Ballina Aktualitet Raporti “Emocionet Globale 2018” e rendit Shqipërinë si një ndër vendet më...

Raporti “Emocionet Globale 2018” e rendit Shqipërinë si një ndër vendet më pozitive në botë

Rritja ekonomike nuk tregon gjithmonë gjithçka. Sipas studimit më të fundit të Gallup, ndonëse jetojnë në një ndër shtetet më pak të zhvilluara të Europës, shqiptarët dinë të shijojnë jetën dhe nuk u mungojnë emocionet e mira.

Raporti “Emocionet Globale 2018”, nxjerr Shqipërinë si një ndër vendet më pozitive në botë, me 51% të personave që përjetojnë më shumë ndjesi pozitive se negative, për vitin e shkuar.

Vendi ynë renditet në vendin e 50 në listën e më pozitivëve në botë, nga 145 ekonomi të studiuara. Vendet që kryesojnë në këtë studim, janë ato latine, Paraguaji, Kosta Rika, Panama, të cilat duket se ‘ua bëjnë qejfin vetes’. Ndërsa të fundit të listë, janë vendet kryesisht me konflikte, përkatësisht Jemeni, Turqia, Iraku.

Në Ballkan, rezultatet janë të ngjashme, me një nivel më të ulët duket të jetë vetëm Maqedonia.

Studimi i ndërmarrë nga Gallup, priret të fokusohet pikërisht në sjelljet e njerëzve të një vendi dhe bazohet në pyetjet që iu janë bërë njerëzve kudo në botë rreth respektit për të tjerët dhe vetes, çfarë mësojnë dhe a u intereson ajo, a qeshin shpesh, a shijojnë ditët e jetës së tyre çdo ditë etj. Ndërsa për të kapur ndjesitë negative pyetjet bazoheshin në dhimbjet e përjetuara, shqetësimet, stresi etj.

Shqipëria është ndër më pozitivet në rajon. Kryeson me 51% të shfaqjes së pozitivitetit në jetën e përditshme, ndiqet nga Maqedonia me 47 %, Mali i Zi 46 %, Serbia me 42 %, Bosnja dhe Hercegovina me 41 % dhe Kosova me 41%, e listuar në fund.

Ndërsa Greqia jonë fqinje rezulton në nivelet më të stresuara në të gjithë botën, me rreth 66% të të intervistuarve që pohojnë se kanë përjëetuar stres ditëve të fundit.

Gallup mat emocionet e përditshme në 145 vende duke i pyetur njerëzit nëse ata kanë përjetuar pesë emocione pozitive dhe pesë emocione negative një ditë më parë. Pesë përvojat negative përfshijnë zemërim, stres, trishtim, dhimbje fizike dhe merak. Pesë përvojat pozitive përfshijnë të ndihesh i çlodhur, i trajtuar me respekt, i gëzuar, i qeshur, duke mësuar ose duke bërë diçka interesante. Vendet me më pak dhe më shumë emocione janë të bazuara në renditjen e mesatareve të përgjigjeve “po” për të gjitha pyetjet.

Në mënyrë të veçantë, pyetjet në lidhje me emocione pozitive dhe negative formojnë përkatësisht indekset pozitive dhe negative të Gallup. Të dy indekset synojnë të matin se si njerëzit jetojnë jetën e tyre – në krahasim me mënyrën se si njerëzit shohin jetën e tyre.