Ballina Aktualitet Zyrtarizohet nisma e shoqërisë cilvie për ndryshimin e ligjit të koncesioneve për...

Zyrtarizohet nisma e shoqërisë cilvie për ndryshimin e ligjit të koncesioneve për HEC-et

Ky angazhim synon të rrisë pjesëmarrjen aktive të publikut në vendimmarrje, në lidhje me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe është realizuar në kuadër të projektit AKTIV-II me mbështetjen financiare të LëvizAlbania.

(EcoAlbania dërgon sugjerimet për ndryshime në Ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”  pranë Komisioneve Parlamentare përkatëse)

Tiranë, më 4 shkurt 2019. “EcoAlbania” ka dërguar zyrtarisht kërkesën për ndryshime në Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” duke përcjellë zërin e disa organizatave mjedisore, ekspertëve, përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe banorëve të prekur nga zhvillimi projekteve hidro-energjetike. Në shkresën drejtuar Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin si dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, EcoAlbania ka paraqitur shqetësimin dhe nevojën emergjente për ndërhyrje në paketën ligjore të koncesioneve kryeshisht lidhur me lejet e HEC-eve. Planet e zhvillimit të veprave hidro-energjetike tregojnë se 540 hidrocentrale janë planifikuar për t’u ndërtuar në gjithë territorin e Shqipërisë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve në zona të mbrojtura (rreth 61) dhe zona me potencial të lartë natyror.

EcoAlbania ka ndërmarrë një analizë të thellë të planeve, strategjive dhe legjislacionit kombëtar të sektorëve të energjisë, turizmit, mjedisit dhe ujit, në frymën e përafrimit të tyre me legjislacionin e BE. “Nga vëzhgimi dhe studimi i zbatimit në praktikë të kornizës komplekse ligjore që rregullon procedurat koncesionare në sektorin hidroenergjetik, ka rezultuar prania e një sërë problemeve gjatë realizimit të këtyre procedurave nga autoritetet publike. Në rrënjë të shumicës së problemeve qëndrojnë shume boshllëqe dhe konflikte në kuadrin ligjor në fuqi që rregullon në tërësi procedurat për koncesionet hidro-energjetike”, tha Olsi Nika, Drejtor Ekszekutiv i EcoAlbania.

Kjo analizë është konkluduar me gjetje dhe rekomandime për ndryshime  konkrete në Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar si dhe ligjet e tjera që ndërveprojnë në fushën e koncesioneve hidroenergjetike. Konkretisht dokumenti përmban propozime për shtesa dhe ndryshime në ligjet:

  1. Ligji nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar;

  2. Ligji nr.10 440, datë 07.07.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”;

  3. Ligji nr. 10 448, datë 14.07.2011 “Për lejet e mjedisit”;

  4. Ligji nr. 111/2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, i ndryshuar.

Gjetjet dhe rekomandimet për ndryshime janë konsultuar me komunitetet lokale, Organizatat e Shoqërisë Civile Mjedisore, institucionet lokale dhe aktorë të tjerë të interesuar gjatë forumeve lokale të organizuara nga EcoAlbania.

EcoAlbania dhe ekipi i ekspertëve synojnë diskutimin e tyre në Komisionet Parlamentare përkatëse dhe nxitjen e ndryshimeve ligjore në drejtim të përmirësimit të legjislacionit për koncesionet e HEC-eve në Shqipëri.

Pasojat negative që kanë shkaktuar HEC-et në ekosistem, kanë nxitur shoqërinë civile të propozojë disa ndryshime në ligjin për koncesionet e Hidrocentraleve.

Sipas tyre legjislacioni aktual favorizon ndërtimin e HEC-eve në mënyrë kaotike dhe të pastudiuar si dhe në dëm të natyrës.

Olsi Nika: Gjithë kjo pjesa e ndërtimit të hidrocentraleve nuk është e bazuar në një plan, në një strategji që do të lindte si pasojë e një studimi të thelluar me argumenta shkencorë. Nisur nga kjo, parashikojmë që dëmtimet do të jenë shumë të mëdha, qofshin këto në ekosistem, qofshin në ekonomitë lokale.       

Ndryshimet synojnë të sjellin transparencë por edhe përafrim te legjislacionit me direktivat evropiane.

Elvana Tivari: Asnjë projekt koncesionar të mos miratohet pa u bërë përputhja e shprehur me referenca konkrete në planet dhe strategjitë që janë në fuqi.Ligji të detyrojë autoritet kontraktore të operojnë po me efekt pavlefshmërie për kontratën, studimet e detajuara të fizibilitetit, studimet e detajuara të ndikimeve mjedisore dhe sociale, të bëjnë vetë autoritetet kontraktore vlerësimet e ndikimeve në mjedis.

Drafti me ndryshimet në ligjin për koncesionet e HEC-eve pritet ti kalojnë Kuvendit brenda këtij viti.

Në territorin shqiptar janë planifikuar të ndërtohen rreth 540 HEC-e, një pjesë e madhe e të cilave në zonat e mbrojtura.