Cikël i shkurtër poetik nga Lulzim Logu
KURRË FUNDI…
- Tanka –
Si ta ruaj kujtim
Portretin tënd
Brof mëngjesi
Pa mbyllur sytë
Vonohet dielli…
…
Papritur ika
Vjeshta atherë ish
Dhjetë vjet më pas
Kur kthehem vetëm
Shiu në vënd teje…
…
Shkolla e vjetër
U shëmb së fundi
Poshtë fletoresh
Të zverdhura,
Palohet historia…
…
Vdes të jem
Aq i ri
Sa të mësoj,
Të mos i trembem
Kurrë
Vdekjes…
…
Vdes të jem
Aq i gjallë
Sa të mësoj
Të mos e shaj
Kurrë
Jetën…
…
Vdes të jem
Prapë i dashuruar
Si atherë
Të harroj përgjithmonë
Vdekjen…
…
Bie pëllumb i egër
Nga dega e tharë
Mbi gjethen e fundit
Akoma të gjelbër
Dhe rrëzon verën…
…
Pylli i kuq
I fundvjeshtës
Si fletore harruar,
Prej fëminie
Ku zverdhen kujtimet…
…
Shqipe e vogël
Ra prej shkëmbit
Dha shpirt shpejt
Me sy hapur
Me qiell në sqep…
…
Mes buzëve tona
Krejt të kallura,
Prush i puthjes,
Djeg pa nda,
Urën e vazhdimit…
…
Fyelli i Tanushës
Jehon herët në brigje
Në tumat e Bujanit
Rrëzohet një gjethe
E vajzërisë…
…
Teli i çiftelisë
Ndihet nga larg
Kuajt e Bujanit
Fërgëllojnë si shenjë
E rritjes së burrit…
…
Në telin e rrobave
Të së dielës
Varur një rrobë dalëboje
Ku akoma flë
Zogu që s’ka lindur…
…
Mic Sokoli në statujë
Tashmë i plakur
E bën më të vertetë
Aktin e rrëfyer
Dikur me tepri…
…
Ku je a thua
Qielli s’përgjigjet
Vetëm shiu vjen
Të zbusë sadopak
Dhimbjen time…
…
Kjo natë pafund
Ka një hënë të madhe
Dhe një yll gjithashtu
Se ndërroj me ditën
Këtë cope verë…
…
Shkove dikur
Për tu kthyer
Një arkë e vogël me hi
E ruaj çuditërisht
Pa shpërndarë…