Nga: Nuredin S.Lushaj, arsimtar veteran e autor botimesh
E kam njohur që në rini, këtë burrë atdhetar e luftëtar të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), jo vetëm se kemi banuar familjarisht afër njëri-tjetrit, por edhe sepse babai im, Sadik Selman Lushaj e ka pasur atë njeri të dashur ose “jaran”, si shprehemi nga anët tona. Po kështu, i kam njohur nga afër të bijtë e tij dhe, kur e ushtrova detyrën e mësuesit, u dhashë mësim nipërve e mbesave. Prandaj, shpesh here, kam dashur që të shkruaj pak radh,ë për jetën e tij të thjeshtë, por që e frymëzon brezin e ri, për ta dashur sa më shumë Shqipërinë.
Zef Marash Gecaj lindi më 15 tetor 1887, në fshatin e bukur malor të krahinës së Nikaj-Mërturit, Curraj i Epërm, atje ku shkoi për herë të parë, para disa kohësh, rruga e makinës. Babaj i tij quhej Marash Uka , ndërsa nëna Cucë Kadria, bijë nga një familje e njohur e fshatit Mulaj, të asaj ane. Në fundin e shekullit 19-të, pra kur ai ishte vetëm 6 vjec, u shpërngulën fammiljarisht për në fshatin Markaj të Tropojës. Për ta siguruar mbijetesën, më i rrituri i konakut, Mark Halili dhe ai, u morën kryesisht me blegtori. Por, si i thonë fjalës, mbetën “me plaka në krahë”, pasi më vonë u shpërngulën për në fshatin e vogël Rosujë dhe më tej, në Fang të Bujanit.
Në vitet para shpalljes së Pavarësisë, jo vetëm në fshatrat Markaj e Bujan ose në Kolgecaj e më tej, në Malësinë e Gjakovës, nuk kishte shkollë. Pra, Zefi i vogël mbeti pa mësuar shkrim e këndim. Por, nga natyra, kishte zgjuarësi të vecantë. Duke qendruar pranë të moshuarëve, mësoi qindra vargje të këngëve popullore, sidomos këngët e Mujës e Halilit, nga “cikli i kreshnikëve”, pasi kishte dhe një kujtesë për t’u admiruar.
Kur Zef Marashi mbushi moshën afër 25-vjecare, pra në periudhën e kryengritjeve të mëdha antiosmane, u përshi në valën e tyre. Në këtë detyrë atdhetare e tërhoqi kryesisht bashkëfshatari, nga Curraj i Epërm, atdhetari i njohur, Gjelosh Ramë Mrishaj. Ky kishte nisur të bënte emër për qendresën e vendosur ndaj cdo pushtuesi. Por tërë populli i Malësisë së Gjakovës kishte rrokur armët, për liri e pavarësi. Ata kishin në krye Bajram Currin, tani “Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”, me bashkëpunëtorët e tij. Me guxim e trimëri të pashoqe, ata u përballën ndaj sulmeve të egra të pushtuesve osmanë.
Nga një kujtimi i Zefit, për luftën e njohur të Carralevës, në maj 1912, afër Gjakovës së Kosovës, sic ka komentuar dhe një historian, shumë vite më vonë, dëshmohet:
“Asqeri i Vesel Pashës a hi në Gjakovë e dojshin me na shkelë vendin, me na marrë sylahin (armët) dhe me na shtërngue me shkue nizamë e me dhanë xhelep e vergji. Atëherë, asht qitë potera (kushtrimi) në Malësi, me i dalë përparra dhe me e pritë me luftë anmikun. Kush mujti me ecë e kush ka pasë shëndet , u bashkuan me nji fjalë, “ në shtatë e në shtëtëdhjetë” vjec….
Në atë luftë të rrebtë, Papuca i Dojane (Ali Jakupi) e vrau bimbashin, por mbeti edhe vetë i vramë. Më vonë, populli i këndoi kështu: “Qai Papuca, djalë i ri,/ fort po qet kapakli,/ i bjen bimbashit bri për bri./Bani bimbashi, “hajmedet”/ c’më përpoqi në këtë milet!?” Aty u vra edhe Ndue Zeneli, prej Nikaj-Mërturit. Ushtria osmane iku dhe aty mbeti topxhia. Atëherë, Ndou shkoi me pushkë në dorë drejt atij. Të dy e qëlluan shoqi-shoqin dhe mbetën të vdekun”(Kujtim nga Zef Gecaj, në librin “Lufta për lirimin kombëtar, në vitet 1878-1912”, Tiranë, faqe 445, përgatitur nga Petraq Pepo).
Armën Zefi e mbante gjithmonë pranë dhe dinte ta përdorte mjaft mirë. Për këtë gjë dëshmohet edhe nga fakti se shpesh shkonte i armatosur, kur e kërkonte Bajram Curri, i cili zakonisht rrinte te malësori Shpenda Balia, në fshatin Margegaj dhe te Sali Mani, në fang të Bujanit, si dhe te Dulë Alia, në Dragobi e tjerë. Për bashkëpunimin e tij me “Plakun e Maleve” B.Curri, flet edhe një copë leximi, në librin “Këndim”, për klasët e 4-ta dhe që qarkulloi në Shqipëri për disa vite shkollore(1959-1970). Aty tregohet edhe se si xhandarët zogistë e arrestuan kusheririn e tij, Mark Halilin, sepse nuk e tregoi vendndodhjen e Bajram Currit.
Në vitet e luftës për liri, djali i madh i shtëpisë , Xhemë Pjetrush Gecaj u lidh ngusht me Lëvizjen Antifashiste. Ai ishte pjesëtar i cetës së parë partizane të Tropojës, e cila u krijua në maj 1942. Më pas, ai u reshtua në batalionin “Bajram Curri” e në Brigadën e 25-të Sulmuese dhe më tej në Brigadën e 6-të Sulmuese, e cila luftoi në ish-Jugosllavi. Në këtë periudhë, baba Zef e bashkëshortja e tij, Zojë Gjeloshi-Selmani (Gecaj), nga Kapiti, ishin përkrahës të kësaj lufte clirimtare. Në shtëpinë e tyre gjetën strehë, bukë e veshje, sa herë shkonin bashkëluftëtarë të Xhemës, deri nga Gjakova, duke venë edhe kokën në rrezik, nga pushtuesit fashistë e nazistë. Vecanësisht, ata u përballën me armikun pushtues, në Opercionin e Dimërit të vitit 1944.
…Pas clirimit të Shqipërisë, vetë Zefi punoi pa u lodhur për ndërtimin e jetës së re. Bijtë e tij ndoqën shkollat dhe shërbyen në radhët e Ushtrisë, në shtyp e në arsim. Gjithashtu, ata morën pjesë në aksionet rinisë, si në ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve në Tiranë, në hidrocentralin mbi lumin e Matit, në rugën automobilistike Shëmri-Kolgecaj, në hekurudhën Rrogozhinë-Fier etj.
Atdhtari e luftëtari Zef Marash Gecaj u nda përgjithnjë nga jeta, më 17 janar 1970, kryesisht, si shkak i gripit të rëndë të “Hang-Kongut”. Familjarë dhe shumë të njohur të tij e përcollën atë me nderimet, që meritonte, për në banesën e fundit. Megjithëse kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë, këtë burrë trim, luftëtar e atdhetar liridashës e përparimtar, e kujtojnë me nderim e respekt: bashkëkohës të tij dhe pasardhës të veteranëve të luftës e të punës, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë).
I paharruar qoftë, në breza, kujtimi i tij!
Tiranë, 15 janar 2019
Zef Marash Gecaj
Zef M.Gecaj, me nipin, Arianin (1967)