Pas votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend për emrin e ri të shtetit, Maqedonia e Veriut, kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e parë para opinionit vendimin e ka quajtur historik ndërsa në vlerësimet e dhëna disa herë e përmendi emrin e ri të shtetit.
“Për këtë moment historik, falënderoj çdo deputet dhe deputete. E di sa ishte e vështirë. Unë e kuptoj hidhërimin dhe zemërimin e disave që nuk e pranojnë rezultatin e votimit, por i kuptoj edhe ata që janë të lumtur dhe që festojnë. Ne po shkruajmë një realitet të ri në Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila së shpejti do të bëhet anëtare e NATO-s dhe e BE-së”, deklaroi Zaev duke besuar në ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes edhe nga pala greke.
“Unë besoj fuqishëm se shteti mik i yni, Greqia do të ratifikojë Marrëveshjen e Prespës dhe se do të jetë vendi i parë që do të ratifikojë dokumentin për qasjen e Maqedonisë në NATO”, u shpreh kryeministri Zaev.
Kryeministri Zaev tha se pas votimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mbylljes së kontestit 27 vjeçar të emrit, vendin e presin sfida të shumta për ngritjen e standardit të qytetarëve.
“Nuk ka më ndalesa pasi tani është koha për të zgjidhur çështjet e brendshme. Unë pres që të gjithë ministrat dhe drejtuesit e komunave të jenë më efikas në punën e tyre. Kemi një qëllim të përbashkët, që bëjmë jetën më të mirë për të gjithë”, ka deklaruar Zaev.
Opozita nga ana tjetër edhe një herë vendimin e ka quajtur të dëmshëm për vendit, identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase. Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
“Zoran Zaev para kohe e riemëroi atdheun duke u bazuar në një marrëveshje e cila ende nuk ka hyrë në fuqi. Kjo është e turpshme! Zoti Zaev, Maqedonia sot nuk feston. Maqedonia sot është mbuluar në të zezë sepse ju shitët, shkelët dhe shkatërruar çdo gjë. VMRO-DPMNE-ja do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj që të ardhmen ta rregullojë këtë padrejtësi”, ka deklaruar Mickoski duke paralajmëruar se të hënën do të paraqes kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare në të cilat siç tha “Zaevi do të merr dënimin e merituar nga populli për vendimin kapitullues”.
Kryeministri Zaev tha nga ana tjetër se organet e partisë së tij, LSDM do të shqyrtojë kërkesën e opozitën edhe pse siç tha “Mickovski kërkon zgjedhje por lutet që këtë të mos e pranojmë”.
Kuvendi i Maqedonisë me 81 vota “për”, ka miratuar të premten në mbrëmje ndryshimin e Kushtetutës për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit 27 – vjeçar të emrit.
Marrëveshja e arritur mundëson anëtarësimin e saj në NATO me emrin Maqedonia e Veriut si dhe nisjen bisedime për anëtarësim në BE, në qershor të këtij viti.
Kontesti mes dy vendeve daton që nga viti 1991, kur Maqedonia kishte shpallur pavarësinë, ndërsa Greqia kishte bllokuar integrimin e saj në NATO dhe BE, me arsyetimin se fqinji i saj mund të ketë pretendime ndaj territorit të saj verior që, po ashtu, quhet Maqedoni.