Një ceremoni që arriti ta mbante mbërthyer publikun anembanë botës ajo e “Grammy Awards” në këtë edicion të 61-të.
Alicia Keys, Lady Gaga, Jennifer Lopez, Jada Pinkett Smith dhe Michelle Obama ishin vetëm surpriza e parë elektrizuese e mbrëmjes së çmimeve më prestigjioze muzikore. Pas performancave të shkëlqyera nga shumë prej artistëve botëror, ndarja e çmimeve rezultoi të ishte një emocion më vete edhe për shqiptarët.
Dua Lipa shkroi historinë duke u bërë shqiptarja e parë që shpërblehet me dy çmime “Grammy”, “Kënga më e mirë ritmike”, për bashkëpunimin e saj me Mark Ronson dhe Diplo “Electricity”, dhe “Artisti i ri më i mirë”.
23-vjeçarja nuk i fshehu emocionet dhe lumturinë e saj teksa theksoi se nuk ka rëndësi se nga vijnë, cila është prejardhja e tyre apo çfarë besojnë, asnjëherë nuk duhet të ndalen para ëndrrave të tyre.
Edhe Bebe Rexha ishte e nominuar në kategorinë “Artisti i ri më i mirë”, por pavarësisht se nuk triumfoi, ajo falënderoi akademinë, duke quajtur fitore edhe vetë nominimet.
Ndër të tjera “This Is America” rezultoi si “kënga më e mirë e vitit”, “Albumi më i mirë Rap” shkoi për “Invasion of Privacy” Cardi B, ndërsa “Shallow” i Lady Gagës me Bradley Cooper fitoi si “bashkëpunimi më i mirë pop”.
Do të jetë i paharrueshëm ky edicion i “Grammy Awards” për këngëtaren shqiptare Dua Lipa. 23-vjeçarja ja doli të ‘mposhtë’ yjet më më mëdhenj botërorë në garën e rëndësishme muzikore duke çuar në shtëpi jo një, por dy Grammy, në eventin më të madh muzikor në botë. Ajo u shpall “Artistja më e mirë e re” dhe fitoi “Best Dance Recording”. E emocionuar Dua mbajti një fjalim të ndjerë e optimist para gjithë të pranishmëve…
“Oh Zot, nuk di nga t’ia filloj. Fillimisht dua të them se jam shumë e nderuar që jam nominuar mes kaq shumë artisteve të mrekullueshëm. Besoj se këtë vit kemi ecur përpara. Dua të falenderoj shumë fansat e mi që më kanë lejuar të jem versioni më i mirë i vetes time. Dua të falenderoj ekipin tim që kanë qenë krah meje. Kanë punuar shumë pa u lodhur asnjëherë .
Falenderoj edhe familjen time që janë këtu sonte me mua, ju dua shumë. O Zot, jam shumë nervoze, e emocionuar dhe mirënjohëse në të njëjtën kohë. Diçka tjetër që dua vërtetë ta them është se nëse ende nuk e keni kuptuar sa të veçantë jeni, nga historia dhe e kaluara unike që keni ose nga një emër që nderon rrënjët tuaja, duhet thjesht ta dini që pavarësisht se nga vini, mos lejoni asgjë nga këto të hyjë në rrugën e ëndrrave tuaja sepse ju e meritoni.Unë jam provë e gjallë që ju mund të bëni çfarëdo që mendja juaj thotë që mund ta bëni, unë besoj tek ju!”; u shpreh me lot në sy ylli botëror me origjinë nga Kosova.