Ballina Kulturë Shënohet për herë të parë, që nga një i huaj realizohet një...

Shënohet për herë të parë, që nga një i huaj realizohet një krijim në vargje për Plisin e Bardhë Shqiptar

Nga Agron Isa Gjedia

Tiranë më 09.01.2019.

Me datën 04.01.2019, në qytetin Norrköping të Suedisë, pata një takim të organizuar me z. Ullmar Qvick, personalitet i letrave të shkruara dhe mik i dëshmuar i Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi.
Ai takim u realizua në prani të z. Fahredin Berisha, Kryetar i Shoqatës Shqiptare “Iliria” në Norrköping, dhe z. Asim Mala, me qëndrim në Suedi, kontributor i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, dhe z.Agbel Gjedia, nxënës në Suedi.
Shoqatën Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, pasi kishte miratuar një vlerësim për z. Ullmar Qvick, në pamundësi pjesëmarrje në një aktivitet në nderim të këtij miku të shqiptarëve, mbajtur kohë më parë ne atë qytet ku ishim të ftuar, udhëtoi deri në vend për t`i dorëzuar vlerësimin e akorduar për të.

Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, me aktin e saj Nr.152, datë 26. 08. 2018, vendosi : “PËR VLERËSIMIN E NJË MIKU TË DESHMUAR PËR POPULLIN SHQIPTAR”.

Duke u mbështetur në rekomandimin që i ka ardhur Shoqatës, nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” Borås –Suedi, në zbatim të kritereve të përcaktuara në vendimin normues Nr. 12 datë, 16. 09. 2006, “Për përcaktimin e titujve e çmimeve të nderit”, i pasuruar përmes vendimeve të tjera, në kuadër të tetë- vjetorit të jetësimit të nismës së kësaj Shoqate që “Festa e Plisit të Bardhë” të shpallet si festë mbarëkombëtare, si dhe mbajtjes së Edicionit të 15-të të Festës së Bytyçit, por edhe shpalljes së vitit 2018 si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, si dhe vitit jubilar të dhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me votim konsensual vendosi:

Ta vlerësojnë  z.Ullmar Qvick, nga qyteti Norrköping, krahina e Ostergotlandës, Suedi, “Si njëri nga miqtë më të shquar dhe të nderuar të shqiptarëve, kulturës, dhe çështjeve të tyre në Gadishullit Ilirik. ME MOTIVACIONIN:
“I bazuar në parime universale të humanizmit ka arritur që përmes simpatisë dhe angazhimit të tij energjik, me një punë të shquar intelektuale, propagandistike, afirmuese, përkthimit të veprave cilësore të shkruara nga shqipja në Suedisht dhe anasjelltas, ka ndikuar jo vetëm që të shtohet simpatia e popullit Suedez për atë Shqiptar të Shqipërisë dhe viseve shqiptare në Gadishullin Ilirik, por edhe për integrimin e shqiptarëve që kanë emigruar atje, duke bërë të mundur që të çimentosen fort gurët themeltarë për një miqësi të përjetshme në mes popullit shqiptar dhe atij suedez”. Kryetari Av. Agron Isa Gjedia.

Pas vizitës që na sugjeroi të bënim në bibliotekën e qytetit, na udhëhoqi dhe na shpjegoi për skedarët e librave shqip që gjenden në fondin e asaj biblioteke, më pas na ftoi në një kafene, ku në një ceremoni të thjeshtë i dorëzuam Dekoratën e dhënë nga ana e Shoqatës dhe po ashtu i dhuruam edhe librat: “Plisi i Bardhë, Emblemë Hyjnore e Shqiptarisë”, me autor Agron Isa Gjedia dhe librin “Plisi i vargut tim”, përmbledhje poetike vetëm për plisin me autor nga të gjitha viset shqiptare dhe Diaspora Shqiptare në Botë, si dhe numrin e 15-të të gazetës “Bytyçi”.
Kurse nga ana e z. Ullmar Qvick, na u dhurua libri i tij voluminoz prej 503 faqesh, i përkthyer në shqip më titullin: “Më shumë heroizma se sa grurë”, literatura e shkruar na ana e tij në Suedisht dhe ajo e përkthyer në Suedisht që trajton Shqipërinë dhe Shqiptarët, botuar në Prishtinë në vitin 2013.

Në mes të tjerave nga ana e z. Ullmar Qvick, na u kumtua se pak kohë më parë po ashtu në Norrköping zv. Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Besnik Fahredin Hoti bashkë me disa nëpunës nga Ambasada, ishin kontaktuar për t`i dhuruar në Bibliotekën e Qytetit një shenjë falënderimi për punën e tij të gjatë për kulturën shqipe në Suedi, sikurse janë përkthimi i poezisë shqipe, puna me disa fjalorë Suedisht – Shqip dhe Shqip – Suedisht, si dhe duke përkrahur në mënyrë të lloj-llojshme edhe mërgimtarët shqiptarë në Suedi.
Bëjmë me dije se z. Ullmar Qvick ka një biografi të pasur jetësore dhe kontribute për Shqipërinë, Kosovën dhe Shqiptarët, të cilën do të gjejmë rastin për ta bërë publike për opinionin e gjerë.
Pas asaj ndarje të përzemërt dhe mbresëlënëse, për mua ishin befasuese disa shënime që më përcolli përmes internetit menjëherë pas asaj ditë, i cili në mes tjerash shkruante:

“Agron Gjedia,
Me mirënjohje për nderimin e treguar në emër të Shoqatës Mbarëshqiptare Bytyçi, Juve personalisht dhe Shoqatës ju uroj punë të mbarë gjatë vitit 2019-ës.
Më gëzoi fakti se në gazetën tuaj nderohet Anton Pashko. Kam botuar suedisht dramën e tij Gof. Tani u shtyp përsëri nën kujdesin e Sokol Demakut.
Po ashtu më gëzoi fakti se studiuesi Frrok Kristaj përmend në artikullin e tij edhe këtë përkthim timin (1996).
Ullmar Qvick ”

As më pak dhe as më shumë por kjo tregonte se ai e kishte shfletuar dhe lexuar menjëherë gazetën në fjalë.
Por sikurse rezultoi pa vonuar ai i kishte lexuar edhe librat që iu dhuruan nga ana jonë dhe i frymëzuar dhe duke i vlerësuar ato, kishte realizuar menjëherë një krijim në vargje i cili mbante datën 7.1.2019, ose 3 ditë pasi librat i kishin rënë në dorë për t`i lexuar.

Krijimi i tij përmbajtësor titullohej “Këngë Nordike për Plisin e Bardhë”, duke shënuar atë që një i huaj për herë të parë, të sjellë në shqip një krijim në vargje për Plisin e Bardhë Shqiptar, i cili është si më poshtë vijon:

KËNGË NORDIKE PËR PLISIN E BARDHË

Me plis të bardhë luftuan
për liri kundër armikut gjakatar
Me plis të bardhë punuan
për memëdheun, për një jetë të mbarë

Skendërbeu, Ded Gjo’ Luli, Bajram Curr’
Për besë, nder dhe burrni
Në luftë me armë nuk u dorëzuan kurrë
Dhanë jetën për të shtrenjtën liri

Dhe sa ka vuajtur Nëna Shqipëri
me të bijat e saj, trimëresha të heshtur
Kur shkojshin burrat në luftë për liri
luftuan gratë për bukë, për vatër, për fëmijë
që të jetonin në një botë më të lumtur

Sa e gjatë rruga plot mundime!
Sa e fortë besa e shqiptarit!
Plisin e bardhë e nderoi një trime
Shote Galica, të dimrit e beharit
flijoi jetën për të shtrenjtën Shqiptari!

Plisit të bardhë ia dhashë këngën time
E bardhë si bora jonë është Shqipëria trime
Nga vendi nordik i borës ju shikoj
dhe me fjalë të mira dua t’ju nderoj

Ju uroj punë të mbarë , suksese dhe gëzime
Të mos shuhet flaka jonë për liri dhe përparime!
Drejtësia është themel i jetës njerëzore
Me bukë, kripë e zemër do të korrim fitore!

Veriori (Ullmar Qvick) më 7 janar 2019

Me këtë rast shënoj se z.Ullmar Qvick, e përcolli atë takim në faqen e tij në internet si vijon:

“ Ullmar Qvick është me Agron Isa Gjedia.
Dje në orën 2:59 MD
Igår hade jag ett trevligt sammanträffande med Agron Isa Gjedia, advokat från Albanien, jämte hans son och en kusin Vi träffades på biblioteket och sedan fikade vi på kafé Kuriosa. Där anslöt min gamle vän Fahredin Berisha, ordförande i den lokala albanska föreningen Iliria, som vänligen försett mig med de bilder som togs vid tillfället
Jag har genom föreningen Bytyçi, vars ordförande herr Gjedia är, förärats förtjänsttecknet “Plisi i bardh” vilket syftar på den vita mössan som är en nationell symbol för alla albaner.
Jag vill uttrycka min glädje över den hedersbevisning jag fått del av genom Agron Gjedias initiativ. Vid tillfället utbytte vi också böcker med varandra.”

(Përkthimi jo pikë për pikë) “Dje kam pasur një takim të këndshëm me Agron Isa Gjedia, një avokat nga Shqipëria, së bashku me të birin dhe një kushëri. Ne u takuam në bibliotekë dhe më pas ne patëm një kafe në kafetierën “Kuriosa”. Atje u bashkua miku im i vjetër Fahredin Berisha, Kryetar i Shoqatës Shqiptare Iliria, i cili me mirësi më dha fotot e marra në atë kohë.

Përmes Shoqatës Bytyçi, kryetari i së cilës është Z. Gjedia, më është dhënë Dekorata e “Plisit të Bardhë”, e cila i referohet plisit të bardhë që është një simbol kombëtar për të gjithë shqiptarët.

Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time për nderin që mora nga iniciativa e Agron Gjedia. Ne gjithashtu shkëmbyem libra me njëri-tjetrin”