Ballina Rajoni Sfidat e Maqedonisë në rrugën e integrimeve

Sfidat e Maqedonisë në rrugën e integrimeve


Majlinda Bregu, në cilësinë e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ndodhet për vizitë në Shkup ku po takohet me zyrtarë të larë qeveritarë. Zonja Bregu theksoi mbëshetjen e Këshillit, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, për nismat dhe bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sekretarja e re e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu theksoi në Shkup kënaqësinë e të gjithë mbështetësve të rrugës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor me lajmin e mirë, siç e quajti atë të votimit të ndryshimeve kushtetuese për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Ndërkohë, Zëvendës-kryeministri i ngarkuar me çështjet evropiane në Qeverinë e Maqedonisë, Bujar Osmani ka shumë shpresa se Maqedonia pas aktit të ndryshimeve kushtetuese do të bëjë hapa të dukshëm përpara drejt integrimeve euro-atlantike.

Zonja Bregu ndërkaq, vuri në dukje angazhimet e Këshillit që drejton për ndihma konkrete të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nga ana tjetër, faktorët politikë në vend ndodhen para një sfide, atë të zgjedhjeve presidenciale në të cilat ende nuk dihet se si do të dalin partitë e koalicionit qeveritar apo edhe çështja e hapur e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare, që për momentin nuk gjen mbështetje tek partia shqiptare në pushtet BDI.

Maqedonia është ndër shtetet e para të rajonit që mori statusin vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, qysh në dhjetorin e 2005-s, por krizat e shpeshta politike, devijimi disa vjeçar në fushën e sundimit të ligjit dhe shkalla e lartë e korrupsionit bënë që Maqedonia të mbetej në vend-numëro. Autoritet qeveritare shpresojnë se në qershorin e këtij viti do të hapen bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në takimin e nivelit të lartë të NATO-s ajo që tashmë njihet si Maqedonia e Veriut të ftohet si anëtarja e tridhjetë e Aleancës.