Një nga nahijet e sanxhakut të Shkodrës, që u krijua pas pushtimit osman në qytetin me të njëjtin emër (Shkodrës) më 1479. Nahija e Altunit përfshinte në juridiksionin e vet fshatrat brenda trekëndshit Gjakovë – Junik (asokohe Lunik) – Tropojë. Sipas Defterit të Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485 Altun përfshinte 53 fshatra, midis të cilave edhe vendbanime të tilla si Tropojë, Junik etj. Edhe një shekull më vonë, gjithnjë sipas regjistrimeve osmane, Altun figuron si nahije e veçantë në përbërje të Sanxhakut të Shkodrës, veçse këtë herë me një numër gati të përgjysmuar të fshatrave (33 fshatra). Ndërsa më 1485 fshtatrat e Altunit nga pikëpamja e statusit pronësor u përkisnin dy zeameteve, më 1581 ato ishin pjesë e një timari.1
Prof. Dr. Ferit DUKA
Historian
_______________________
1. Prof. Dr. Ferit Duka. Altun Ili (Vendi i Arit). Za në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Vëllimi I. Botim i ASHSH. Tiranë. 2008. fq. 61.