, që i jep aq potencë buzëve. Ndërsa në botimin e parë të “From her lips” (Koleksioni i poemave me titull “Nga buzët”), të S. A. White, tek kopertina janë printuar stampimet e kuqe të buzëve të grave më në zë të kohës, 26 palë buzë. Kur isha student unë shkrova poezinë “Puthja”. Më vonë e botova në gazetë. Ti, duke u ngritur pak në maj të gishtave, E hedhur krahët rreth qafës sime, I prekje buzët e mia me buzët e tua. Tani Unë pa u përkulur fare, Dhe ti pa u ngritur në majë të gishtave, I arrin buzët e mia, Me buzët e tua, Çfarë mrekullie. Ty, Të paska rritur puthja! Më pati ardhur keq se, njëri prej shokëve që e mësoi përmendësh, ia tha vajzës që donte si të qe poezia e tij, madje sikur ia pati kushtuar enkas asaj. “Ohu, poezia është e jotja sa të jetë në fletoren tënde, pastaj është e jona.” Tashti qesh, sepse këtë ma kujton dhe filmi “Il Postino” me Pablo Nerudën, ku postjeri i fshatit i tregonte shkrimtarit se çfarë i pati shkruar fshehtas të dashurës. Një herë Pablo dalloi në letrat e dashurisë së postierit disa nga vargje e tij. “More pizeveng, po këto janë poezitë e mia”. “Të tuat i ke tek shtëpia, tani që kanë dalë në gazetë janë të miat”- ia ktheu postieri, Buzët, ky mjet i shenjtërisë së puthjes, që frymëzuan miliona njerëz në dalldinë e tyre të dashurisë, i kanë dhënë letërsisë dhe subjekteve të saj stilin fin, e kanë sajdisur këtë art me një dimension tepër delikat dhe të këndshëm. Kam parasysh këtu librat “Buzët e ëmbla” të Mel Smith, “Buzë që prekin të miat” e Wendy Lindstrom, “Buzë të kuqe gjak” e Anna Roselli, apo novela e Valeria Sherwod “Buzët e bukura gënjeshtare”. Mbi tërë këtë reliev subjektesh, buzësh, ndjesish, ngjarjesh joshëse dhe tunduese, përhapen tinguj e këngës së pavdekshme të William Shaw “Një këngë për buzët që s’janë më”. Selman Ruzhdie thotë: “Jam rritur duke puthur bukën dhe librat, sapo putha një dashuri, i harrova dy të parat. Kjo është magjia e buzëve.” Jam krejt i sigurt që poezitë e kësaj antologjie do ta bëjnë akoma më të shëndritshme, më vezulluese, më luminishente, më femërore, më fragile, më të ujshme dhe të tejdukshme poezinë delikate dhe të fisme të dashurisë, puthjes dhe buzëve.

(SHENIM: Kjo eshte PARATHENIA e botuesit e poetit Mark Simoni për këtë Antologji, me 62 autorë, botim special. Kjo Antologji doli sot nga shtypi, dhe është si gjest i Shtepisë Botuese MUZGU, per diten e Shen Valentinit)