Ballina ED/OP Nevoja urgjente e një projekti për bibliotekat

Nevoja urgjente e një projekti për bibliotekat

Nga Ndriçim Kulla

Është një shenjë e dallueshme e përkujdesjes jo vetëm ndaj rritjes dhe kultivimit personal, por edhe ndaj së mirës së përbashkët, njëra nga 8 pikat që studentët vendosën si prioritet për protestën e tyre. Bëhet fjalë për kërkesën e rivitalizimit të rrjetit të të gjithë bibliotekave të universiteteve, si dhe krijimit të kushteve të përshtatshme për funksionimin e tyre si një vatër e gjallë, aktive dhe e shëndetshme e jetës studentore. Ashtu siç ka ndodhur gjithmonë, njerëzit, e në këtë rast studentët, treguan se janë shumë më përpara në mentalitet dhe vizion se politika jonë udhëheqëse e të gjithë këtyre viteve, pasi nuk duhet harruar se kjo është një nismë që duhej të ishte marrë shumë më përpara në kohë. Që kur lindën universitetet e para private, duke kuptuar rëndësinë dhe duke nuhatur avantazhet në konkurrueshmëri që një bibliotekë e pasur i jep një universiteti, për disa vite rresht, shumica e shtëpive të specializuara botuese u bënë furnizueset e tyre kryesore me libra të gjinive të ndryshme, të përshtatshme jo vetëm për aktivitetin studentor, por edhe kërkimeve shkencore të fushave të ndryshme të këtyre universiteteve. Më pas, praktika e përditësimit të këtij fondi bibliotekar, kaloi qoftë nëpërmjet kësaj rruge, qoftë edhe nëpërmjet krijimit të shtëpive të veçanta botuese të vetë këtyre universiteteve private. Kuptohet vetvetiu, atëherë, hendeku i madh që u krijua vit pas viti midis bibliotekave të këtyre universiteteve dhe atyre të universiteteve publike që s’e kaluan kurrë një proces të tillë. Për rrjedhim, ndjenja e pabarazisë në trajtim, duhet ta ketë shtuar akoma dhe më shumë ndjenjën e zemërimit të studentëve, që shfaqën në vendosjen e kësaj pike në kërkesat e protestës së tyre, një ndjesi të lartë për një aspekt që lidh bazat dhe ndihmon drejtpërdrejt në krijimin dhe kultivimin e një kulture të leximit, studimit dhe formimit. Për këtë arsye, shoqata e botuesve në përgjithësi, por edhe botues të veçantë, disa herë i janë drejtuar, gjatë gjithë këtyre viteve, drejtorive dhe ministrive përkatëse për nevojën urgjente të nisjes së një projekti të shtrirë nëpër të gjitha nivelet, e veçanërisht nëpër universitete, për rivitalizimin e fondit, tashmë të vjetër , të tejkaluar nga koha e në shumë raste dhe inekzitent, të bibliotekave të përfshira në rrjetin e sistemit tonë arsimor.

Kaluan edhe disa fushata elektorale, dhe kurrë nuk u dëgjua kjo thirrje, që u ngrit për t’u dëgjuar sidomos në periudha të tilla, kur qeveria dhe opozita shpalosin platformat e tyre, që siç duket për kulturën dhe leximin, ngelën në shkretëtirën e tyre të padijes. As Basha dhe as Rama nuk u kujtuan kurrë për ta rrokur në diskursin e tyre këtë nismë që iu servir thjesht dhe qartë, intelektualisht dhe e mbështetur fort nga të gjithë aktorët e shoqërisë civile. Është e trishtueshme të thuash tani se të gjithë paskëshim pasur të drejtë, përveç politikanëve tanë. Është e tmerrshme të shohësh edhe në “paktin e detyruar për universitetin” që studentët shtrënguan me largpamjen e tyre, mungesën e vizionit të qeverisë dhe mos shpalljen e një projekti të madh, të gjithanshëm, kapilar të rrjetëzimit dhe rivitalizimit të bibliotekave, të paktën në mënyrën siç e nisën dhe e realizuan vite më parë universitetet private. Natyrshëm që shteti ka mijëra mekanizma të tjerë, fiskalë apo nxitës, për ta shpejtuar dhe përvetësuar akoma më thellë e më mirë këtë projekt, por siç duket nuk është aspak i sinqertë me studentët për plotësimin e kësaj pike, përndryshe nuk ka se si shpjegohet shterpësia dhe mungesa e vizionit dhe kreativitetit që dikton rinia e sotme. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se fokusimi në libra të veçantë dhe specifikë për lëndët dhe kërkimet shkencore universitare, do t’i japë rigjallërim dhe frymëmarrje edhe shtimit të botimeve nëpër këto fusha, që kuptohet që janë të kushtueshme dhe të specializuara. Mirëpo kjo do të riniste një rrugëtim aq të domosdoshëm dhe vital për ndihmën e literaturës formuese të shkollës sonë kombëtare, një kusht ky jo i vetëm i Kartës së Bolonjës, por vendimtar edhe në fuqizimin e identitetit tonë kombëtar. Duket qartë që një kërkesë aq e thjeshtë studentësh, nëse ke vullnet dhe dije, mund të kthehet fare mirë në një katarakt mundësish të tëra zhvillimi dhe oksigjenimi të shumë aktiviteteve të tjera qoftë ekonomike, qoftë kulturore apo dhe artistike. Le t’ua mbushim bibliotekat me libra fëmijëve tanë, se tek e fundit kryesisht për ta mendojmë se i kemi prodhuar ato. Le t’ua bëjmë të ngrohta dhe argëtuese sallat e leximit, që së paku t’i largojmë nga zakonet e tjera e t’i kthejmë kah zakonit apo vesit më fisnik e më të bukur në botë, leximit, kultivimit nëpërmjet leximit. Vetëm pasi t’u kemi krijuar këto kushte, të vijmë e t’u flasim, për të ardhme e për politikë, apo t’u kërkojmë votat, të cilido krahu qofshim.

Ata janë studentë, nxënës shkollash, dhe detyrë parësore kanë të studiojnë, të formohen, jo të protestojnë e të ngujohen për të na ulëritur në fytyrë një të drejtë të tyre legjitime. Pse i lamë vallë deri aty sa të na e bërtasin të vërtetën e thjeshtë dhe s’i paraprimë shumë më parë zgjidhjes së problemit. Kjo besoj është detyra e çdo qeveritari apo opozitari, t’iu dalë përpara problemeve, jo t’u afrohet pasi zjarri është ndezur. Deri tani, politikanëve tanë rrallë u ka ndodhur të jenë djegur nga zjarri i protestave. Që sot e tutje ta mendojnë dy herë përpara se të mos dëgjojnë e të vazhdojnë me shurdhërinë e tyre proverbiale, përpara thirrjes intelektuale që i ndjen dhe i parashikon këto zhvillime, duke dhënë me mençuri edhe zgjidhjen e tyre. Gjersa studentët na dhanë një shuplakë apo një grusht, të paktën gjysma e punës është bërë. Gjysma tjetër pritet të bëhet me vullnet e veprim, jo me shtrëngesë e detyrim.