E përgatiti për publikim Isa Maloku
Marr nga libri: Si u themelua ilegalja “Organizata për bashkimin e trojeve shqiptare”, të autorëve Remzi Baloku dhe Ryzhdi Baloku.
Ishte qershori i vitit 1964, vërenim lëvizje jo të zakonshme të njerëzve të pushtetit.
Ishte periudhë kohore kur UDB-a në tërë Kosovën ishte në vlugun e përvetësimit të konfidentëve. Të tillët për qëllime të caktuara, zakonisht i lejonte të merreshin me ndonjë tregti apo veprimtari tjetër të kundërligjshme, në mënyrë që vazhdimisht t’i kishte në dorë dhe “t’i shtrydhte si limonin”.
Vërenim se përcjellshin personat e caktuar, mirëpo megjithatë mendonim ndoshta është ashpërsuar përcjellja e lirisë së lëvizjes.
Meqë ishim pjesëtarë të ilegales kjo na binte në sy më tepër se të tjerëve.
Çastet e zbulimit dhe të burgosjes së veprimtarëve të ilegales
Në këtë periudhë kohore sekretar i sekretariatit për punë të brendshme për regjion të Pejës ishte Rajko Vidaçiq.
Në mëngjesin e hershëm pa zbardhur dita, me dt. 8 qershor të vitit 1964, babai im kishte dëgjuar një rrapëllimë (krismë) rreth shtëpisë dhe kishte dalë në oborr për të shikuar se ç’është, me të dalë milicët e kishin ndaluar me pyetjen: “ku po shkon”, dhe pasi i vëren se janë milicë, iu kishte përgjigjur po shkoj në tualet (i cili ishte i ndarë nga shtëpia), në atë përgjigje kishte pasuar pyetja nga babai im: “po ju çka po kërkoni”, njeri nga ata iu kishte përgjigjur: “po e kërkojmë Remzi Balokun”. Në atë moment, më zgjon nga gjumi britma e babait tim me fjalët: “Remzi, jemi rrethuar”.
Zgjata kokën në dritare dhe vërejta një grumbull milicësh e civilësh që e kishin rrethuar shtëpinë, prandaj me të shpejtë vesha pantallonat, por nuk arrita t’i veshi çorapet, pasoi thyerja e derës së dhomës ku flija me bashkëshorten dhe fëmijën tim të parë, i cili i kishte vetëm gjashtë muaj.
Mu mbush dhoma me milicë e udbashë, mu afruan disa të më mbajnë për duarsh dhe njeri nga ata, një udbash shqiptar, m’i vuri prangat në duar.
Me të dalë nga dhoma vërejta se të gjitha dyert e dhomave ishin thyer dhe qëndronin hapur. Në shtëpi banoja me prindër, motra e vëllezër dhe të gjithë ishin zgjuar nga thyerjet e dyerve, që i kishin shkaktuar milicët me udbashët jugosllavë.
Ashtu me duar të lidhura me zbriten në oborr duke me shtyrë me tyta pushkësh dhe automatikësh.
I tërë oborri ishte i mbushur me milicë e udbashë, të cilët e kishin rrethuar shtëpinë.
Vërejta se nëna, motrat dhe vëllai i vogël të cilët kishin dalë pas meje ishin shumë të shqetësuar, prandaj për t’i qetësuar iu brita mos u frikoni se këta munden vetëm me ma hanger (ngrënë) m… Pas këtyre fjalëve udbashët më larguan pas koshit të misrit që ishte i vendosur në oborr pranë shtëpisë dhe filluan të më torturojnë fizikisht dhe secili që më afrohej më shtrëngonte në fyt dhe me grushtonte duke me thënë: “a unë me ta ngrënë m…” (“ja da ti jedem g…”).
Pas një kohe jo aq të gjatë me qitën para shtëpisë në rrugë ku pashë shumë milicë. Më futën duke më shtyrë në automjet (maricë) të milicisë dhe me dërguan në punëtorinë e rrobaqepësisë ku gjatë kësaj kohe milicia e udbashët e kishin pas rrethuar Çarshinë e Vogël për të ma bastisur punëtorinë, në të njëjtën kohë derisa më bastisej shtëpia.
Remzi Baloku, pas arrestimit me pranga në duar
(Fotografi nga arkivi i SPB – UDB-ës)
Po në këtë kohë bastisej aty afër punëtorisë sime edhe punëtoria e zdrukthëtarisë së Hyvzi Lipës.
Pas bastisjes së punëtorisë më dërguan në burg të Pejës, ku më ngujuan në një qeli, vetëm. Mu kujtua se në kuletë, në xhepin prapa të pantallonave, me këtë rast e kisha një listë me emra e mbiemra të cilën qysh herët baca Sylë ma kishte dorëzuar pas kthimit nga mbledhja me shokët nga Prizreni dhe nuk di as vetë si e kisha harruar dhe e mbaja me veti.
Me këtë rast nuk u brengosa pse më burgosën, por me kaploi brenga që e kisha listën, se po të ma zbulonin, me të gjetur të saj do të burgoseshin edhe shumë veprimtarë (të cilët edhe më herët si pjesëtarë të NDSH. i kishin përjetuar burgjet e Jugosllavisë) dhe pa u hamendur, e që pata fat në fatkeqësi që nuk m’i kontrolluan xhepat menjëherë, ashtu i lidhur në pranga, i afrova të dy duart te xhepi i pantallonave ku nxora kuletën ku ishte e vendosur lista (letra) dhe duke e parë që nuk kisha rrugëdalje tjetër, u detyrova që ta grisi dhe ta gëlltis.
Pas kësaj vazhduan torturat sistematike fizike dhe psikike.
Më nxorën nga qelia dhe shkallëve përpjetë të lidhur me pranga në duar më dërguan në një dhomë, në të cilën ishin renditur rreth dhjetë udbashë. Me të hyrë në atë dhomë, kryeudbashi Mile Kostiq (i cili më herët ishte banor i Nishit), mu drejtua me fjalët: “nënën … si është folur për ty kam kujtuar se je më i madh, kam menduar se çfarë njeriu do të shoh …” (“majku… kako se pričalo o tebi mislio sam da si veċi, kakvog čoveka ċu da vidim …”), ndërsa unë iu përgjigja: kurrgjë nuk jam unë çka ka jashtë, më pyeti: kush janë, iu përgjigja: i gjithë populli shqiptar.
Më ulën në një karike pa mbështetëse (oklicë), ku pos atyre që më sollën aty, përballë qëndronin të gjithë udbashët që i ceka, që më vonë e pata kuptuar se ishin nga anë të ndryshme të Kosovës. Më të ulur në karikë, filloi të më grushtojë kryeudbashi Mile Kostiq dhe herë pas here të tjerët më binin pas qafe. Nga të rënat në kokë dhe fytyrë, nga fyti dhe hundët me dilte pështymë e gjak, së bashku me nga ndonjë copëz të letrës që e kisha gëlltitur. Brengosesha që mos po i vërejnë ato copëza letre të përziera me gjak, sepse po t’i vërejshin do të më pyesnin se çka ka pasur të shkruar në letër, mirëpo për fat, në këtë fatkeqësi, atyre nuk iu interesonte qitja e gjakut nga goja që të shikojnë se çka qitja.
Gjatë kësaj torture në një moment më ranë më fuqishëm me pendrek pas koke, më ç’rast mu ka skuqur të pamurit dhe e kam humbur vetëdijen.
Ashtu i shtrirë në dysheme nuk e di për sa kohë, e vërejta se më ishte kthyer vetëdija, isha i dërmuar, i përgjakur, nuk mund të lëvizja, vërejta se isha vetëm kur në një moment e dëgjova lëvizjen e derës që u hap, lëviza kokën ngadalë dhe e drejtova shikimin kah dera, e pash se hyri një udbash shqiptar, të cilin si duket e kishin pas dërguar të më shikojë se mos kam vdekur nga torturat të cilat i kisha përjetuar, e të cilit i thash: a po e sheh se çka po bëjnë? (kisha për qëllim t’ia bëj me dije, se çka janë e çka bëjnë shkijet, kur iu vie për dore …), ai vetëm i rudhi krahët, për të ma bërë me dije se nuk ka çka të bëjë.
Në ndërkohë erdhi i ashtuquajturi udbashi Sokoll Durleviç me udbashin Mile Vujeviç (që të dy me herët banorë të Ferizajit), me udbashë të tjerë, në krye me kryeudbashin Mile Kostiç i cili mu drejtua me fjalët: “ti qenke kokëfortë si axha yt Osmoni, sepse atë e kemi pasë lidhur me zingjirë dhe vjerr prej këmbesh, gati pat vdekur e nuk pranonte …, por na ty gjallë nga këtu nuk kemi për të lëshuar …”. Me këtë rast udbashët Sokoll Durleviç e Mile Vujeviç me kapën prej krahësh dhe ashtu me pranga në duar që mi kishin vënë, më çuan shkallëve teposhtë për të më dërguar në qeli. Duke më dërguar shkallëve mezi ecja, ashtu të dërmuar e krejtësisht të përgjakur me pau milici me emrin Bajram, i cili më vonë shokut tim Islam Kajtazit i kishte pasë treguar se në çfarë gjendje më kishte parë.
Qelia në të cilën më kishin vendosur ishte e zbrazët dhe mund të shtrihesha vetëm në dysheme, ku në vend të shtratit e përdorja (nën bel) një gjysmë fshese dore, ndërsa për jastëk i përdorsha këpucët.
Gjatë kohës së hetuesisë, udbashët e ndryshëm (e ndër ta më së shumti e më se shpeshti: Mile Kostiç, Sokoll Durleviç e Mile Vujeviç) më mundonin të pranoj se cilët kanë qenë të kyçur në organizatë, nuk pranoja, përkundër që më thonin se filani e filani kanë pranuar, bile për bacën Sylë në gjykim pata deklaruar: “Sylë Shalën nuk e pranoj për anëtar të organizatës”, me qëllim që ta shpëtoj nga burgu, duke e ditur se tërë rininë e kishte kaluar nëpër burgje, së paku pleqërinë mos ta kalonte aty, por as kjo nuk më bëri punë.
Vazhdimisht dhe pa ndërprerje merresha në pyetje dhe gjatë kësaj kohe udbashët lodheshin duke me pyetur e torturuar, prandaj edhe ndërroheshin, derisa mua totalisht më dërmonin dhe fare nuk më lejonin të flija.
Ka pasur rast që për rreth 48 orë rresht jam marrë në pyetje, duke mos më lejuar as ujë të pijë, me atë rast me kishte kapur barku pa dalë për nevojë fiziologjike një kohë të gjatë dhe pas shumë kërkesave që iu drejtova udbashëve që të më lejojnë të shkoj në tualet, atëherë udbashi Sokoll e ftoi punëtorin e UDB-ës Jashareviç, që të më përcjellë deri aty. Pas daljes nga tualeti ashtu me duar të lidhura në pranga, iu afrova kroit që ishte në korridor të tualetit për të pirë ujë meqë kisha etje shumë, përkundër kësaj, punëtori i UDB-ës Ramo Jashareviç nuk me lejoi që të pij ujë.
Pasi më ktheu të udbashët në vendin ku më merrnin në pyetje, udbashi Sokoll e pyeti Jashareviçin mos më ka lejuar të pij ujë, ky iu përgjigj se detyrën e ka kryer me përpikëri sipas urdhrit të dhënë.
Kështu në gjendje pagjumësie, me etje të madhe, udbashët ndërroheshin duke më marrë në pyetje, duke më torturuar në forma të ndryshme, megjithatë shumë veprimtarë kanë mbetur të pa zbuluar, pos atyre që UDB-a ka pasur argumente, e që në ndërkohë kam kuptuar se me të vërtetë ata vetë gjatë hetuesisë kishin pranuar, prandaj edhe jam pajtuar me ato prezantime.
Format e torturimit që m’i kanë bërë udbashët gjatë hetuesisë, kanë qenë të llojllojshme, përshkrimin e metodave të torturimit i kam paraqitur edhe në kujtimet e paraqitura më lart (lidhur me pozitën e shqiptarëve gjatë aksionit të grumbullimit të armëve, e deri në kohën e plenumit të Brioneve) të cilat i kanë aplikuar edhe tek unë.
Format e torturimit ndaj të burgosurve politikë nga udbashët jugosllavë është vështirë të përshkruhen, sepse njeriu normal nuk mund t’i logjikojë veprimet e tilla.
Nuk e besoj se ka pasur shqiptar që është burgosur për veprimtari politike e që ka mundur të dalë nga duart e UDB-ës pa e kaluar bile procedurën rutinore të “fallakut dhe dajakut”, por dikush më shkurt e më pak, e dikush më gjatë e më shumë.
Me dt.08.06.1964 kishin pas burgosur edhe shumë veprimtarë tjerë të ilegales nga Peja dhe qytete tjera të Kosovës, ndërsa një ditë më herët e kishin pas burgosur Ramadan Shalën, pjesëtar i LRBSH. Veprimtarët e ilegales nga Gjakova i patën sjellë në burg të Pejës për ta zhvilluar procesin e hetuesisë. Zeqë Shalën, pjesëtar i organizatës ilegale BTSH e kishte burgosur KOS-i jugosllav, meqë në atë kohë ishte duke e kryer shërbimin ushtarak. Atij me të rrahura në kokë ia kanë lënduar trurin.
Gjatë kësaj kohe në burgun hetues të Pejës, anëtarët e ilegales i kishin shpërndarë nëpër qelia ndaras, kështu që me të hapur të derës së qelisë, e dinim se nga cila qeli është marrë në pyetje, që e priste procedura e përshkruar më lartë.
Më vonë pata marrë vesh se me të dëgjuar se jemi burgosur, Xhemshit Duriçi i Obranqes së Podujevës për mos me i rra UDB-ës në dorë, ishte fshehur në shtëpi te disa shokë dhe në disa vende tjera.
Pas disa ditësh me të kuptuar se nuk e kanë kërkuar organet e sigurimit jugosllav (sepse unë nuk e pata qitur), Xhemshiti kthehet në shtëpi të vet. Kështu shumë veprimtarë të organizatës ilegale BTSH kanë mbetur pa u zbuluar.
Me rastin e burgosjes sime, vëllai im Zyhdi Baloku ishte në studime në fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Beogradit. Me të dëgjuar për këtë burgosje në atë kohë, i përkujton sot ato momente si vijon: Në një anë me kishte kapluar brenga për burgosje … dhe njëherit isha “nën ethet e pritjes” së momenteve kur do të vijnë udbashët të më burgosnin, nuk guxoja as ta konsultoj dikë … të nisem për Pejë, e analizoja se mund të burgosesha rrugës e të zhdukesha pa më parë askush nga shokët pa e ditur se çka u bë me mua. Më në fund vendosa të nisem për Pejë.
Me të arritur në shtëpi dhe menjëherë pasi u përshëndeta me anëtarët e familjes, shkova në dhomë të kërkoj fotrollat e telave të kitarës, sepse në njërën nga fotrollat e telave e kisha fshehur të palosur një flamur kombëtar që e pata ruajtur për vete sepse konsideroja se e kisha vizatuar më së bukuri. Pas gjithë asaj rrëmuje të UDB-ës që nuk kishin lënë pa çfletuar libër apo fletore, kishin çuar edhe dërrasat e dyshemesë së shtëpisë, në fotrollën e telit të kitarës e gjeta flamurin që e kisha fshehur, sepse sikur të ishte gjetur kuptohej se kush i kishte vizatuar edhe flamujt që më herët ishin shpërndarë e qitur, e për këtë me priste burgu, mirëpo për fat këtë nuk e kishin vërejtur, prandaj shpëtova pa rënë në burg.
Pas kthimit në Beograd gjatë afatit të provimeve me ftoi një profesor në kabinetin e tij dhe ma tha troç, ne e dimë se për çka të është burgosur vëllai, prandaj lirisht mund ta lëshosh fakultetin, se ti në Beograd s’ke çka të lypësh, ne njerëzit e tillë që punojnë kundër nesh nuk i lejojmë të na shfrytëzojnë. Kështu mu deshtë t’i lë studimet e mjekësisë, më vonë në Prishtinë e kreva fakultetin ekonomik.