Ballina Rajoni Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme për heqjen e taksës në importet serbe, në rast se ekziston një rrugë e qartë drejt arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Në një postim në Facebook, Thaçi ka njoftuar se gjatë një bisede me gazetën The Washington Post, ai ka përmendur kërkesën që Shtetet e Bashkuara të marrin rol udhëheqës “në koordinimin e inputit ndërkombëtar për Marrëveshjen Paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia”.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar në nëntor të vitit 2018 për vënie të taksës 100 për qind në importet që vijnë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina në Kosovë.

Përveç kësaj mase, në muajin dhjetor, autoritetet e Kosovës kanë vënë masën e njëjtë edhe për brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi, duke fuqizuar këtë vendim nga 1 janari i këtij viti.

Bashkimi Evropian ka reaguar ashpër ndaj këtyre masave, duke kërkuar heqjen e tyre, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se dialogu, që zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian nuk do të vazhdojë në Bruksel derisa të largohet taksa e vënë në produktet e Serbisë.

Më 8 janar, ekipi negociator i Kosovës do të zhvillojë një takim në Bruksel për t’i informuar zyrtarët e Bashkimit Evropian mbi ecurinë e përgatitjeve në Kosovë për procesin e dialogut.