Ballina Shëndet Studim / Njerëzit që jetojnë jashtë vendlindjes e njohin më mirë veten...

Studim / Njerëzit që jetojnë jashtë vendlindjes e njohin më mirë veten dhe kanë më pak stres

Sipas një studimi të ri nga universiteti Rice, publikuar në Telegrafi.com, në bashkëpunim me universitetin Kolumbia dhe atë të Karolinës Veriore, shpërngulja nga vendlindja rrit “qartësinë e konceptit për vetveten”, që nënkupton se ata të cilët jetojnë në një shtet të ri kanë tendenca të kenë një kuptim më të mirë të vetes së tyre.

Shkencëtarët kanë dalë në këtë përfundim pasi kanë kryer gjithsej gjashtë studime të ndryshme, përmes të cilave kanë anketuar 1,874 pjesëmarrës në SHBA dhe në programe ndërkombëtare. Anketimet kanë përfshirë persona që kanë jetuar jashtë vendlindjes dhe persona që kanë jetuar në vendin e tyre.

Kështu, shkencëtarët zbuluan se ata që jetonin jashtë vendlindjes kishin reflektuar mbi vetveten në mënyra të ndryshme duke mësuar më shumë për kulturat e reja. Ekipi hulumtues ka theksuar edhe një thënie të filozofit gjerman Hermann von Keyserling, i cili kishte shkruar në librin e tij “The Travel Diary of a Philosopher” se “rruga më e shkurtër drejt vetvetes të çon rreth e rreth botës”.

Mbi të gjitha, hulumtuesit kanë thënë se përveç se duke jetuar jashtë vendit njerëzit kanë një kuptim të ri për veten e tyre, gjithashtu ata janë më të kënaqur me jetën, kanë më pak stres dhe janë më produktivë.