Ballina Bota Ministri britanik: Shtyrja e Brexitit thyen besimin e elektoratit

Ministri britanik: Shtyrja e Brexitit thyen besimin e elektoratit

Shtyrja apo anulimi i Brexitit mund të rezultojë me thyerje “shkatërruese” të besimit për elektoratin dhe është propozim më i keq sesa mundësia e largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje, ka thënë ministri britanik i Tregtisë për Brexit, Liam Fox.

Fox ka thënë për BBC-në se shtyrja përpara e idesë për zgjatje të procesit po bëhet me qëllim të ndalimit të Brexitit.

Sipas tij një hap i tillë do të përbënte “rezultatin më të keq”.

Ministri britanik u ka thënë ligjvënësve se duhet të mendojnë për “pasojat politike” të shtyrjes së Brexitit dhe jo vetëm për “pasojat afatshkurtra ekonomike”.

Ligjëvënësit britanikë janë duke propozuar plane të ndryshme për Brexitin, duke përfshirë idenë e shtyrjes së datës së largimit nga BE-ja.

Mirëpo kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se “mënyra e duhur” për të përjashtuar mundësinë e Brexitit pa pakt është përmes pranimit të planit të saj, të refuzuar tashmë.

Sipas ligjit aktual, Mbretëria e Bashkuar duhet të largohet nga BE-ja më 29 mars, pavarësisht nëse do të arrihet ndonjë pakt.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja në krahasim me 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.