Salah rizgjidhet futbollisti afrikan i vitit

Futbollisti egjiptian i klubit anglez të Liverpoolit, Mohamed Salah, është zgjedhur për herë të dytë radhazi si futbollisti afrikan i vitit.

Sipas një deklarate të Konfederatës Afrikane të Futbollit, Salah ka fituar çmimin e futbollistit të vitit 2018 gjatë një ceremonie në kryeqytetin e Senegalit, Dakar.

Në votimin e drejtorëve teknikë të vendeve anëtare dhe zyrtarëve të federatave, Salah, i cili çmimin e njëjtë e fitoi edhe vitin e kaluar, ka lënë mbrapa bashkëlojtarin Sadio Mane dhe fituesin e vitit 2015, gabonezin Pierre-Emerick Aubameyang.

Deri më tani, çmimi i dhënë për herë të parë në vitin 1992 është fituar nga 17 futbollistë të ndryshëm. Futbollistët që më së shumti e kanë pranuar këtë çmim janë kamerunasi Samuel Eto’o dhe Yaya Toure nga Bregu i Fildishtë me nga katër çmime.AA