Ballina Kuriozitete Makinat elektrike drejt popullarizimit

Makinat elektrike drejt popullarizimit

Makinat elektrike janë në prag të një zhvillimi cilësor thonë shumë ekspertë. Në të gjithë botën, shqetësimet për ndotjen dhe ndryshimet klimatike po shtohen duke i bërë më tërheqëse makinat elektrike si një alternativë miqësore për mjedisin. Por, ende mbetet problem çmimi i lartë.

Në nëntor në Kili mbërritën 100 autobusë elektrikë. Presidenti Sebastian Piñera i mirëpriti në Santiago:

Kili do të transformohet. Pas Kinës, do të bëhet vendi me numrin më të madh të autobusëve elektrikë në botë”, deklaroi ai.

Në Kosta Rikë, makinat elektrike janë faktorë qendrorë në planet e qeverisë për të eliminuar çlirimin e dioksidit të karbonit. Prodhuesit presin shtim të madh të shitjeve në vitet e ardhshme, thotë një shitës makinash:

Më duket se kam dëgjuar parashikime se në 2030, 50% e makinave do të jenë elektrike. Aktualisht në vend kemi 600 makina elektrike, por nga viti i ardhshëm duhet të kemi 2-3 herë më shumë”, thotë Mariano Avalos.

Jo vetëm makina dhe autobusë, por edhe motoçikleta e pajisje të tjera elektrike po përhapen ndërkohë që shtohen shqetësimet për ndryshimet klimatike. Transporti kontribuon 14% të gazeve që shkaktojnë efektin serrë dhe po rritet kërkesa për lëndë djegëse. Kjo po shkakton shtimin e ndotjes atmosferike. Si rezultat, makinat elektrike janë bërë më tërheqëse në qytete ku ka ndotje të lartë thotë zëdhënësi i kompanisë indiane “Etron”, Saptarshi Chakraborty:

Këto janë makina që nuk shkaktojnë ndotje. Ato gjithashtu kanë kosto më të ulët operimi se makinat me naftë apo benzinë”.

Makinat elektrike kanë kosto më të ulët për karikimin e baterisë, krahasuar me koston e karburantit për makinat me naftë apo benzinë. Po ashtu kostot për riparimin e makinave elektrike janë më të ulëta.

Megjithatë, makinat elektrike kanë çmim më të lartë se sa ato me karburant. Deri tani, shitjet janë ndihmuar nga subvencionet qeveritare.

Në Norvegji, ku më shumë se një e treta e makinave të reja që shiten janë elektrike, zbritja e taksave është një ndër përfitimet, thotë Kristian Bull, përdorues i një makine elektrike:

Parkimin e kemi falas. Futemi në qytet falas. Po ashtu edhe kostoja për kuajfuqi që ka kjo makinë është shumë më e ulët. Çdo gjë kushton më pak falë subvencioneve. Kanë shumë ndikim”.

Por, disa nga këto subvencione po eliminohen. Të tjerat skadojnë në vitin 2021. Kjo do t’i bëjë makinat elektrike më pak tërheqëse, thotë përdoruesja Ida Vihovde:

Nëse nuk ka subvencione nuk do të mendoja ta blija. Për momentin është shumë më e lirë për t’u operuar pasi taksat ulen, po ashtu karikimi është i lirë. Por nëse paguajmë me çmim të plotë, siç po thonë, ndryshojnë gjërat”.

Kostoja e baterive po bie me shpejtësi. Por sipas parashikimeve, makinat elektrike nuk do të arrijnë të konkurrojnë në çmim me makinat me karburant deri në vitin 2030. Subvencionet mund të jenë të domosdoshme, nëse qeveria norvegjeze do të arrijë objektivat, thotë Stale Frydenlund i Shoqatës Norvegjeze të Makinave Elektrike:

Synimi është që 100% e makinave që shiten në vitin 2025 të jenë elektrike. Për ta arritur këtë synim, duhet të tregohemi këmbëngulës”.

Ekspertët thonë se makinat elektrike kanë nevojë për mbështetjen e qeverive në të gjithë botën deri kur të jenë në gjendje të konkurrojnë në çmim me makinat me karburant.