Ballina Bota Synime ambicioze për programet hapësinore gjatë këtij viti

Synime ambicioze për programet hapësinore gjatë këtij viti

2019-ta premton suksese historike në fushën e eksplorimit të hapësirës. Një numër arritjesh janë realizuar që në muajin e parë të këtij viti, që nga udhëtimi i largët i sondës New Horizons e deri tek zbritja e kapsulës kineze në anën e errët të Hënës. Këtë vit do të shënohen edhe përvjetorë të rëndësishëm që na kujtojnë “hapin e madh të njerëzimit” të realizuar 50 vjet më parë. 2019-ta premton vërtetë të jetë një vit i “arritjeve stratosferike”.

Janari i këtij viti ka qenë një periudhë e ngarkuar për eksplorimin e hapësirës. Shkencëtarë të NASA-s publikuan më 15 janar imazhe kompiuterike të Ultima Thule, objekti më i largët hapësinor i eksploruar ndonjëherë nga njeriu. Ky objekt i vogël, i mbuluar nga akulli është 6.4 miliardë kilometra nga Toka dhe duket si një burrë prej bore, i krijuar nga dy masa sferike të lidhura së bashku. Pamjet u realizuan nga fotografi të marra ditën e vitit të ri nga sonda hapësinore “New Horizons” që po udhëton pranë këtij objekti. Shkencëtarët thonë se presin të konfirmojnë brenda pak ditësh, pasi të arrijnë fotografitë e reja në Tokë, nëse Ultima Thule ka në orbitë rrotull vetes hëna apo unaza rrethuese.

Kina dërgoi në fillim të janarit një sondë në Hënë. Imazhet e transmetuara nga televizioni publik kinez tregojnë sondën “Jade Rabbit 2” duke realizuar zbritje të butë në anën e errët të Hënës, e cila nuk është asnjëherë përballë Tokës. Ky moment shënon një triumf në programet hapësinore të Kinës, e cila po avancon me shpejtësi drejt nivelit të arritjeve që kanë shënuar Amerika dhe Rusia. Brenda këtij viti, Kina ka në plan të lëshojë sondën “Chang’e 5” për të mbledhur dhe për të sjellë në Tokë mostra nga ana e afërt e Hënës, gjë që nuk është bërë që në vitin 1976.

Në shkurt, një mjet hapësinor izraelit do të përpiqet të zbresë në Hënë, duke u bërë mjeti i parë i financuar privatisht që e realizon këtë operacion, si dhe mjeti i parë izraelit në Hënë. Projekti, i pagëzuar “Beresheet”, që në gjuhën hebraike do të thotë “Gjeneza”, do të realizohet në shkurt dhe financohet nga miliarderi jugafrikano-izraelit, Morris Kahn, si dhe donatorë të tjerë privatë. Nëse përmbushet me sukses, Izraeli bëhet vendi i katërt që arrin të dërgojë një mjet hapësinor në Hënë, pas Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.

Menaxheri i Programit Hapësinor të Izraelit thotë se kjo do të jetë një arritje historike që do të mundësojë mbledhjen e të dhënave mbi karakteristikat magnetike të Hënës që do të shërbejnë për kërkime të mëtejshme:

“Do të jetë një udhëtim i vështirë drejt Hënës. Po e realizojmë me një metodë të vështirë. Ka mënyra të tjera, më të drejtpërdrejta, mund të përdoret një raketë që shkon drejt e në Hënë, por ne nuk kemi raketë të madhe, prandaj po i biem rrugës së gjatë. Do të na duhet rreth një muaj e gjysëm për të shkuar, me plot peripeci rrugës. Zbritja do të jetë e vështirë, por ka shumë mundësi të jetë një ndër momentet më ekzaltuese,” thotë menaxheri Opher Doron.

Kjo zbritje do të hapte një kapitull të ri në arritjet e Izraelit në kërkimet hapësinore.

Në shkurt të këtij viti në Kazakistan dy astronautë do të tentojnë për herë të dytë të realizojnë misionin që ndërmorën vjeshtën e kaluar, i cili përfundoi me një zbritje emergjente disa minuta pas nisjes si rezultat i një avarie të rrezikshme. Astronauti i NASA-s Nick Hague dhe kozmonauti Alexey Ovchinin, të cilëve këtë radhë u bashkohet edhe Christina Hammock Koch e NASA-s do të nisen me një raketë Soyuz drejt Stacionit Hapsinor. Vjet në tetor misioni u ndërpre pak minuta pas lëshimit të raketës:

“Gjatë nisjes të Soyuz MS10-ës, raketa kaloi në status balistik për rikthim në atmosferën e Tokës pak pas lëshimit. Kjo nënkupton se ekuipazhi nuk do të shkojë në Stacionin Orbital Hapsinor, por do të realizojnë një zbritje të rëndë në Tokë,” shpjegojnë kontrollorët gjatë misionit të dështuar në 2018.

Specialitët rusë po përpiqen të kuptojnë çfarë problemesh shkaktuan avarinë në raketën Soyuz gjatë lëshimit në tetor 2018.

NASA tha në tetor 2018 se në 2019-ën do të realizohen fluturimet e para për të provuar udhëtimet hapësinore komerciale. SpaceX synon të lëshojë së shpejti raketën Falkon 9 së bashku me kapsulën Dragon, për një fluturim provë. Kapsula do të dërgojë mallra të ndryshme në Stacionin Orbital, por pa ekuipazh, ndërsa nga vera pritet të vihen në provë udhëtime me ekuipazh. Kapsula do të realizojë vizita të shkurtra në Stacionin Orbital. Deri tani udhëtimet e astronautëve amerikanë për në Stacionin Orbital realizoheshin me mjetet ruse Soyuz dhe një biletë kushton rreth 81 milionë dollarë për person.

Astronautët që do të udhëtojnë me raketën SpaceX Dragon flasin për krenarinë që ndjejnë për këtë udhëtim të parë:

“Nuk ka si të jem më me fat, për faktin që jam pjesë e këtij programi të jashtëzakonshëm dhe që më jepet mundësia të jap një kontribut të vogël për këtë mjet të ri fluturimi. Shansi që të realizosh fluturimin e parë me një anije të re hapësinore është një mundësi që i ofrohet vetëm një herë një brezi. Ndjehem shumë mirënjohës por kemi ende shumë punë për të bërë,” thotë astronauti Doug Hurley.

Deri tani misioni është shtyrë disa herë, për arsye të problemeve teknike. Në korrik mbushen 50 vjet që nga ecja historike e astronautëve Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin në Hënë.

Neil A. Armstrong, Edward E. Aldrin dhe Michael Collins përmbushën një ëndërr të vjetër të njerëzimit, duke hedhur hapa në një objekt jashtëtokësor. Kjo zbritje dhe ecje mbi Hënë shënoi një triumf të Amerikës në garën hapësinore me Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.