Ballina Bota Hungari, demostruesit e kanë shpallur 2019 “vitin e rezistencës“

Hungari, demostruesit e kanë shpallur 2019 “vitin e rezistencës“

Protestat në Hungari kundër rregullores për orët e punës jashtë orarit nuk po ndalen. Demonstruesit e kanë shpallur 2019 “vitin e rezistencës“, sindikatat duan të organizojnë greva në mbarë vendin.

Kryeministrit i Hungarisë i pëlqen të thotë dhe e ka theksuar shumë herë se qeveria e tij dëgjon zërin e popullit dhe respekton dëshirën e njerëzve në vend. Por aktualisht Orbáni e ka shumicën e popullit kundër vetes: Mijëra hungarezë protestojnë që prej dy javësh kundër të ashtuquajturit “Ligj i skllevërve”, për rritjen e numrit të lejuar të orëve jashtë orarit. Edhe të shtunën (22.12) në mbrëmje mijëra vetë dolën nëpër rrugë. Në Budapest, sipas të dhënave të mediave të pavarura, dolën 5 mijë vetë, por edhe në disa qytete pati manifestime të vogla. Sipas të dhënave aktuale të Institutit Publicus, për studimin e opinionit publik në Budapest, 66 përqind e hungarezëve kanë simpati për demostruesit, dhe një shumicë më e madhe se kaq është kundër “Ligjit të skllevërve”.

Me rregullimet e reja, numri i orëve të lejuara jashtë orarit për punëmarrësit do të rritet nga 250 në 400, ndërkohë që punëdhënësit do të kenë deri tre vjet kohë të paguajnë orët jashtë orarit. Paketa e ligjeve u aprovua javën e kaluar megjithë kundërshtimin e madh nga sindikatat, partitë opozitare dhe organizatat civile, dhe në një shpjegim shtesë qeveria i uronte qytetarëve Krishtlindje të gëzuara “në rrethin e familjes dhe të miqve”, gjë që komentatorët e quajtën cinike.

Kryeministri hungarez Orbán foli për herë të parë (22.12) për demostruesit, në mënyrë krejt poshtëruese. Në intervistën e tij javore me radion Kossuth, kryeministri tha se protesta është “një bërtimë histerike”. Orbán përsëriti po ashtu akuzën që para tij e kanë përsëritur politikanë të tjerë, se pas protestave dhe financimit të tyre ndodhet miliarderi amerikan, George Soros.

Ditën e premte (21.12)në Budapest, megjithë të ftohtin e madh, mijëra vetë dolën marrshuan nga sheshi i Parlamentit, mbi urën e Danubit për tek Pallati i Presidentit, në anën e Budas. Një aktiviste e lëvizjes jashtëparlamentare liberale Momentum. Anna Donath, e quajti vitin 2019, “vit të rezistencës” kundër rendit të Orbánit. Donath u kthye në një nga fytyrat e protestës, sepse u arrestua javën e kaluar nga policia në mënyrë shumë brutale dhe u mbajt orë të tëra pa asnjë lloj sqarimi në një burg hetimor. “Indinjohuni dhe ngrini zërin, sepse keni të drejtë për këtë”, u tha 31 vjeçarja sociologe demostruesve. Një përfaqësues i sindikatës së pedagogëve dha zgjidhjen për javën e kaluar: “Vendi duhet të paralizohet”. Sindikatat hungareze duan të bëjnë grevë në rang vendi pas pushimeve.

Do të ishte hera e parë që me ardhjen në pushtet të Orbánit më 2010, që organizohen aksione të tilla greviste. Po ashtu siç është për herë të parë që gjatë protestave, me përjashtim të katër deputetëve ekstremistë janë të përfaqësuar të gjitha partitë palamentare në opozitë, përfshirë partinë ultra të djathtë Jobbik. Edhe shumë klerikë të njohut të kishës janë solidarizuar me protestën, mes të cilëve Tamás Fabiny,

Ipeshkvi drejtues i kishës evangjeliste luteriane në Hungari, dhe Miklós Beer, ipeshkvi rom katolik i qytetit hungarezo verior, Vác. Të dy bënë në intervista me mediat hungareze kritika të ashpra kundër politikës konfrontuese të qeverisë së Orbánit. Po ashtu shumë parlamente të qyteteve që kryesohen nga opozita, mes të cilave edhe qyteti hungarezo- jugor Szeged dhe hungarezo- verior Salgótarján, deklaruan se nuk do i zbatojnë rregullat e reja për orët jashtë orarit.

Bashkimi që nuk ka ekzistuar deri tani i opozitës parlamentare, sindikatave, organizatave civile, kishës dhe administratës lokale opozitare mund të bëhet i rrezikshëm për Orbánin, sepse kryeministri nuk tregon asnjë shenjë të gatishmërisë për kompromis dhe bisedime. Kjo bën që opozita të bashkohet edhe më shumë, thonë vëzhguesit.

Po rregullat e reja për orët jashtë orarit kanë një arsye të rëndësishme, e cila ka lidhje me Gjermaninë. Në Hungari sundon mangësia e forcës së punës, sepse vitet e fundit rreth 600 mijë njerëz të specializuar janë larguar nga vendi. Hungaria është njëkohësisht një nga vendet europiane më të rëndësishme për industrinë gjermane, kryesisht prodhuesit të automobilëve Audi, BMW, Mercedes dhe Opel. Me orët jashtë orarit qeveria e Orbánit kërkon të zbusë mungesën e krahut të specializuar të punës.

Përfaqëses të opozitës e akuzojnë qeverinë se e ka bërë “ligjin e skllevërve” me kërkesë të industrisë gjermane duke iu referuar kryesisht fjalëve të ministrit të Jashtëm, Péter Szijjártó në fund të nëntorit gjatë një vizite në Dyseldorf, që tha se firmat gjermane në Hungari përgëzojnë ndryshimin e ligjit për të rritur fleksibilitetin. Në Berlin demonstruan po ashtu dhjetëra aktivistë të lëvizjes “Ambasada e Hungarisë së Lirë” para Dhomës së Industrisë dhe tregëtisë. Kërkesa e tyre ishte që firmat gjermane në Hungari duhet të thonë çfarë ka rëndësi për to, pazaret me Orbánin apo vlerat europiane dhe mbrojtja e të drejtave të punëmarrësve.”