Ballina Shëndet Cilat janë sëmundjet që marrin më shumë jetë grash në Shqipëri?

Cilat janë sëmundjet që marrin më shumë jetë grash në Shqipëri?

Statistikat e shëndetit, të publikuara nga INSTAT,  paraqesin të dhëna të detajuara mbi diferencat gjinore në fushën e shëndetësisë, si shkaqet e vdekjeve, sëmundshmërinë nga HIV/AIDS etj, bazuar në klasifikimin Ndërkombëtar “ICD-9” të shkaqeve të vdekjes.

Shkaqet kryesore të vdekjeve si tek gratë ashtu dhe tek burrat vijojnë të jenë “grup-sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut”, të cilat shkaktojnë 56,8 % të vdekjeve tek gratë dhe 50,7 % të vdekjeve tek burrat.

Dy shkaqet e tjera më të rëndësishme janë “simptomat shenjat dhe sëmundje të papërcaktuara”, që shkaktojnë vdekjen për 18,9 % të grave dhe 13,4 % të burrave, dhe tumoret nga të cilët vdesin 13,1 % e grave dhe 19,4 % e burrave.

Nga 17 grup-sëmundje të marra në shqyrtim, rezulton që për grupmoshat nën 65 vjeç, dy janë ndër sëmundjet që marrin më shumë jetë grash krahasuar me burrat. Kështu, sëmundje të sistemit të kockave dhe të kyçeve, si dhe anomalitë e bashkëlindura janë dy grup-sëmundje nga të cilat vdesin më shumë gra sesa burra të grupmoshës nën 65 vjeç; përkatësisht, për 100.000 banorë, 0.9 gra vdesin nga probleme me kockat, krahasuar me 0.2 burra, si dhe 1.2 gra vdesin nga anomali të bashkëlindura, nga 0.7 burra.  Ndërsa mbi 65 vjeç, shtohet numri i sëmundjeve nga të cilat vdesin më shumë gra sesa burra.

Statistikat janë rritur ndjeshëm kur flitet për sëmundjet kockave dhe kyceve, me rritje 42.3%, sëmundje të frymëmarrjes, të sistemit nervor apo sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes.

Sëmundjet infektive e parazitare, sëmundjet mendore, sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, sëmundjet e kockave, anomalitë e bashkëlindura dhe simptoma shenja dhe sëmundje të papërcaktuara janë disa nga grup-sëmundjet që marrin më shumë jetën e grave mbi 65 vjeç, krahasuar me burrat e të njëjtës grupmoshë.

Analiza sipas grupmoshave për “simptomat shenjat dhe sëmundje të papërcaktuara”, të cilat janë shkaku i tretë kryesor i vdekjeve, tregon për diferenca të larta gjinore për moshat nën 65 vjeç dhe mbi 65 vjeç. Kështu, nëse për moshat nën 65 vjeç janë burrat ata që vdesin më shumë nga sëmundje të papërcaktuara, përkatësisht 18.6 burra për 100 mijë banorë dhe 7.0 gra për 100 mijë banorë; për grupmoshat mbi 65 vjeç, janë gratë ato që vdesin më shumë nga këto sëmundje, përkatësisht 970,5 gra për 100 mijë banorë dhe 712.9 gra për 100 mijë banorë.

Vekja nga tumoret, dominojnë burrat

Grupi i sëmundjeve të “Aparatit të qarkullimit të gjakut” janë shkaku kryesor i vdekjeve si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt, përkatësisht 210 dhe 205 për 100 mijë banorë. “Tumoret” janë shkaku i dytë  kryesor i vdekjeve për të dyja gjinitë, me një dominancë tek meshkujt, prej rreth 30 pikë përqindje. Niveli  i vdekshmërisë për këtë grupsëmundje shënon vlerën 78,3 për meshkujt dhe 48,5 për femrat për 100 mijë banorë.

/ Shendeti.com.al