Ballina Bota Revolucioni dixhital dhe pasojat për vendet në zhvillim

Revolucioni dixhital dhe pasojat për vendet në zhvillim

Zhvillimet dixhitale kanë mbyllur biznese në mbarë ekonominë globale, që nga muzika dhe deri tek manifaktura. Po ndryshon mënyra se si bëhet tregtia, si prodhohen mallrat dhe si transportohen dhe shiten ato. Ekspertët i thanë Zërit të Amerikës se revolucioni dixhital u ofron vendeve mundësi të mëdha, por paraqet edhe probleme serioze.

Tregtia globale ndihmohet nga avancimet dixhitale, si inteligjenca artificiale, tregtia elektronike dhe përkthimi kompjuterik. Sipas ekonomistëve, këto ulin kostot dhe ndihmojnë në veçanti eksportuesit në vendet e vogla dhe të reja, si dhe kompanitë me më pak mbështetje financiare.

Serverat e mëdhenj kompjuterikë, të lidhur me njëri-tjetrin në vende të ndryshme, mundësojnë transaksione të sigurta dhe shkëmbim të dhënash në një rrjet të mbiquajtur “block chain”. Këto sisteme të ndërthurura u ofrojnë garanci klientëve të mundshëm se një kompani e re do të prodhojë mallrat e premtuara.

“Të gjithë i njohim kompanitë si Volkswagen, Toyota apo IBM, por askush nuk e di nëse një kompani e vogël përfaqëson një biznes legjitim. A kanë kohë në treg? A janë legjitime? Këtyre pyetjeve u përgjigjet block chain”, thotë Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë, Roberto Azevedo.

Një tjetër zhvillim dixhital, printimi tre dimensional, mund të çojë në zëvendësimin e fabrikave nga pajisje që printojnë objekte dhe jo vetëm më fjalë në letër.

Në ekonomitë në zhvillim, printimi 3D mund të ulë vendet e punës me paga të ulëta dhe që kërkojnë aftësi të pakëta.

“Mendoj se do të reduktonte më tej avantazhin që kanë vendet në zhvillim për shkak të kostos së ulët të krahut të punës”, thotë Joshua Meltzer, i Institutit Brookings.

Zonat rurale në vendet në zhvillim kanë nivelin më të ulët të qasjes në internet. Vetëm gjysma e popullsisë së botës ka qasje në internet. Zoti Meltzer thotë se për të arritur progres serioz, nevojiten rrjete kabllore dhe celulare të shpejtësisë së lartë.

“Tarifa interneti të përballueshme janë pjesë e domosdoshme e një pakete që do të ngrejë themelet e të ardhmes”, thotë zoti Meltzer.

Manifaktura ishte kyçi i rritjes së ekonomive të avancuara, por shumica e aktivitetit ekonomik i vendeve në zhvillim është zhvendosur nga prodhimi i mallrave drejt menaxhimit të ideve dhe informacionit në ekonominë e shërbimeve. Ekonomitë e përparuara kanë avantazh ndaj vendeve në zhvillim, pasi ato kanë më shumë punonjës të arsimuar dhe me aftësi të specializuara për sektorin e shërbimeve.

Zhvendosja drejt ekonomisë së shërbimeve mund t’ua vështirësojë vendeve në zhvillim kapërcimin e këtij hendeku.

“Ka filluar tashmë. Mendoj se revolucioni dixhital do ta nxisë më tej”, thotë Claude Barfield, i Institutit Amerikan të Sipërmarrjes.

Zoti Barfield thotë se politika mund të komplikojë më tej çështjet ekonomike, ndërsa udhëheqësit e vendeve në zhvillim do të gjenden mes dilemës për t’u dhënë lirinë e duhur kompanive të reja dixhitale që do të zgjerojnë dhe nxisin rritjen ekonomike, si dhe tundimit për të përdorur teknologjinë dixhitale për qëllime kontrolli social dhe politik.