Ballina Histori DËSHMITARI DARDAN I MANASTIRIT TË DEÇANIT

DËSHMITARI DARDAN I MANASTIRIT TË DEÇANIT

Nga Fatbardha Demi 

Arësyeja e emërtimit ”dardan” është për t´i qëndruar besnik faktit historik se, kur u përurua Manastiri dhe ka jetuar dëshmitari ynë (shek14-të), ky objekt fetar ndodhej në trevën e  Dardanisë, emërtim i përdorur deri në shekullin e 19-të.  Ky fakt bazohet mbi dokumentet shkrimore. Në regjistrin e vëndeve ku dërgoheshin për të kryer detyrën besimtare priftërinjt e Dioqezës së Varshavës (Poloni) , përmëndet se në vitin 1814, Francis Zambrzycki, që  deri në atë kohë kishte shërbyer në Dardani, do të zëvëndësonte një prelat që kishte ndruar jetë. (1)

Për origjinën dardane të dëshmitarit, që do ta quajmë “anonim”, do të flitet gjatë këtij studimi.

Është fakt i njohur se, ngjarjet historike të së kaluarës, si të Lashtësisë, Mesjetës apo të periudhës së Rilindjes vijojnë të trazojnë shpirtrat e popujve të sotëm (po flasim konkretisht për Ballkanin). Studimet historike janë “arena” ku ndeshen kundër-thënjet akademike për përkatsitë etnike në lidhje me hapsirat territoriale, origjinën e toponimeve , emërtimeve, figurave të shquara, traditave kulturore dhe etnografike, trashëgimisë arkeologjike deri edhe të objekteve besimtare, etj.

Kjo dukuri politike dhe shkencore e ditëve të sotme shtroi problemin: Në se duhej marre parasysh në këto studime ETNIJA , kur behet fjalë për bashkësitë fisnore që janë zhdukur, kanë emigruar në treva të huaja, janë asimiluar, tjetërsuar apo kanë bashkjetuar me popuj të tjerë dhe mungesës së dokumenteve shkrimore, siç na e dëshmon Historia moderne? M.Cuozzo dhe A.Guidi në studimin e tyre (Archeologia delle identità e delle differenze) shprehen se trashëgimija materiale mundëson të zbulohen veçoritë dalluese etnike të popujve të lashtë dhe të sotëm. (2) Përdorimi i metodave të reja studimore  ka vërtetuar se kuptimi i Etnisë ka qënë i njohur që në parahistori dhe mund të vërtetohet edhe për periudhat historike të më vonshme, kur mungojnë dëshmitë shkrimore. Ky studim , duke i dhënë rolin udhëheqës llogjikës (analizës së fakteve), ka si synim zbulimin e etnisë së besimtarëve autokton dhe të autorit të “figurave misterioze” të ashtuquajtura :

Ufo-t  e Manastirit të Deçanit

Ky manastir ndodhet në këmbë të Maleve të Nëmura, siç i kanë emërtuar shqipëtarët, pranë qytetit të Deçanit në Komunën e Gjakovës (Kosovë). Manastiri së bashku me kishën sot njihet si vepër e Stefan Uroshit III Nemanja (1282/4 –1331) i njohur nga historia botërore si mbreti i parë i serbëve.

 Në foton e parë (fig.1) paraqitet Manastiri i Deçanit dhe (fig.2) afresku i cili dëshmon se, sipas traditës mesjetare, mbreti e ka kryer detyrimin besimtar duke ngritur shtëpinë tokësore të Zotit dhe të vend-varrimit të tij mbas vdekjes.              

Fama botërore e këtij objekti fetar i kushtohet tre faktorëve: 1. Si kisha më e madhe ortodokse e mesjetës në Gadishull ; 2. Manastiri më i pasur me piktura në Europe, të cilat pasqyrojnë episode nga Testamenti i Vjetër e i Ri , shënjtorë, ngjarje dhe portrete historike të dinastisë Nemanja; 3. Ka  afreskun më të madh të artit bizantin i ruajtur mrekullisht deri në ditët e sotme. (3)

Si në çdo objekt kulti kristian vëndin kryesor e zë skena “Kryqëzimi i Krishtit”e vendosur sipër altarit. Emri i përfolur i këtij afresku nuk i përket aq madhësisë dhe artit të tij, se sa për figurat që ndodhen në  dy anët mbi Krishtin (fig. poshtë). Studiuesit e sotëm nuk janë në gjëndje të përcaktojnë kuptimin dhe simbolizmin e tyre në mitin kristian, duke ju lënë rradhën hamëndsive të fantashkencës aq e përkushtuar ndaj Ufove jashtëtokësorë. Gjatë gjashtë shekujve, që kur u pikturuan dy “alienët” (v.1350), nuk është dëgjuar kurrë të flitej për ta.  Sot mund të arsyetojmë se kjo ishte pasojë e lartësisë se kupolës ku ndodheshin (afro 15 metra), lirisë që i dha piktori fantazisë së tij ose për to është heshtur qëllimisht.

(4)

Që kur u bë normë për objektet fetare zbukurimi i murreve me mitet kristiane, ata që miratonin dhe ndiqnin me rreptësi zbatimin e tyre ishin teologët e besimit. Në një kod bizantin të shekullit X apo XI, gjënden udhëzimet të hollsishme dhe shumë të detajuara për artistët që duhet të pikturonin skenat e shenjta si : mënyra e vizatimit të figurave biblike, qëndrimi , shprehja e fytyrës së tyre, e natyrës që do të vendosej në ikonë, ngjyrave që do të përdornin etj.(5) Rastet e mosbindjes quheshin herezi, pasojat e së cilës janë pasqyruar në filmin “Kohë e largët”(1983) me fundin tragjik të piktorit arbër David Selenica, autor i afreskëve të Manastirit të Athosit e shumë objekteve ortodokse të shek.XVII. Përsamësipër llogjika të çon në përfundimin, se ishte vetë kryesia e priftërinjve dhe mbreti me këshilltarët e tij, që e kishin pranuar afreskun “Kryqëzimi i Krishtit” së bashku me figurat e çuditëshme sepse përputhej me botkuptimin e tyre fetar.

Për tu njohur me besimin e familjes mbretërore të Nemanjëve , duhet të përmendim sidomos vëllanë e Konstandin Urosh III Nemanja (Stefan i Deçanit), Rastko Nemanjin i njohur me emrin fetar Shën Sava (1178-1235).  Nga historianët ay mbahet si themelues i Kishës së pavarur sërbe, në saj të ngritjes së manastirit ortodoks (Hilandar) të dinastisë Nemanja në malin e Athosit (Greqi). Ai njihet si hartues i Kanunit (Nomokanon 1220) ligjor për studentët e besimit ortodoks dhe qytetarët civil, si erudit dhe dipllomat i shquar që  shfrytëzoi figurat më të larta të kishës ortodokse bizantine, katolike romake dhe të Perandorisë bullgare në interes të ortodoksisë sërbe dhe kurorzimit të vëllait si mbret. Historia e emërton Konstandin Urosh III Nemanjën si mbretin e parë të popullit serb.(6) Për të gjitha këto merita, katër shenjtorë të këtij besimi i përkasin familjes së tij dhe në Beograd është ngritur (2004) kisha ortodokse më e madhe në botë e cila i  kushtohet Shën Savës.

Studimet e viteve të fundit vënë në dukje një fakt të rëndësishëm për temën tonë : “Zyrtarisht dhe sipas emrit që ka, Shën Sava tradicional është një shenjt i krishterë dhe një propagandues shumë i zellshëm; me gjithatë, në thelb, prej karakterit dhe temperamentit të tij si dhe prej miteve e besimeve të lidhura me të, ai akoma i takon periudhës së vjetër parakristiane…” (7)

Në mbështetje të studiuesve serb se botkuptimi parakristian vijonte të kishte ndikim tek dinastia e Nemanjëve, janë studiuesit e artit biblik që hedhin idenë se dy “alienët” e afreskut të Manastirit në Deçan, në të vërtetë janë simbole që shprehin “diellin” dhe “hënën”, si tek bazorelievet e periudhës romake (fig.1 poshtë) e Perendisë Mithra gjatë sakrifikimit të kaut (shk 1- 4 pas K.) dhe ikonat e hershme të sakrifikimit të Krishtit (fig.2).

James Hall, në librin e tij (Dizionario dei soggetti e dei simboli nell’arte,1993) pohon se  hëna dhe dielli në të dyja anët e kryqit janë elementë të zakonshme në ikonat e mesjetës mbi kryqëzimin e Krishtit. “Ato mbijetuan deri në fillimin e Rilindjes dhe çfaqen më rrallë pas shekullit të XV-të. Origjina e tyre është e lashtë (…) Kur filloi të pasqyrohej Krishti i kryqëzuar, duket se këto dy simbole ishin pranuar nga teologët dhe shkrimet biblike.”  (8)

(9)

1 . Bazoreliev i v. 472 aC, Neapolis.  2. ikonë e periudhës bizantine.

Shkenca e besimit, veçanërisht historia e zhvillimit të botkuptimit fetar në Euro-Azi, na ndihmon të zbulohen dallimet, e figurave “aliene” të Manastirit të Deçanit me bazorelievin e Mithrës dhe të ikonës së kryqëzimit të Krishtit. Nga ky krahasim vërehet qartas se lidhja e mitit të afreskut tonë me dy të tjerat, bazohet tek fakte sipërfaqësore dhe jo shkencore për arsye se :

  1. Të tre objektet e artit u përkasin periudhave të ndryshme kohore të botkuptimit besimtar në Euro- Azi. Tek relievi i Mithrës, dielli përfaqëson triumfin e pushtetit mbretëror (fig.1) mbi atë fetar i shprehur me simbolin e hënës. Ndërsa në ikonën e Krishtit (fig.2) dielli shpreh triumfin e Kristianizmit dhe të njeriut tokësor – Krishtit. Në teologji kjo ide është shprehur në formulën e bekimit ku vihet shënja e barazimit midis tyre: “në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të shenjtë”. (10)

 

  1. Ikona nr.2 pasqyron ndikimin e besimit parahistorik mbi kristianizmin nëpërmjet rrymës fetare të Mithraizmit (Azia e Vogël). Flijimi i kaut, simbol i besimit hënor, ka shprehur NDRYSHIMET TEOLOGJINË e pellazgëve të Azisë që u përhap në Europën romake dhe bizantine. Romakët e emërtonin “Sol Invictus” (Dielli fitimtar) dhe kulti i Mithrës festohej më datën 25 dhjetor e njohur nga kisha katolike dhe ortodokse si dita e lindjes së Krishtit.

“Alienët” e Manastirit nuk shprehin asnjë nga këto ide. Krahasimi i tre objekteve të artit vetëm na dëshmon, se në teologjinë ortodokse të shek.14 vijonin të përdoreshin simbolet parakristiane, por mbetet i pasqaruar fakti se : Çfarë shprehin “alienët” në afresk?

Piktori që përjetësoi mitin e Atllantidëve pellazgë

Përdorim emrin e Atllantidëve pellazgë sepse historikisht nuk njihet ndonjë mitologji më e lashtë se e tyre, që sot padrejtësisht është zëvëndësuar me emërtimet moderne “parahistorik” dhe “grek”. Meqënëse tema e shkrimit synon të dëshmojë rolin e faktorit ETNI në kuptimin e artit të lashtë dhe atij mesjetar, nuk do të ndalem tek emri i piktorit të afreskut, për të cilin nuk kemi ndonjë dokument shkrimor, por në zbulimin e përkatsisë etnike dhe besimit të tij.

Në këtë drejtim, njohja e simboleve parahistorike ka rëndesi të dorës së parë. Fakti që dy “alienët” e Manastirit nuk përputhen me simbolet (hëna-dielli) të mithraizmit dhe as të artit bizantin, tregon se piktori ka vendosur një mit autokton për të cilin ka patur edhe miratimin e dinastisë Nemanja.

Po të vështrojmë me vëmëndje vendosjen në afresk të “alienëve”, kuptohet se ata shprehin  një “udhëtim” drejt hapësirës hyjnore, të padukshëm për syrin e njeriut (asnjëri në afresk nuk shikon në drejtim të tyre). Pozicioni i trupit dhe i fytyrës së figurës nr.2 me atë nr.1(poshtë), tregon një veprim të përbashkët në një mit të pakuptuar nga studiuesit.

  1.                                         2.

Figura udhëheqëse, si në “udhëtimin” qiellor ashtu edhe në studim, ndodhet në krahun e majtë të Krishtit (fig.2). Shtrohet natyrshëm pyetja: Si lindi idea e formës së mjetit, kur  një shekull më vonë, Leonardo da Vinçi (1452 -1519) për këtë qëllim u frymëzua nga krahët e zogjve?  Forma prej “sateliti” është një rastësi e pikturës, siç ndodh jorrallëherë edhe në natyrë. Piktorit as nuk i kishte shkuar ndërmend të shprehte një mjet, por një udhëtim hyjnor në qiell (siç do e sqarojmë më poshtë) duke përdorur simbolet e besimit të popullit të tij. Në fig.2 dallojmë këto simbole :

a – maja eshte e formuar nga një V e vendosur me drejtim horizontal që jep idenë e drejtimit të lëvizjes ( ˃).

b – brënda majës ndodhet simboli i kryqit të dyfisht ( x , + ) në qëndërën bosh të të cilit ndodhet topthi.

c -“kabina” e formuar nga gjysëm-hëna është e ngjitur me simbolin V. Hëna ka të pikturuar gjithashtu kryqin e dyfishtë, por më të madh se ai brënda majës.

d – rrezet që dalin nga kurrizi i hënës shprehin  numrin 3.

Të gjitha këto simbole e kanë origjinën nga periudha e Matriarkatit dhe shprehin  botkuptimin e parë besimtar dhe mitik të njeriut primitiv të lidhur me femrën dhe figurën e HËNËS . Për botën shkencore kjo periudhë u bë e njohur në shk.19 me librin e Johan Jakob Bachofen (Das Matterrecht, 1861), por studimin e plotë të objekteve arkeologjike të saj u krye nga Marija Gimbutas (Il linguaggio della Dea, 2008). Studiuesja gjermane Heide Goettner-Abendroth (La società matriarcale: definizione e teoria) pohon se kjo periudhë gabimisht emërtohet “sundimi i gruas” duke u barazuar me periudhën e patriarkatit që me të drejtë përcakton “sundimin e burrit”. Emërtimi më i saktë i saj, duhet të jetë “fillesa femërore”.(11) Matriarkati njihet si periudha më e gjatë e historisë njerëzore, për botkuptimin besimtar dhe mitollogjinë e së cilës është folur gjërësisht në librin “Sellenizmi-besimi që sundon Botën”, prandaj në këtë shkrim do të ndalem vetëm tek simbolet kryesore :               V , Hëna-Ylli dhe Rrezet.

Siç vërehet nga tre shëmbujt e mëposhtëm, simbolet e lartpërmëndura me të cilat piktori ynë formoi “mjetin fluturues” e kanë origjinën nga trupi i femrës (fig.1) dhe Hëna. që dëshmojnë   qënjen e besimit fetar dhe mitik që në fillimet e historisë njerëzore, por edhe nivelin e arritur të zhvillimit mendor të asaj kohe.

Sipas M.Gimbutas janë simbole që datojnë që nga vitet 20 000-17 000 pK (Paleolitico Superiore) ku vënd të veçant zë simboli V, X  dhe zig-zaku (fig.2), motive që autorja i ka mbledhur nga qindra objekte të kulturës Vinka (5200-4000pK) (12)  treva të fiseve dardano-ilire, që përdoren edhe sot në alfabete dhe shkencat e kohës moderne.

Po të vërehet me kujdes fig.2, të gjitha vizatimet janë krijuar nga simboli V i cili në periudhën e Matriarkatit shprehte natyrën e femrës si  KRIJUESEJETËS. (13) Pellazgët në njohjen e natyrës kanë marrë si mjet krahasues FEMRËN , duke zbuluar natyrën ciklike të jetës së njeriut, botës bimore e shtazore në Tokë dhe tre fazat e Hënës. Çdo dukuri e Lashtësisë që lidhet me numrin  “3” shpreh besimin hënor pellazg, siç e shikojmë edhe në afreskun e Manastirit me numrin e rrezeve të “alienit” të parë (3 + 3) dhe (3) tek i dyti.

Femra ishte objekti më misterioz dhe më tronditës për njeriun primitiv, që i friksuar vërente gjakun që derdhej (por ajo mbetej gjallë) dhe organin nga dilte një krijesë e ngjashme me të. Për ta shprehur natyrën e saj krijuese, ai e përdori formën natyrale te trupit të femrës V siç i shikojmë në figurinat e para (fig.1,2 lart) dhe skulpturat e perëndeshave të artit parahistorik të Euro-Azisë. Tek (fig.1) ky simbol është i vendosur dy herë, mbi bark dhe më poshtë, për të treguar vendet hyjnore të trupit të femrës. Ky fakt vërteton drejtësinë e H. Goettner-Abendroth për emërtimin “fillesa femërore” e historisë njerëzore. Ajo që nuk dinte studiuesja ishte fakti se këto simbole u mitizuan nga Atllantidët pellazg të cilët e quanin veten “bij të tokës”. Figurën e tretë mund ta quajmë “modelin” parahistorik të minotaurit apo sfinksave, ku bashkoheshin gjymtyret e kafshëve dhe të njeriut. Në këto figurina metalike (fig.3) që i përkasin gjithashtu kulturës Vinka, dallohet lidhja e gjysëm hënës  me simbolin e organit femror V, siç ka vepruar edhe piktori ynë në afresk(13).

Përfundimi I: Simbolet e përdorura nga piktori për dy “alienët”në afresk dëshmojnë se bëhet fjalë për një mit të besimit pellazg. Ai shpreh botkuptimin e tyre mbi hyjnizimin e njeriut pas vdekjes duke u larguar nga toka drejt botës së përtejme ku ndodhet Krijuesi(fig.1 në afresk). Ky udhëtim ndërmjedsohet me ndihmën e “të parëve të tyre” (koka e kthyer mbrapa e fig 2). Po të vëresh pikturat e enëve të baltës mbi ngjarjet tokësore të mitive, mbi kokën e tyre u qëndron një formë e vogël shtëpie që shpreh “kultin e të parëve”, idenë e së cilës e dëgjojmë edhe sot : “ ata (prindërit e vdekur) na vështrojnë/na mbrojnë nga lart”. Ikonat ortodokse që njohim, nuk shprehin asnjë  “udhëtim” qiellor, por vetëm sakrifikimin dhe Krishtin e ringjallur.

Problemi i etnisë në objektet arkeologjike dhe besimtare

A kanë qënë banorët që faleshin në Manastirin e Deçanit, stërnipërit e Pellazgëve të lashtë që vijonin ta ruanin besimin e të parëve?  Le t´iu drejtohemi përsëri simboleve.

(14) Fotot e mësipërme lidhen me historinë, gjuhën, emërtimet dhe simbolet e Arbërve. Ky fakt dëshmohet lehtësisht duke filluar nga emri i perëndisë Thot (ai që flet) apo Tat (baba në shqip) që sipas studiuesit arbëresh Xhuzepe Katapanos (Thoti fliste shqip) njihet si udhëheqës i fiseve atllantide-pellazge të mbijetuara nga përmbytja (fig.1). Qeleshja e Thotit si e shqipetarëve të sotëm dhe krahët e shqiponjës, flasin për rolin e tij si Kryeprift i lidhur me Zotin. Në këtë reliev me origjinë etruske, Thoti (Hermesi-hellen,Mërkuri-romak) u tregon bashkombasve “udhën e Zotit” me simbolin e besimit të tij (Hëna-Yll). I njejti simbol është gdhëndur në objektet arkeologjike të arbërve parahistorikë (fig.2), në zbukurimet prej metali të Ilirëve, mbi qeleshet e mbretërve të tyre (Aleksandri i Madh), si emblemë e principatës së Arberit , në tatuazhe dhe gur-varret dhe sot e kësaj dite, ruhen tek veshja dhe objektet e  jetesës së Shqipetaro-Arbërve.

Qëllimi i përdorimit të simboleve besimtare nuk ka qënë vetëm për të patur mbrojtjen hyjnore gjatë jetës së tyre, por edhe për të dalluar përkatsinë etnike ndaj popullsive të huaja. Kjo ka qënë edhe dëshira e piktorit anonim në afreskun e “Sakrifikimit të Krishtit”.

1.“alieni” në të djathtë të afreskut të Krishtit. 2. punim në xham i dy shënjtorëve Pietrit dhe Palit (shk. IV pK.) 3.Porta e Manastirit te Deçanit 4. Nekropoli i tumulave të Rogovës në krahun e djathtë të rrugës Gjakovë-Prizren (Kosovë). (15)

Në fig.1 lartë, shikojmë dy shirita që valviten prapa kokës, sikurse edhe ato që dalin nga kurora mbi kokat e dy shënjtorëve të parë të kristianizmit (fig.2) Palit dhe Pjetrit dhe  tek mozaiku i Mesaplikut në Muzeun Historik të Tiranës. Paraqitja e dy shiritave të lidhura prapa kokës me nyje, që në gjuhën shqipe emërtohet KOM është simbol besimtar që dëshmon “lidhjen me Zotin”.  Për tu dalluar nga etnitë e huaja, me emrin Kom-b u përfshinë të gjith fiset e etnisë Arbërore duke u vetquajtur “popull hyjnor”, emërtim që mbahet edhe sot, pavarësisht që në mënyrë absurde në shqip, ne e përdorim për “shtetet” dhe për çdo popullsi tjetër të huaj. Duke e vendosur  qëllimisht këtë detaj (lidhjen e nyjes) në afresk, piktori dhe familja Nemanja kanë dashur të dëshmojnë përkatsinë etnike arbërore dhe natyrën hyjnore të dinastisë.

Në rast se do të vërejmë simbolet e ndërtesës së Manastirit të Deçanit, do të bindemi se nuk ka qënë piktori, i vetmi që ka përdorur simbolet e besimtarëve etnik arbër, por edhe dekoratorët e saj. Tek porta e Manastirit (fig.3 lartë) shikojmë dy simbole të kryqit brënda rrethit. Origjina e tyre është gjithashtu nga besimi hënor pellazg. Në tumulën e Rogovës në Kosovë , që sipas studiuesve i  përket periudhës së bronzit të mesëm (1800- 1500 p.e.s.) dhe të hekurit të hershëm dallohet i njejti simbol (16) . Në këtë kohë  akoma nuk kishin filluar dyndjet e fiseve nomade aziatike në Gadishull dhe nuk njihej besimi kristian. Topthat që mbushin shiritat e hekurta tek porta, siç vërehen në shumë porta të banesave të vjetra, sunduqet,  tek jelekët e veshjes së traditës shqipëtare (burrave dhe grave) dhe rrobën e bardhë të Papës janë simbole parahistorike të besimit pellazg për Krijuesin. Edhe tek kryqi/yll tek “alieni” (fig.2) ka në mes topthin, simbolin e Zotit.

Përkatësinë etnike të banorëve të krahinës ku ngrihet Manastiri dhe familjes mbretërore e dëshmojnë edhe fakte të tjera. Në fotot poshtë jepen dy ndërtime të ngjashme, e para tregon kullën (siç e përcakton edhe shënimi në anglisht) e Shen Savës në malin Athos në Greqi.

  1. Pirgue (tower) of St. Sava, Hilandar (Helladë) 2.Kullë në Kosove 3. Shqiponja në Manastir është me një kokë si ajo e Arbërve. (17)

Në foton e dytë shikojmë të njejtin stil ndërtimi të shqipëtarëve në Kosovë dhe në të gjithë Malësinë e Dardanisë dhe të Shqipërisë së Veriut. Edhe emërtimi i mbetur i këtij ndërtimi (pirg) është i gjuhës shqipe që dëshmon etninë e ndërtuesve dhe të familjes së shënjtorit. Në Fjalorin e gjuhës shqipe lexojmë :“Pirg – Ndërtesë e lartë rrumbullake a katërkëndëshe pranë murreve të një qyteti ose të një kështjelle, që shërbente për mbrojtje, si pikë vrojtimi etj.” (18)

Në murret e manastarit dallojmë edhe figurën e shqiponjës (fig.3) që sipas besimit pellazg është ndërlidhësja e Zotit me njerëzit tokësorë. Në këtë rast, ajo dëshmon se Manastiri i Deçanit është “shtëpia e Zotit”, një objekt i paprekshëm, siç e gjejmë të ligjëruar në Kanunin e Lek Dukagjinit  : “Pronet e pasunia e kishës janë të paprekshme. Kush then kishën , asht i djegun e i pjekun e i qitun me rob e robi jashta Bajrakut “ (20)

Të bie në sy se shqiponja e Manastirit në Deçan ështe me një kokë si ajo e shtetit të Arbërit dhe principatave të Zakariajve dhe Buzëzezëve dhe jo me dy kokë si e vulës së Shën Savës në një dokument të Manastirit Hilandar i cili përfaqëson simbolin ortodoks të huazuar nga fiset pellazge. Kjo shqiponjë u përdor nga Stefani i Deçanit vetëm mbas pushtimeve. Në një grafikë të filmuar me titull “Historia e Serbisë ndër vite” mësojmë se familja princërore Nemanja nuk e ka origjinën nga arbërit e Dardanisë por nga Arberia veri-perëndimore, sot Mali i Zi. (History of Serbia : Every Year https://www.youtube.com/watch?v=mDWtrC0SQfQ)

Përfundimi II : Simbolet e afreskut dhe vetë ndertesa e Manastirit dëshmojnë se kemi të bëjmë me një vepër të rikonstruktuar të një objekti kulti dardan nga familja mbretërore e etnisë arbërore e besimit ortodoks . Për këtë qëllim u shfrytëzuan artistë të ikonave dhe mjeshtër ndërtimi të etnisë së tyre, të famshëm për këto mjeshtri në të gjithë Gadishullin mesjetar dhe njohës të besimit autokton.

Në këtë shkrim nuk u përdorën edhe faktet historike, dokumente dhe fotografi të studiuesve shqipetarë lidhur me Manastirin e Deçanit, që dëshmojnë katërcipërisht çka pohuam më lart. Arësyeja e mospërdorimit të fakteve historike mbi tezën etnike, ka qënë hapësira e kufizuar e një shkrimi dhe synimi për të zbuluar fakte të reja duke u bazuar tek shkenca e besimit. Mungesa e dëshmive besimtare në studimet sllave mbi përkatësinë sërbe të Manastirit, krahinës së Dardanisë dhe të dinastisë Nemanja, por duke u mbështetur vetëm tek pushtimet dhe lloji i besimit (ortodoks), tregon se nuk kemi të bëjmë me një metodë shkencore.

Vështirsia për të kuptuar simbolet e afreskut dhe të ndërtesës së Manastirit nga ana e studiuesve sllave rrjedh prej faktit, se fiset e ardhura në Gadishull të kësaj etnije nuk kishin akoma një teollogji besimtare të formuar dhe shërbenjës priftërinj apo tempuj të besimit të tyre. Në vendin e ri, ata u ndodhën nën trysnin e besimit pellazg të popullit që gjetën, atij ortodoks të Bizantit dhe të sektit të Bogomilëve të Bullgarisë (shek. XI). Kjo gjëndje na çon në përfundimin se për sërbët më shumë se sa besim shpirtëror, ortodoksia ishte një besim i lidhur me pushtetin mbretëror të mesjetës (1219 me Shën Savën) dhe të shtetit në kohët moderne (1880-1956). (21)

Kjo dëshmohet edhe nga sondazhi i bërë në të gjitha republikat dhe krahinat autonome të Jugosllavise më 1985, rreth përqindjes së punëtorëve që shprehnin besimin fetar. Në Kosovë besimtarët zinin vëndin e parë me 44%, ndërsa në Serbi 11% . Një vizitor polak , në fillim të shekullit të XX vëren se “Ata (serbët-shën im) kanë shumë kisha e manastire – por kishtat janë përherë bosh…” (22).

Pra teza ETNIKE vërteton shkencërisht trashëgiminë historike të Manastirit të Deçanit dhe përkatësinë etnike të ndërtuesve, besimtarëve të tij dhe vetë familjes mbretërore. Njohja e  të gjitha fakteve historike e bën rast unik në Botë, pamjen që ka sot  Manastiri i Deçanit – i rrethuar nga murret e larta me tela dhe tanket 24 orëshe, për ta rruajtur nga ata që e ndërtuan, u falën dhe e mbrojtën gjatë të gjitha periudhave gjakatare që kaloi Gadishulli Ballkanik.

Nga kush e mbrojnë ???

 

4.01.2019