Ballina Kryesore Çfarë thanë në Këshillin e Sigurimit ambasadorët e SHBA, Britanisë, Francës...

Çfarë thanë në Këshillin e Sigurimit ambasadorët e SHBA, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë – Nga Beqir Sina, New York, SHBA

Përfaqësuesi i SHBA’së në Këshillin e Sigurimit, Jonathan Cohen, ka deklaruar se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, është e mundshme të arrihet në vitin 2019.

Këtë deklaratë përfaqësuesi i SHBA’së e bëri sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që është ndoshta e para-fundit për Kosovën.

“Është momenti i duhur që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe kjo është e arritshme në vitin 2019. Për Kosovën kjo nënkupton anulimin e tarifave për Serbinë dhe Bosnjës”, tha ai.

Ai po ashtu ka pohuar se UNMIK’u ka përmbushur mandatin e vet, dhe përmes zyrës së OKB-së mund të bëhen punë të tjera, por jo përmes UNMIK’ut dhe duhet të ketë një rivlerësim për praninë e KB në Kosovë.

Ambasadori gjerman në KB: tha se Daçiq po e godet veten duke provuar t’ia heq njohjet Kosovës

Ambasadori gjerman në Kombet e Bashkuara Christoph Heusgen në fjalën e tij në seancën e KS të KB’së ai ka kërkuar që Ministri i Jashtëm i Serbisë Iviça Daçiq të ndalojë tentimin për të hequr njohjet e Kosovës.

“Daçiq vetë ka udhëtuar në shtetet të cilat kanë bërë tërheqjen e njohjeve. Nuk e kuptoj logjikën prapa kësaj: Shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Njohja e Kosovës është e njëjta mënyrë për të futur në BE. Duke i shtyrë vendet që ta tërheqin njohjen e Kosovës, ju jeni duke e goditur vetën me duart tuaja dhe unë nuk e kuptoj këtë”, tha Heusgen.

“Qeveria e Kosovës kërkon të bëhet pjesë e BE’së, si mund të futen tarifat kundër Serbisë të jenë kundër perspektives evropiane, ndërkohë të mos lejohen produktet e Kosovës në Serbi është gjithashtu kundër perspektives evropiane”.

Britania e Madhe: Formimi i Ushtrisë së Kosovës, vendim i drejtë.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që po mbahet sonte për Kosovën ka folur edhe ambasadorja e Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara, Karen Pierce.

Ajo është shprehur se nuk është shumë e nevojshme të mbahen kaq shpesh sesione në lidhje me Kosovën për arsye se Kosova nuk është në krizë akute dhe ka shumë çështje më të vështira për t’u marrë me to.

“Gjendja në Kosovë në 2019 ka ndryshuar rrënjësisht prej kur ka hyrë UNMIK që ka luajtur një rol të rëndësishëm me ndihmën e BE-së dhe NATO-s”.

“Kosova nuk është më një vend në konflikt dhe gjithnjë e më shumë po integrohet në BE”.

“Ka çështje më me rëndësi, por këtë sesion do ta shfrytëzoja që krerët e Serbisë dhe Kosovës t’i ftoj të zgjidhnin problemet dhe të ecin përpara”.

“Dëshiroj të ritheksoj se Britania e Madhe mendon se është e drejtë e Kosovës si shtet i pavarur dhe vetëqeverisës që të krijoj ushtrinë”

“Nuk përmban asgjë që parashikon tranzicionin e ardhshëm të FSK-së. E përsëris atë që thash në dhjetor, Kosova ka të drejtën e ushtrisë, dhe sigurisht të jetë e kujdesshme në veprime”, tha në fund ambasadorja e Britanisë së Madhe, Karen Pierce.

Fjala e plotë në debatin e radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit , të ambasadorve të SHBA, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë:


Ambasadoria Karen Pierce e Mbretëris së Bashkuar, në Këshillin e Sigurimit:

tha se ajo u “befasua” sot që të mos dëgjonte, ngjarjet që e çuan botën në vitin 1999, në Kosovë : “asnjë pendim, pa pranim të madhësisë së krimeve të luftës të kryera në terren”. Këto krime janë përcaktuar edhe nga Gjykatat Ndërkombëtare. Derisa komunitetet në Kosovë mund të bëjnë më shumë për të qenë tolerantë dhe gjithëpërfshirës, ​​ekziston një dallim shumë i madh midis asaj pike dhe mungesës së fakteve të paraqitura nga një folës sot në Këshillin e Sigurimit. Kosova, nuk është më një vend në konflikt dhe por një vend që po integrohet gjithnjë e më shumë në bashkësinë ndërkombëtare. Kosova e mirëpriti propozimin për të përqëndruar përpjekjet e Këshillit të Sigurimit në konflikte më të ashpra, në të njëjtën mënyrë duke shprehur mbështetje për të shqyrtuar punën e UNMIK-ut. Fatkeqësisht, tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës janë rritur, vazhdoi ajo, duke u bërë thirrje liderëve politikë në rajon që të përmbahen nga përkeqësimi i tensioneve. Kosova dhe Serbia janë me fat që Bashkimi Evropian ka ofruar një dialog brenda të cilit ata mund të bëjnë përparim drejt integrimit në bllok si të barabartë dhe sovran. Sa i përket tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ajo tha se është prerogativë e Prishtinës për të ndërtuar një ushtri legjitime kombëtare dhe se një vendim i tillë nuk është në kundërshtim me rezolutën 1244 (1999).


Ambasadori Christoph Heusgen i Gjermanise:

tha se 46 minutat e sotme të deklaratave janë “përsëritëse për atë që kemi dëgjuar më parë”. Kosova ka bërë përparim të madh që nga viti 2008 në lidhje me dialogun me Bashkimin Evropian. Ai tha se nuk e kuptoi nevojën për të patur këtë diskutim sot, duke përgëzuar z. Tanin për raportin e tij. Ai theksoi rëndësinë e fuqizimit të të rinjve dhe grave, një detyrë që mund të merret nga institucionet e Kosovës ose organizatat ndërkombëtare. “Është koha për një vlerësim të UNMIK-ut,” shtoi ai, duke përsëritur se Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në njohjen e viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës. Kjo ka qenë një qasje pozitive që të tjerët në rajon mund ta ndjekin. “Ne presim që Kosova të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, pa tarifa apo barriera tregtare”, tha ai. Lidhur me Serbinë, ai e mirëpriti iniciativën e propozuar të Presidentit serb për tregti të lirë në Ballkan. Duke mos njohur siç duhet Kosovën, Serbia po “gjuan veten me këmbë” në ambiciet e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, shtoi ai.


Jonathan R. Cohen Ambasador në detyrë i Shteteve të Bashkuara, në Këshillin e Sigurimit
përshëndeti mirëkuptimin e Këshillit të Sigurimit për t’i dhënë fund brifingjeve tremujore( debateve tremujore) dhe se vitin e ardhshëm do të jenë dy takime mbi “çështjen”, pasi ka mënyra më të mira për të debatuar. Gjatë takimeve përdoret gjuha antagoniste, një arsye pse disa ngurrojnë t’i vazhdojnë ato. Ai theksoi se UNMIK-u ka arritur mandatin e vet dhe tërheqja është e vonuar, duke vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol të rëndësishëm nëpërmjet ekipit të tij në Kombet e Bashkuara dhe Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP). Ai rekomandoi që Sekretariati të kryejë një rishikim strategjik të UNMIK-ut me një këndvështrim drejt hartimit të një strategjie daljeje, një masë që do të avancojë normalizimin e marrëdhënieve. Ai shprehu mbështetje për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian në përpjekjet për të arritur një marrëveshje normalizimi. Dialogu duhet të jetë prioritet i “të dy vendeve”. Të dyja duhet të ulin tensionet dhe të krijojnë kushtet për progres të shpejtë në dialog, tha ai, duke e shtyrë Prishtinën të pezullojë tarifat e veta dhe duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve duhet të jetë prioritet për të dy palët.
Ambasadoria Anne Gueguen e Francës në Kombet e Bashkuara,

tha se Kosova ka bërë përparim “të shquar”, përfitime të cilat duhet të konsolidohen, ndërsa përpjekjet e UNMIK-ut për të promovuar siguri dhe respekt për të drejtat e njeriut duhet të njihen. Ajo mirëpriti përpjekjet e Misionit UNIMIK për të nxitur një afrim në mes të komuniteteve dhe fuqizimit të grave. Pothuajse 20 vjet pas miratimit të rezolutës 1244 (1999), Këshilli i Sigurimit duhet të marrë në konsideratë rifokusimin e veprimeve të UNMIK-ut, duke shqyrtuar punën e tij në kontekstin e përpjekjeve të aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë, veçanërisht të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Normalizimi i marrëdhënieve varet nga dialogu nën drejtimin e Bashkimit Evropian dhe ajo mbështeti përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë në këtë drejtim. Ambasadoria Anne Gueguen e Francës në Kombet e Bashkuara, u ankua për vendime të njëanshme që kanë ndikuar në dialog, sidomos vendosjen e një tarife prej 100 përqind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, të cilat duhet të hiqen. Ajo shprehu shpresë se dialogu do të rifillojë dhe se angazhimet e sigurisë të respektohen. Të dyja palët duhet të tregojnë vullnetin kompromis dhe politik për të krijuar kushtet për një marrëveshje holistike. Duke theksuar se Franca, do të vazhdojë të mbështesë bashkëpunimin rajonal, ajo u kthye në çështjen e një të ardhme evropiane dhe theksoi rëndësinë e reformave për të përmirësuar sundimin e ligjit.