BBC ka shkruar për votimin për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe rrugëtimin e shtetit të ri evropian deri në krijimin e ushtrisë.
Në këtë artikull BBC shkruan se rrugëtimi euro-atlantik i Kosovës është vënë në dyshim gjatë javëve të fundit.
Votimi i sotëm do të shndërronte 4 mijë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri profesioniste të Kosovës. BBC shkruan se Kosova është territor që mbrohet nga 4 mijë trupa të KFOR-it qëkur forcat serbe u larguan nga Kosova në vitin 1999.
“Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ishte aq e tërbuar nga votimi i ushtrisë sa foli për një kundërpërgjigje ushtarake. Presidenti serb kërkoi përkrahje nga Rusia dhe Kina”, shkruan BBC.
“Forcën ushtarake të Kosovës, Serbia e sheh si kërcënim ndaj 120 mijë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë. Serbia nuk e njeh Kosovën që deklaroi pavarësinë e saj para dhjetë vjetësh”, ka shtuar mediumi britanik.
BBC shkruan se një situatë krejt tjetër ishte para tre muajsh kur të gjitha bisedimet ishin për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së tyre të gjatë, pas gjashtë vjetësh negociata të nisura nga Brukseli.
“Ky plan është largim nga statusi i Kosovës i projektuar nga fuqitë perëndimore. Në Kosovë ka shumë misione të Bashkimit Evropian, gjithashtu është edhe KFOR-i. Ky shtet përfiton shumë nga ndihma ndërkombëtare”, shkruan BBC.
“Pra kishte elemente të kafshimit të dorës që po ushqente Kosovën në këto dy dekadat e fundit kur kryeministri Ramush Haradinaj akuzoi Federica Mogherinin se e ka mbytur procesin e dialogut”, shkruan BBC që citon Haradinajn: “Ajo ka transformuar dialogun nga ai për normalizim në dialog për territore. Kjo ka dëmtuar rajonin tonë”.
Kundërshtimet e taksës
BBC shkruan se reagimi i Haradinajt ishte kundër shkëmbimit të territorit, plan të cilin e ka kundërshtuar shumë. Kjo erdhi si përgjigje ndaj BE-së që kundërshton vendimin e Kosovës për taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës.
“[Ky] vendim është kundër shpirtit dhe bashkëpunimit në rajon”, citon Mogherinin BBC-ja.
“Pres nga qeveria e Kosovës që të tërheqë vendimin. Por besoj se dy palët mund të vazhdojnë dialogun”, ka thënë ajo.
Disa janë më pak optimistë për këtë gjë.
“Tash jam më i shqetësuar për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës sesa isha më parë”, ka thënë James Ker-Lindsay, njohës i Ballkanit në London School of Economics.
“Dialogu nuk ka qenë i mirë për disa vjet, por kishte ekuilibrum. Kjo ka ndryshuar dhe është e vështirë të parashikosh se ku do të shpie”, ka thënë ai.
BBC-ja shkruan se vendosshmëria e Kosovës për të shndërruar FSK-në në ushtri i ka përkeqësuar gjërat. Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg planin për ushtri e ka quajtur si vendim që vjen në kohë të papërshtatshme dhe ka paralajmëruar “pasoja serioze për të ardhmen e Kosovës për integrimin euro-atlantik.”
Shtytje e madhe për Prishtinën është Amerika që me qëndrimin e saj të kundërt me atë të Brukselit dhe NATO-s, ka përkrahur formimin e një ushtrie, transmeton Koha.net.
BBC-ja shkruan se formimi i ushtrisë në këtë kohë vjen si frustrim i Prishtinës për mosliberalizimin e vizave nga BE-ja për qytetarët e Kosovës.
“Dhjetë vjet që prej pavarësisë Kosovës i mungojnë shumë gjëra të shtetësisë. Shndërrimi i FSK-së në ushtri, së paku do të ishte një arritje e planifikuar”, shkruan veç të tjerash BBC.