Sot ka ndrrue jetë në Skivjan të Kosovës një Nanë Shqiptare.
Ajo ka Moshën e Nanës, anipse është 89 vjeçe. E ka moshen e Nanës Teme. Edhe sikur të mos jetë kjo rastësi, Nanat kanë vetëm një moshë: Moshën e Nanës.
Ajo e ka emnin AZIZE. Përndryshe, domethanë në arabisht: KRENARE. E Ajo vërtetë iku Krenare, për jetën e vet, për familjet e veta në të dy krahët: të çiknisë e nusnisë, për fëmijët e saj, si pershembull: për Gëzimin e gëzimeve të kullës së tyne në Skivjan. Dhe për djemtë, për fëmijët e tjerë. E s’ka përcjellje ma të mirë të Nanës se sa kur Ajo ikën KRENARE në Amshim.
E Nana Azize po ikën në një ditë me bornajë, me borë alpine, se tana ditët janë të Zotit dhe Nana Azize është e Zotit, edhe dje, edhe prej ditëve të përcjelljes së sotme, edhe përgjithmonë. Ajo e kishte shpirtin e bardhë, krejt të bardhë si bora alpine. Shpirtbardha Azize po ikën në një ditë të bardhë, me bardhësi bore…
E Nana Azize, kjo Nanë Shqiptare, kjo Nanë Krenare, kjo Shpirtbardhë ndër Kohna, po ikën me Moshën e Nanës dhe po vjen me Moshën e Nanës…