Ballina Aktualitet Po zhduket tradita e bakllavasë, tani blihet e gatshme

Po zhduket tradita e bakllavasë, tani blihet e gatshme

Sektorin ku prodhohen shërbetrat në pastiçeri e gjejmë të tejmbushur me tepsitë e bakllavave këto ditë të fundit të vitit.

“Kërkesa kuptohet që në fundvit është e madhe për të gjitha llojet e ëmbëlsirave, por vçcanërisht për një nga ato më të dashurat, më tradicionalet, më të lashtat si mund ta themi nga ëmbëlsirat, që është bakllavaja. Në këtë moment që po flasim, akoma vazhdojnë porositë për baklava dhe kjo vazhdon deri në datën 30 të këtij viti, sigurisht që në 31 nuk marrim dot më porosi. Është tejmase i lartë numri i porosive”, thotë kuzhinieri.

Përveç bakllavasë tradicionale, janë edhe bakllavatë në përmasa më të vogla, me larmi frutash të thata si tendencë e porosive vitet e fundit: “Përzgjedhja e këtyre frutave të thata, në bashkëpunim me petën dhe shërbetin, japin si produkt final një lloj bakllavaje që është komplet risi për tregun shqiptar dhe një shije shumë të mirë në tavolinat e fundvitit. Vitet e fundit, kërkesa për to është po e njëjtë me bakllavatë tradicionale. Flasim që është një tip evolucioni i një lloj kuzhine mesdhetare edhe në tregun shqiptar”.

“Normalisht, porositë tek ne duhen bërë 24 orë më parë të paktën, sepse për t’u përgatitur duhen rreth 3-4 orë mesatarisht. Dhe sigurisht, është mirë të shërbetoset një ditë më parë në mënyrë që edhe bakllavaja të regjet”, shton kuzhinieri.

Të shumtë janë sot blerësit e bakllavasë, duket se koha që duhet t’i përkushtohen i dedikohet pushimit dhe më mirë për ta është ta marrin të gatshme: “Unë gjithmonë e porosis se ndryshe do me merrte shume kohë si dhe mendoj se pastiçeritë punojnë në mënyrë profesionale”.